Trepça e ndali Vëllaznimin

Trepça e ka ndalur hovin e Vëllaznimit, me të cilin barazoi në Mitrovicë pa gola, 0-0, njëjtë si dy javë më parë. Gjakovarët vinin pas tri fitoresh radhazi, të cilat ia mundësuan që ta marrë edhe kreun e tabelës, në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll.
‘Xehetarët’ rrezikuan më shumë, me Prekazin e Behramin, kurse kuqezinjtë kishin rastet e tyre me Skerajn, por që nuk i shfrytëzuan. Po ashtu, mitrovicasit kërkuan dy penallti, të cilat për gjyqtarin Përparim Hasani, nuk ekzistuan.
Në 5 minutat e fundit, Vëllaznimi luajti me një lojtar më pak, kur Ylber Myrta u ndëshkua me karton të kuq, pas dy të verdhëve. Pas këtij barazimi, Vëllaznimi mbetet në krye të tabelës, me 44 pikë, dy më shumë se Prishtina, e cila e ka një ndeshje më pak.