E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset PS-LSI në njësinë 5

13/04/2011  Fushata elektorale shoqërohet me incidente mes simpatizantëve të partive

Socialistët akuzojnë ish-aleaten e tyre. Vasili mohon pjesëmarrjen e mbështetësve

Fushata elektorale po shoqërohet jo me pak tension në radhët e simpatizantëve të forcave politike, pjesëmarrëse në garën për zgjedhjet vendore të 8 majit. Gjatë ditëve të fundit janë shënuar incidente të natyrave të ndryshme, por së fundmi përplasjet janë përqendruar në radhët e militantëve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kështu gjatë pasdites së djeshme, kreu socialist Edi Rama prezantoi kandidaten për kryetare në njësinë bashkiake numër 5, Jeta Seitaj. Por përpara se të niste takimi, pati një konfrontim mes dy grupimeve, ku nga PS bëhej e ditur se personat që nisën përplasjen ishin mbështetës të LSI-së. Ndërkohë që kjo e fundit mohoi në mënyrë kategorike që të jenë mbështetës të LSI-së grupi i personave që u konfrontua me simpatizantët e PS-së. Megjithatë, incidenti ndodhi pranë qendrës “Kristal” në kryeqytet, ku kreu socialist Edi Rama do të prezantonte kandidatin e PS për këtë njësi, përplasje në të cilën mësohet të ketë mbetur dhe një person i plagosur. Konfrontimi ka nisur në momentin kur mbështetësit e PS-së me në krye Ramën kanë parakaluar para njësisë elektorale të LSI, teksa janë drejtuar për në qendrën “Kristal”, ku do të prezantohej kandidatja e njësisë 5. Referuar kësaj përplasjeje, deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, në një reagim të menjëhershëm dënoi një incident të tillë dhe bëri thirrje për zhvillimin e një fushate paqësore. “Sigurisht besojmë se ata që kanë sulmuar janë vërtet ata që përfaqësojnë aleancën e PD dhe LSI dhe janë ata që paguhen me para të pushtetit”, deklaroi deputetja socialiste Gjermeni. Por përkundrejt këtij reagimi, ku përfshinte në konfrontim pikërisht mbështetësit e LSI-së, ka ardhur dhe kundërpërgjigjja e përfaqësuesve të kësaj partie. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u shpreh se “LSI nuk ka lidhje me këto incidente. LSI fton nxitësit e këtyre provokimeve të heqin dorë. LSI do të vazhdojë fushatën e saj me programe dhe ide konkrete”.

Incidentet elektorale

Në Berat e Korçë palët akuzojnë njëra-tjetrën

Në Berat dhe Korçë janë shënuar dje disa incidente elektorale. Konkretisht, gjatë ditës së djeshme u dhunua një 36-vjeçar në fshatin Gjoroven të komunës Velabisht. Shefit Shanaj, nipi i kreut të komunës Velabisht, mësohet se është dhunuar nga dy persona dhe ndodhet i shtruar në spitalin e Beratit, ndërsa vetë i lënduari rrëfen për ngjarjen: "Dy ditë para se të më godisnin, personi që më goditi ka ardhur në lokal dhe ka grisur flamujt e Partisë Socialiste. Mbas dy ditësh, kur kthehesha nga puna, qëndroj në lokal për të pirë kafe dhe na qëlluan dy persona për punë politike”, tha i dhunuari. Ngjarja është denoncuar edhe nga Partia Socialiste e rrethit Berat, sipas së cilës, autorë të dhunës së ushtruar janë dy militantë të LSI-së. "Kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje as me PD dhe as me LSI, për sa i përket komunës Velabisht. Ne nuk jemi përkrahës të dhunës, le të merren me ngjarjen organet kompetente”, u shpreh kreu i PD Berat. Po kështu dhe PS e Korçës denoncoi dhunimin e zyrës elektorale të kandidatit për kryetar të kësaj bashkie, Niko Peleshit. Në reagimin e saj, PS akuzoi militantë të PD-së si autorë të djegies së flamujve pranë kësaj zyre elektorale. PD nga ana e saj vlerësoi se lajmi është i pavërtetë dhe se nuk janë djegur flamujt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›