Përmbytjet, një zgjedhje për kaskadën e Drinit
Ing. Çesk Staka Në vitin 1978, para se të mbyllej diga e Fierzës, i kam dorëzuar z. Luigj Pjetri, atë kohë i emëruar drejtor i Shfrytëzimit të HEC-it në Fierzë në prezencë të Kontrollit të Shtetit dhe prokurorit Kupën e pastruar të Liqenit të Fierzës. Dhe a e dini pse në prezencën e tyre? Sepse urdhri i Kryeministrit të atëhershëm, Mehmet Shehu, ishte i prerë. Në qoftë se ditën që do të mbyllej diga e hidrocentralit të kaskadës së Drinit, edhe një gjethe po të ishte në liqen, do më pritej koka mua, kolegëve të Pukës dhe të Tropojës. Ditën e formimit të liqenit të Fierzës e kam përjetuar në Vasjar të Shën Mërisë të Kukësit, në prezencën e atyre personaliteteve që kishin në dorë kokën time. Po cilat janë shkaqet e dyta anësore që kanë sjellë këto përmbytje dhe që nuk do të ndalen asnjëherë pa marrë masat e duhura për t’i parandaluar në ato zona anësore të liqenit, për të cilat janë të panjohura ose të anashkaluara nga hidroteknikët më brilantë të Komitetit Kombëtar të Digave? Ekranet e televizioneve janë bërë strehë e “specialistëve” që nuk e njohin dhe as në ëndërr nuk mund ta shijojnë anën e errët të kaskadës së Drinit. Hartat, qofshin gjeografike apo hidroteknike të relievit të thyer malor, nuk të japin atë çfarë t’i kërkon, pa i shkelur me këmbë, pa i studiuar dhe hedhur në projekt. Bazeni i Fierzës që posedon Kukësi është mbi 5800 hektarë, por mbi bazën e tij është disa qindra herë më i madh dhe i mbushur me një gamë të madhe lumenjsh e përrenjsh me profile shumë të pjerrët, të cilët janë burim furnizimi hidroteknik për Fierzën, por njëkohësisht ajo çka nuk thuhet sot dhe burim i mbushjeve të ngurta të bazenit, çka i shkurtojnë jetëgjatësinë digës. Cilat janë gabimet: E para, projektimi i Hidrocentralit të Fierzës nuk është bërë i plotë nga ata që sot mbajnë peshën e Komitetit Kombëtar të Digave, për të cilat janë të nderuar edhe nga unë. Të quhesh i kënaqur me pastrim nga lënda drusore e kaskadës së Drinit deri në kuotën 300 metra mbi nivelin e detit është një e mijta e punës që duhej bërë, sepse është lënë në harresë me dashje apo pa dashje në kohën e diktaturës pjesa më vitale e mbrojtjes të këtij hidrocentrali, pra kuota mbi 300 metra deri në lartësitë e mëdha... Po çfarë duhej bërë atëherë dhe pas viteve ’90 dhe çfarë duhet bërë pas kalimit të emergjencës. Zotërinjtë e nderuar, profesorë e doktorë shkencash që në atë kohë duhej që me bashkëpunimin e tyre me Ministrinë e Bujqësisë nëpërmjet ish- Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve dhe luftës kundër erozionit dhe prurjeve fatale të ujit nga lumenjtë e përrenjtë të kishin bërë studimin hidroteknik të gjithë zonës së mbikaskadës në një projekt unik me HEC-in e Fierzës dhe të fillohej që atëherë puna për zbatimin nga sektori i pyjeve sepse koha e gjatë e ndërtimit të HEC-it ishte e mjaftueshme për t’i paraprirë dhe përfunduar bashkë në një kohë. Patjetër që ndërtimi i pritave malore me strukturë betoni nga lart poshtë në përrenjtë e mëdhenj do të sillte jo vetëm krijimin e miniliqeneve të vegjël, të cilat kishin funksion jo vetëm rrjedhjen e detyruar të tyre me disiplinë drejt kaskadës, por dhe mbrojtjen e aluvioneve të ngurta në basenet e pritave. Po kështu, në përrenjtë e thatë me gërryerje jo të madhe të bëheshin prita të thata me gurë apo lëndë drusore. Në qoftë se do të bëhej dhe realizohej ky projekt i kombinuar, sot kaskada e Drinit do të ishte e disiplinuar, pa as më të voglën mëdyshje që Shkodra nuk do të përmbytej nga liqeni i Fierzës me këto përmasa, por ndikim do të kishin vetëm reshjet e shiut që bien në Shkodër e Lezhë. Patjetër që strukturat e pyjeve, faqet e bazeneve të këtyre pritave, duhej të pyllëzoheshin. Ky rekomandim, të cilin po e jap vlen edhe për Komanin dhe Vaun e Dejës, të Ulzës e Shkopetit dhe kudo që mund të ndërtojnë hidrocentrale të tjerë. Ky do të ishte shërbimi më i madh që do t’i bëhej Shkodrës, Matit dhe Lezhës. Justifikimi se në atë kohë ishte centralizimi i punës, nuk i heq përgjegjësitë, sepse të paktën për të hartuar studime dhe projekte të tilla nuk të ndalonte askush, pavarësisht nëse do të zhvilloheshin apo jo. Ky studim e më pas zbatim, të paktën kur nevojat për energji pas viteve ‘90 u rriten në masë drastike duhej bërë dhe ma merr mendja asnjë qeveri demokratike s’do t’i kishte ndaluar. Të pranosh se ka gabim njerëzor, nuk është zbatuar rregullorja e nivelit të ujit në diga është i drejtë, por duhet nxjerrë edhe faji mbi kë rëndon. Mos vallë qeveria ka këtë faj që sot trumbetohet në shtyp? Mos vallë duhet bërë kurban koka e Dritan Priftit, për t’ia çuar në tepsi Edi Ramës? Edhe pse kam qenë themelues i PS, pa qenë anëtar i PSSH, nuk jam dakord me gjuhën politike të Edi Ramës dhe “specialistëve” të tij partiakë. Nga ana tjetër, Sali Berisha nuk është specialist hidroteknik, ai është doktor i nderuar dhe me të vërtetë duhet të mbajë përgjegjësi që ushqen një kastë inxhinierësh të këtij profili që nuk japin asgjë dhe presin emergjenca të tilla për t’u shfaqur si VIP-a. Pas kalimit të kësaj emergjence, qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, si dhe ajo e Mjedisit, duhet t’i vënë në punë këta parazitë të fshehur për të hartuar projektet e mbikuotës së liqenit te zona malore e kodrinore e tërë kaskadës së Drinit, për t’ia paraqitur urgjentisht qeverisë për miratim dhe po me urgjencë duhet filluar zbatimi. Në të kundërt, probleme emergjente do të kemi çdo vit, madje edhe më të rënda. Qeveria, nëpërmjet institucioneve vartëse, duhet të mbledhë në përbërje të atyre pak institucioneve që kanë ngelur specialistët më të mirë të luftës kundër erozionit dhe t’i vendosë në varësi të specialistëve hidroteknikë dhe Komitetit Kombëtar të Digave. Disiplinimi i kaskadës së Drinit në tërë zonën e Tropojës, Kukësit, Pukës dhe në kaskadat e Komanit, Vaut të Dejës, Ulzës e Shkopetit me ndërtimin e pritave malore nga lart poshtë dhe mbjellja e faqeve të këtyre burimeve të vogla me drurë pyjorë do të bënte të harronim një herë e mirë fjalën përmbytje nga HEC-et, por njëkohësisht dhe sigurinë kombëtare të digave.