Misioni i "Djallit": Të qëndrojmë në krye!
Parakalimi ndaj Interit pas tri vjetësh? Por unë nuk jam i sigurt, nëse janë tre vjet, duhet të jetë nga 2006-ta... Le të themi që ka pak kohë që nuk ndodh." Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, kthehet te parakalimi ndaj "kushërinjve" zikaltër në renditje pas javës së 9-të të Serisë A. "Renditja më shumë rëndësi ka në maj, - deklaron Galiani. - I kemi dhënë këtë vit prioritet të qartë klubit dhe lojtarëve që në korrik, Milani duhet të luajë dhe luftojë për të fituar titullin, pastaj edhe mund të fitosh ose jo, por rëndësi ka që të luftojmë deri në fund dhe të mbajmë një rendiment ndryshe në kampionat në krahasim me vitin e shkuar. Në sezonin e shkuar, duke ëndërruar Yokohamën, mes Bergamos dhe Sienës, do të kishim bërë disa pikë më shumë dhe unë jam i bindur që rëndësi ka motivimi." "Objektivi, - thekson numri dy i kuqezinjve, - është kampionati dhe lojtarët "bombardohen" për këtë gjë çdo ditë. Për t'ju lënë të kuptoni se ç'ka ndryshuar këtë vit, para ndeshjes me Sienën, lojtarët më kërkuan të mos ua them gjatë takimit me sienezët rezultatet e skuadrave të tjera, për të qëndruar të përqendruar sa më shumë te ndeshja."
INZAGI, GOLI DHE SHTRATI - I dëmtuar ose jo, tashmë Pipo Inzagi nuk befason më. Sa herë që sulmuesi me origjinë nga Piaçenca hyn në fushë, edhe pse ka ditë ose muaj që nuk luan ndeshje, arrin në një farë mënyre të vërë "firmën" e tij, duke parë që të mërkurën në mbrëmje ndaj Sienës, përveçse shënoi golin që zhbllokoi ndeshjen, fitoi dhe një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Kaka. Një 11-metërsh nga ata që janë me peshë, ama. "SuperPipo" tregon momentin e tij të formës dhe episodin e 11-metërshit, shumë i kundërshtuar nga sienezët dhe trajneri i tyre Xhianpaolo. "Imazhi emblematik është që Portanova nuk reklamon 11-metërsh, - rrëfen sulmuesi i Milanit. - Në të vërtetë, më preku dhe me atë shpejtësi është 11-metërsh. Pastaj, secili mund të mendojë atë që beson. Nuk do të kisha pasur asnjë epërsi, nëse do të hidhesha vetë, sepse unë shkova për të shënuar. E kuptoj që Xhianpaolo është i mërzitur, sepse ai episod vendosi rezultatin, por edhe Milanit i ka ndodhur të pësojë raste të ngjashme." Nga dyshimi për 11-metërshin te forma e mirë që po kalon tashmë "bomberi" 35-vjeçar. "Ndihem shumë mirë, - shpjegon Inzagi, - ka tri ndeshje që po shënoj rregullisht. Jam i kënaqur që ndihmova për këtë fitore, sepse këto janë pikë vendimtare për të fituar titullin. Në moshën 35-vjeçare është gjithnjë e më e vështirë, por ky mjedis më jep një ndihmë të madhe dhe këto janë kënaqësi të mëdha për mua. A do të shkoj në diskotekë për të festuar? Jo, unë shkoj në shtrat menjëherë, sepse në moshën time duhet të fitoj energji dhe të mendoj menjëherë për ndeshjen me Napolin."