Misioni i Qerimajt

Medalje bronzi nga ana e tij në 2004, nënkampion i Europës në U-17 dhe nënkampion i Europës për të rinj (U-18) në vitin 2005. Ndërkaq, ai arriti një kulm duke u shpallur kampion i botës në stilin e shtytjes në vitin 2006, si edhe doli nënkampion i botës në dygarësh.
Me medaljen e artë të Europianit në Antalia, pikërisht sot më 12 prill 2012, Erkand Qerimaj plotësoi misionin e tij lidhur me kontinentin europian, duke qenë tani kampion i Europës në kampionatin e çdo lloj moshe.
Sot, në moshën 24-vjeçare, madje ende pa i mbushur (bën 24 më 8 gusht), Qerimaj ka edhe dy sfida të tjera, edhe më të vështira. Ai do të synojë titullin e kampionit të botës si dhe do të kërkojë të sjellë në Shqipëri medaljen e parë të artë olimpike, gjë që deri më sot nuk e ka bërë asnjë sportist shqiptar që nga fillimi i pjesëmarrjes në lojrat olimpike.
Këto dy misione do ta mbajnë gjallë ambicien e Erkandit dhe të trajnerit të tij, Zef Kovaçi. Shqipëria beson plotësisht se ai mund t’ia dalë. Ndaj, na mbetet vetëm që të presim.