Raporti, Freedom House: Shqipëria, pjesërisht e lirë
Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres në liritë civile dhe ato politike gjatë gjithë vitit 2009. Vendi ynë nuk ka shënuar përparime, pavarësisht se vitin e shkuar ne u pranuam si anëtarë të barabartë në NATO. Kështu saktësohet në raportin e vitit 2009 të Freedom House, "Liria në Botë" në lidhje me liritë dhe të drejtat e njeriut. Drejtori i Studimeve të Freedom House, Kristofer Uoker, në një intervistë për Zërin e Amerikës (VOA) u shpreh se "për sa i përket Shqipërisë, është e vërtetë që ka mbetur në të njëjtin pozicion, sipas vlerësimeve tona, është vend pjesërisht i lirë, çka do të thotë se ka shënuar përparime të konsiderueshme vitet e fundit, por në të njëjtën kohë ka një element ngecjeje. Pra, ka ende hapësirë për përmirësim". "Në raport ne kemi përmendur disa nga presionet që qeveria ka ushtruar tek media, gjë që është shqetësuese dhe sigurisht që kjo sjell implikime për mbulimin dhe transparencën, që është e nevojshme për të luftuar korrupsionin, që është një tjetër problem që ne kemi përmendur në raport", tha Uoker. Sipas tij, në disa vende në disa pjesë të Evropës Juglindore dhe Lindore, janë sfidat e vazhdueshme për pavarësinë e Gjyqësorit dhe Prokurorisë, çka do të thotë se Ekzekutivi ka ende ndikim të mjaftueshëm, ose në disa raste të tepruar për të parandaluar veprime transparente dhe efektive për prokurorinë kur është e nevojshme. Një sfidë jashtëzakonisht e vështirë është edhe konsolidimi i Demokracisë dhe forcimi i institucioneve. "Mendoj se është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Mendoj se në të gjitha shoqëritë, si kur bëhet fjalë për demokraci më të konsoliduara, që kanë vështirësitë e veta për përmirësimin e institucioneve të tyre, po ashtu edhe për vende në tranzicion, aty ku ka më pak burime në dispozicion për të bërë të mundur reforma më energjike", shprehet Uoker. Për mungesën e opozitës, ai shprehet se "nuk mendoj se kjo është diçka e pazakontë, por mendoj se përgjigja mund të gjendet në mënyra më inovative për të angazhuar publikun në diskutime publike dhe në hartimin e mënyrave më efektive për të komunikuar alternativat politike, si pjesë e platformave politike të partive. Kjo gjithashtu është një nga sfidat kryesore me të cilat përballen vendet në tranzicion, për normalizimin dhe shtimin e efektivitetit të politikës dhe dialogut politik".