E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të ketë vetëm dy taksa, të gjitha të tjerat do t’i heqim

13/04/2011  Takimi në njësinë nr. 8

Kryetari i BPS-së, Edi Rama, u ndal dje në njësinë bashkiake numër 8, ku zhvilloi një takim me banorë të kësaj zone. Gjatë bisedës me ta, kreu socialist, njëkohësisht kandidat për një mandat të katërt për postin e kryebashkiakut, Rama, parashtroi premtimet për katërvjeçarin e ardhshëm. Ndërkohë që duke kërkuar të votojnë kandidatin e “Aleancës për të ardhmen” në këtë zonë, Sadi Vorpi, kryetari Rama shpjegoi detyrimet që qytetarët paguajnë për ndërtimin e Tiranës dhe taksat dhe tatimet që i mbahen nga qeveria. “Të gjithë bashkë do ta çojmë përpara këtë punë. 1 milion lekë i paguan bashkisë një biznes në vit, duke shtuar edhe tvsh-të e vendosura nga qeveria. Më 8 maj t’i japim drejtim kësaj pune. Do të ketë vetëm dy taksa, të gjitha të tjerat do t’i heqim”, vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij me banorë të njësisë bashkiake numër 8, ku akuzoi qeverinë për taksa të larta ndaj biznesit të vogël. Për këtë arsye, ai premtoi se bashkia do të ishte në ndihmë të tyre. “Qeveria më 8 maj do të japë llogari për papunësinë dhe varfërinë, shtrenjtimin e taksave të larta, dhe për rrenat përditë e përditë sa e shqepën këtë popull”, u shpreh Rama. Ndërkohë që qytetarët i kanë shprehur kryetarit të bashkisë pakënaqësi për papunësinë, si dhe çmimet e larta të produkteve ushqimore. “S’ka asnjë të blejë. Jemi dy intelektualë që kemi dalë për të shitur domate, pasi kishim ngelur pa punë”, theksoi një tregtare. “Sa herë ju thonë ju rrisim pensionet e rrogat, fluturon inflacioni dhe ju ikin lekët nga xhepi”, u përgjigj Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›