E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Partitë të bëjnë transparencën e financimeve

13/04/2011  Presidenti Topi pret përfaqësuesit e “Transparency International Albania”

Partitë politike, pavarësisht deklarimeve të tyre, ende nuk japin garanci besueshmërie sa i përket transparencës së financimit të fushatës zgjedhore. Ky ishte mesazhi i dhënë në përfundim të takimit të djeshëm nga Presidentin i Republikës, me përfaqësuesit e organizatës botërore kundër korrupsionit “Transparency International”. Presidenti Topi duke folur fillimisht për gjendjen aktuale politike në vend dhe fushatën e zgjedhjeve vendore, ku nënvizoi “rëndësinë e bërjes transparente të financimeve të partive politike dhe fushatës, në përputhje dhe zbatim të ligjit”, apeloi edhe njëherë për nevojën e realizimit me sukses të këtyre zgjedhjeve përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike, duke konsideruar si “të domosdoshme prezantimin e alternativave bindëse në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme”.

Tensionet e fushatës

Në takimin me përfaqësuesit e TIA-s, Presidenti Topi duke iu referuar klimës së tensionuar së fushatës elektorale, si dhe në lidhje me incidentet e fundit për simbolet partiake, ka drejtuar gishtin e akuzës drejtpërdrejt te drejtuesit partiakë, të cilët në gjuhën konfliktuale të kohëve të fundit kanë nxitur, sipas tij, dhunën te militantët. “Nëse ka dhunë fizike, padyshim përgjegjësia është e partive politike. Në një farë mënyre e kanë stimuluar këtë edhe nëpërmjet debateve aspak qytetare. Këtë e kemi parë në Parlament, e kemi parë jashtë Parlamentit. Të bëjnë apel për tolerancë”, u shpreh Topi. Ndërkaq, sa i përket kërkesës së përfaqësuesve të TIA-s për bërjen e transparencës së burimeve të financimeve të partive politike, Presidenti Topi theksoi: “Duket që ka shumë teprime në shpenzime në fushatë elektorale, ndërkohë që ka mjaft probleme ekonomike dhe sociale”. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e “Transparency International Albania” i shprehën gjithashtu dëshirën për realizimin e zgjedhjeve vendore të drejta e të qeta. Ata e informuan mbi faktin se në zgjedhjet aktuale vendore vetëm “Transparency International” do të ketë raport monitorues, kurse procesin e transparencës zgjedhore do ta ndjekin indirekt edhe organizata të tjera. Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e TIA-s theksuan gatishmërinë dhe mbështetjen e tyre të mëtejshme për dhënien e ndihmesës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, luftën korrupsionit dhe rritjes së transparencës. Kreu i shtetit vlerësoi kontributin shumëvjeçar të “Transparency International” si një rrjet që tenton të nxisë qeveritë në zbatimin e reformave antikorrupsion, hartimin e analizave të detajuara dhe nxjerrjen e të dhënave konkrete në luftën e hapur ndaj korrupsionit, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të individit.

Apeli i Topit

Presidenti Topi apeloi dje sërish, duke thënë se procesi zgjedhor të jetë i drejtë e korrekt, dhe sipas standardeve demokratike, duke konsideruar si “të domosdoshme prezantimin e alternativave bindëse në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme”.

Monitorimi

“Transparency International” bëri me dije se kjo organizatë do të ketë raport monitorues në zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 8 maj. Kurse procesin e transparencës zgjedhore do ta ndjekin indirekt edhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›