E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria t’u japë para në dorë jo ndihma të përmbyturve

 Edi Rama së bashku me deputetët e qarkut Durrësit e të Shkodrës ka qenë në komunën e Dajçit dhe të Velipojës, në disa fshatra të kësaj komune. Për të shkuar në komunën e Velipojës është dashur të udhëtohet me një motobarkë, në rrugën nga Dajçi në Velipojë kreu socialist i kërkoi qeverisë që të mos përsërisë atë që ndodhi në Gërdec me dëmshpërblimet apo në tërmetin e Dibrës. "Unë e shikoj si domosdoshmëri, që kriteret e dëmshpërblimit të jenë gati dhe që në momentin e përcaktimit të dëmeve, menjëherë të lëvrohet fondi i domosdoshëm për t'i dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit këta njerëz. Jo siç ndodhi me ata të shkretët në Gërdec, ku disa u trajtuan si të nënës dhe shumica u trajtuan si të njerkës dhe u la në harresë gjithë ajo plagë e madhe që vazhdon të jetë e hapur për shumë e shumë familje dhe jo vetëm një plagë e mungesës së drejtësisë, por plaga e madhe e pasojave ekonomike. Ashtu si kundër është e domosdoshme që qeveria të nxjerr një fond asistence të menjëhershme ekonomike dhe sociale për këto familje, duke ju dhënë para në dorë, në mënyrë që t'ju dalin për zot nevojave të tyre të ditës dhe të mos presin nga qielli se do të bjerë apo jo një thes me miell apo do të zbresë një shishe me ujë", u shpreh Rama. Gjatë këtyre inspektimeve, Kryesocialisti dëgjoi nga banorët që takonte, akuza ndaj qeverisë të cilët shpreheshin se katastrofa nuk ishte natyrore, por e shkaktuar nga qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›