Misioni i (pa)mbaruar i FRD-së
Në traditën politike moderne menjëherë pas zgjedhjeve politike çdo parti konkurruese dhe ekip politik bën bilancin e vet elektoral. Nëse fiton, analizon fitoren dhe përgjegjësinë, nëse humbet analizon humbjen dhe programon ndryshimin. Në rastin shqiptar kjo nuk po ndodh. PS mori aq shumë vota sa e ka mendjen tek ndarja e pushtetit jo tek gabimet jo të pakta saj, PD evitoi analizën dhe po inskenon një garë brendapartiake për kryetar, LSI ndjehet mirë me rezultatin dhe nuk ka kohë për analizë. Në partitë e tjera parlamentare vetëm PDIU ka pasur një deklaratë formale suksesi, të tjerët kanë heshtur ose i janë bashkuar rolit të analistit për zhvillimet në PS/PD. Jashtë parlamentit janë dy partitë e reja politike, FRD dhe AKZ. Të dyja me pritshmëri e pretendime të mëdha në zgjedhje, por që për një serë arsyesh objektive e subjektive – të mbetura jashtë parlamentit. E përbashkëta e tyre është dënimi për shkak të sistemit zgjedhor, gjithçka tjetër është e ndryshme tek analiza e secilës palë.
FRD është partia që do duhej të kishte një përfaqësim parlamentar dinjitoz. Ajo u krijua nga një grup i vogel elitar politik nga e djathta, pati pritshmëri publike dhe hapësirë veprimi, erdhi në kohën e rënies së thellë të PD dhe konsumimit të pushtetit të saj, formalisht u shtri brenda një viti në gjithë vendin, ishte prezent në fushatën elektorale mediatike dhe drejtohej nga figura me karrierë të njohur politike e publike. AKZ ishte e kundërt; me financim të madh, pretendime të mëdha, por e paaftë të menaxhojë votën patriotike apo peshën e saj politike, ajo u godit ashpër në konsultimet e dështuara për koalicione parazgjedhore, dhe firot denoncuese që shoqëruan 90% të ekipit drejtues. Dy palët ishin jashtë procesit të administrimit zgjedhor, jashtë koalicioneve të mëdha, jashtë debateve politike televizive dhe jashtë skemës së financimit elektoral, gjë që natyrisht pati ndikimin e vet. Gjithsesi FRD mori të paktën tre herë më shumë vota se AKZ, një shifër e barabartë me votat e tre mandateve parlamentare në një sistem proporcional kombëtar, dhe në Tiranë vendosi rekord historik për një forcë të djathtë, me 10 mijë vota, e vetme përballë 65 partive të majta e të djathta.
Dy palët patën reagime të kundërta lidhur me zgjedhjet: AKZ nuk e njohu rezultatin zgjedhor dhe as procesin. FRD deklaroi se pranon rezultatin e zgjedhjeve pavarësisht pretendimeve të saj për devijim të votës, e konsideron sukses numrin e 30 mijë votave të saj kombëtare, se mbetet parti në opozitë, se mbetet parti e qendrës së djathtë, se reforma e parë politike duhet të jetë reforma zgjedhore, se projekti i saj politik vetëm sapo ka nisur dhe se fton demokratët të bëhen pjesë e saj. Të dhënat e saj sidomos në Tiranë janë të tilla që të bindin se mandati parlamentar është refuzuar jo nga vota, por nga palët në grupet e numërimit, ndryshe nuk gjen shpjegim fakti se edhe në rreth 10% të qendrave me vëzhgues të saj prezent nuk rezulton asnjë votë për FRD-në. Pritej kjo ndërhyrje mbi votat për shkak të interesit madhor të PD që FRD dhe z.Topi të mos arrinin cilësimin e partisë parlamentare, gjë që në kushtet e kalimit të PD në opozitë mund të ishte një burim mbështetje për pjesën e madhe të papërfaqësuar të së djathtës së moderuar.
Pas këtij deklarimi zyrtar FRD nuk ka ende aktivitet publik. Ndryshe nga sa duhej dhe si pritej, nuk ka deklarim lidhur me garën në PD dhe as zhvillimet brenda të djathtës së pushtetit. Gjithashtu nuk ka reagime publike lidhur me problematikat aktuale politike, nuk ka mbledhje strukturash, nuk ka analiza institucionale dhe as tregues së prezencës në jetën aktive politike. Ka veprime sporadike, ndonjë deklarim personal lokal, shumica si përgjigje të ngulmimit të medias, por ende asgjë thelbësore. Ka kohë, në vjeshtë dhe më vonë është përgjigjia formale për publikun, median dhe strukturat lokale. Një përgjigje që nuk sqaron, nuk ndihmon dhe nuk garanton asgjë. Sepse 30 mijë mbështetësit zyrtarë të FRD-së, por edhe shumë të tjerë jashtë saj, përfshi opinioni publik e mediatik, kanë nevojë të dëgjojnë zërin e saj, të vlerësojnë standardin e saj të analizës dhe të presin risitë e saj të premtuara në sjelljen politike, mendimet e saj për debatet politike të ditës dhe problematikat e rotacionit të ri politik.
FRD e mbajti fjalën publike dhe ndryshe nga sa akuzohej, nuk ishte dhe nuk mund të ishte shtojcë politike e të majtës. Ajo në cdo rast ka thënë se është e mbetet shtëpia e vertetë e të djathtës, deklarim me rëndësi kur thuhej, por shumë më me rëndësi sot kur e djathta e pushtetit është në krizë të thellë, dhe kur e djathta shqiptare ndodhet në ditët më të vështira prej 1997-ës. Të gjitha parashikimet e saj mbi fatin e pushtetit klientelist e korruptiv, mbi stalinistin e fundit në Evropë u vertetuan me votën e 1 milion qytetarëve. Një arritje që vlen vetëm për analiza dhe histori. FRD me modestinë e saj elektorale i kushtoi shumë PD-së dhe sjelljes së saj arrogante dhe kartën e humbur morale. Kjo ishte arsyeja që PD bëri vetëm një spot elektoral negativ, jo kundër PS, jo kundër LSI, por kundër FRD-së, madje dy ditë përpara votimit, duke keqpërdorur përsëri disa figura të keqpërdorura të ish përndjekurve politikë. Spoti nuk pati ndikim direkt, pasi FRD u dëmtua nga bipolariteti politik, ndaj nevoja e elektoratit për votë ndëshkuese ndaj kryeministrit dhe PD, frika e tyre se vota e FRD do të shkojë për një qeveri tjetër të së djathtës së diskretituar të pushtetit, etj. Ata donin më shumë garanci dhe FRD nuk arriti ta përçojë qartë dhe në kohë pozicionin e saj. Duke përjashtuar faktin e vjedhjes së votës në zona të vecanta (e përmendur më lart), presionin e pushtetit, problemet e mungesës së financimit, jetëgjatësinë e shkurtër, dëmtimin nga rivaliteti i ashpër midis PD-PS, – të gjithë faktorë të pritshëm në realitetin shqiptar, – mbeten disa elementë të tjerë që meritojnë vëmendje dhe analizë dhe që janë pritshmëri eskluziove vetëm të FRD-së.
Zërat, të cilët tani thonë: më mirë të hynim në koalicion e të merrnim 2-3 deputetë të gatshëm, – janë jopolitikë, të njëjta me mentalitet klienteliste të LSI dhe nuk kanë të bëjmë me frymën e premtuar të FRD-së. Dalja jashtë koalicioneve PD-PS ka qenë zgjidhja e vetme, optimale, normale dhe thelbësore për profilin e saj politik. Gjithsesi, analiza duket të marrë në konsideratë faktorë e pyetje të tjera, si p.sh: a mund të kishte një listë kandidimi më përfaqësuese, më cilësore, më publike dhe më konkurruese? A mund të evitohej identifikimi lokal i FRD si parti e vetëm një komuniteti të caktuar? A mund të kishte më shumë respekt për vlerat dhe meritokracinë në procesin e kandidimit dhe zhvillimit të fushatës elektorale? A
