E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i KiE: Do të ndihmojmë institucionet për zgjedhjet

13/04/2011  Takime në KQZ, prezantohet plani i asistencës parazgjedhore

“Ofrojmë ndihmën tonë, duam standarde më 8 maj”

Këshilli i Evropës, kërkon nga Shqipëria zhvillimin e zgjedhjeve brenda standarteve të kërkuara, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë dhe një monitorim të rreptë të tyre. Një delegacion i KiE ka zhvilluar ditën e djeshme takime me drejtuesit politikë në vend dhe ka parë nga afër përgatitjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të 8 majit. Nga ana e saj, kryetarja e delegacionit të KiE-së, Hana Richtermocova, pas takimit me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, nënvizoi se delegacioni po ndjek nga afër situatën dhe po ndihmon institucionet e angazhuara në organizimin e zgjedhjeve të 8 majit, për të arritur zgjedhje me standarde. “Jemi në Shqipëri për të ndihmuar për zgjedhjet vendore të 8 majit”, deklaroi Richtermocova. Nga ana tjetër, shefja e delegacionit të Këshillit të Evropës nuk pranoi të bënte komente në lidhje me incidentet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në vend gjatë këtyre ditëve të para të fushatës elektorale, por theksoi se janë duke e ndjekur me kujdes situatën në vend. Burime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, bënë me dije se në takimin e djeshëm me delegacionin e Këshillit të Evropës dhe përfaqësues të subjekteve politike pranë KQZ-së është bërë dhe prezantimi i planit të veprimit të asistencës parazgjedhore që Këshilli i Evropës do të zbatojë në Shqipëri, në kuadrin e zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011. Ky plan veprimi është mbështetur në kërkesën e paraqitur nga KQZ-ja pranë KiE-së dhe implementimi i tij do të bazohet në eksperiencën e Këshillit të Evropës në këtë fushë në rajon. Kështu KiE pritet të ofrojë ndihmën e saj ndaj KQZ-së, sa i përket sektorit të trajnimit të KQZ-së për realizimin e programit të trajnerëve për komisionerët zgjedhorë në KZAZ dhe KQV. Gjithashtu, KiE do të ofrojë mbështetjen e saj për krijimin e një forumi profesional për komisionerët zgjedhorë. Një kontribut të veçantë KiE do ta japë në lidhje me ndërgjegjësimin e votuesve, edukimin e votuesve, duke u fokusuar në veçanti në votuesit për herë të parë, si dhe në mbulimin zgjedhor nga mediat shqiptare.

Plani i KiE-së për zgjedhjet:

- Asistencë/mbështetje teknike për KQZ-në.

- Ndihmë për sektorin e trajnimit të KQZ-së për realizimin e programit të trajnimit të trajnerëve për komisionerët zgjedhorë në KZAZ dhe KQV.

- Mbështetje për krijimin e një forumi profesional për komisionerët zgjedhorë.

- Ndërgjegjësimin e votuesve, edukimin e votuesve, duke u fokusuar në veçanti në votuesit për herë të parë.

- Mbulimin zgjedhor nga mediat.

- Programi synon rritjen e kapaciteteve të administrimit zgjedhor në mënyrë të qëndrueshme dhe të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për zgjedhjet.

Takimet e KiE-së

Delegacioni do të takohet edhe me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni dhe nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri. Lajmërohet se kjo përfaqësi do të bisedojë dhe me përfaqësues të ndryshëm të partive politike, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe medias. Ky grup prej tre personash do të njihet më nga afër me problematikën zgjedhore në Shqipëri.

Vëzhguesit

Ky delegacion i Këshillit të Evropës mund të vendosë edhe se sa vëzhgues të tjerë do të sjellin nga Evropa për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri. Nga datat 4 deri në 10 maj, ky organ i Këshillit të Evropës do të sjellë në Shqipëri një delegacion të dytë për të vëzhguar zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Grupi i vëzhguesve të KiE do të bashkëpunojë me misionarët e ODIHR-it, të cilët prej një jave kanë filluar nga puna për monitorimin e fushatës jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethet e tjera të vendit.

Ambasadori amerikan ripërsëri apelin nga Elbasani

Arvizu: Ruani qetësinë dhe mendoni për qytetarin

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u bëri dje sërish thirrje forcave të mëdha politike që të ruajnë qetësinë gjatë fushatës elektorale dhe të tregojnë maturi. Ambasadori Arvizu, nga qyteti i Elbasanit, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me incidentet e ditëve të fundit, që po cenojnë qetësinë e fushatës elektorale. Arvizu u ka bërë thirrje kandidatëve për bashkitë dhe komunat e vendit që të vënë në qendër të objektivave të tyre qytetarin. Ai apeloi që palët të bëjnë përpjekje dhe të angazhohen për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme më 8 maj, si dhe i kërkoi edhe KQZ-së që të luajë rolin e saj në zbatim të ligjit. Gjithashtu ai kërkoi nga qeveria që të bëjë përpjekje për transparencën e zgjedhjeve të 8 majit, duke theksuar se përpjekje duhet të bëjnë të gjitha palët e politikës shqiptare. Ambasadori Arvizu ndodhej dje në Elbasan për t’u njohur me planin për zhvillimin e qytetit, ku u takua edhe me kryetarin aktual të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinin, i cili rikandidon për këtë post në zgjedhjet vendore të 8 majit, nën siglën e “Aleancës për të ardhmen”. Ambasadori amerikan shprehu shqetësimin për incidentet e ditëve të fundit, që po cenojnë qetësinë e fushatës elektorale.

Thirrje për përmbushje të standardeve në zgjedhjet vendore të 8 majit bënë edhe përfaqësuesit e delegacionit të KiE-së dhe të “Transparency International”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›