Reforma, komisioni shtyn mandatin edhe dy javë
Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe komisionet e votimit vonojnë hartimin e Kodit
TIRANË - Ashtu siç edhe pritej Kuvendi ka miratuar dje shtyrjen për herë të tretë të mandatit të komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Me vetëm 7 vota kundër dhe 81 pro, Kuvendi ka zgjatur edhe me dy javë të tjera afatin e veprimit të komisionit, brenda të cilit duhet të miratohet Kodi i ri Zgjedhor. Sipas kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka lexuar edhe kërkesën drejtuar seancës për miratimin e afatit të ri, shkak është bërë pamundësia e grupit të ekspertëve për të përfunduar në kohë draft-kodin e ri. Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës, Fatmir Xhafaj, i cili në një prononcim për mediat, ka sqaruar se disa probleme të karakterit teknik kanë penguar ekspertët që të përfundonin në kohë draftin për kapitujt që kanë mbetur ende pa u diskutuar. Por ai ka garantuar se brenda javës së ardhshme drafti do t’i niset seancës plenare për miratim, pasi të jetë diskutuar një herë më parë në komision. “Ajo që më duhet mua të merrem është fakti që, kodi zgjedhor, nga pikëpamja e punës së ekspertëve, pothuajse ka përfunduar. Ka mbetur pjesa për pushtetin vendor, janë rregullimet e fundit dhe disa gjëra që lidhen me një aneks që duhet t’i bashkangjitet kodit, lidhur me përcaktimin e zonavetë administrimit zgjedhor në një qark. Kjo është ajo që mund t’u them për kodin”, - tha Xhafaj. Por burime pranë këtij komisioni kanë konfirmuar për gazetën se shkaqet e kësaj vonese nuk kanë të bëjnë thjesht me çështje teknike, por me mosmarrëveshjet mes palëve për çështjen e institucioneve që do të merren me administrimin e zgjedhjeve, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo edhe komisionet e votimit. Kështu, të njëjtat burime, konfirmojnë se ndërsa është rënë dakord për kufizimin e numrit të anëtarëve të KQZ-së dhe KQV-ve në 7 anëtarë, nuk është gjendur ende gjuha e përbashkët për formulën e përfaqësimit të partive në të, mënyrën e përzgjedhjes apo emërimit të këtyre anëtarëve. Ajo që konfirmohet tashmë si një arritje në këtë drejtim është fakti se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të jetë një institucion politik i krijuar me ligjin zgjedhor dhe jo një institucion i varur nga Ministria e Brendshme, siç edhe është diskutuar herë pas here gjatë kohëve të fundit.