E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajri në Tiranë, me grimca kancerogjene

Duke iu referuar matjeve të ISHP-së, ngarkesa e ajrit në kryeqytet, në Korçë dhe Vlorë është alarmante, të paktën dy herë më e lartë se në vendet e BE-së. Shkaku kryesor: ndotja nga automjetet

TIRANË - Tirana vazhdon të mbetet kryeqyteti me ajrin më të ndotur në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Përveç grimcave të respirueshme, ajri i kryeqytetit është i ngarkuar edhe me përmbajtje benzeni, i cili ka efekte kancerogjene për njerëzit. Ky ka qenë përfundimi i raportit të Institutit të Shëndetit Publik, pas kryerjes së matjeve të ajrit në zonat e Tiranës, Korçës dhe Vlorës. Për monitorimin e ajrit në këto tre qytete në periudhën 6-mujore, nga janari deri në qershor të këtij viti, janë marrë mostra ajri në tetë stacione çdo 16 ditë në muaj. Janë bërë matjet në tetë stacione të Tiranës, një stacion të Korçës dhe një stacion të Vlorës. “Është i gjashti vit që mostrat e ajrit merren në të njëjtat pika, gjë që përbën avantazh për nxjerrjen e tendencave. Të gjitha këto mostra janë analizuar gjatë këtyre muajve në laboratorin e ajrit të ISHP-së”, tha për “Korrierin” shefi i Monitorimit të Cilësisë së Ajrit në Institutin e Shëndetit Publik, Agron Deliu. Sipas tij, qëllimi i këtij studimi është njohja me saktësi të besueshme kohore dhe hapësinore e cilësisë së ajrit urban gjatë gjithë vitit 2008 në këto tre qytete të rëndësishëm të vendit. Sipas raportit të ISHP-së, pas përfundimeve të matjeve paraprake vazhdon predominimi i përmbajtjes së grimcave totale (LNP) dhe atyre të respirueshme (PM10) në atmosferat urbane të tre qyteteve të monitoruar. Gjithashtu, në këtë raport thuhet se nuk shikohet ndonjë ulje ose ngritje statistikisht e besueshme e përmbajtjes së këtyre grimcave. Në Tiranë, Korçë dhe Vlorë, këto grimca janë respektivisht 2 deri 3.5 herë më të larta se norma e lejuar në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas raportit të ISHP-së, këto vlera janë ndër më të larta absolute në të gjithë vendet e BE-së, duke na klasifikuar në zonën e rrezikut shëndetësor. Në ajrin urban të këtyre qyteteve po rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe përmbajtja e dioksidit të azotit, NO2. Rritja e përmbajtjes së këtij dioksidi tepër të rrezikshëm për organizmin e njeriut, vjen si rezultat i shtimit të trafikut automobilistik. Ajri urban më i ngarkuar nga ky lloj gazi është ai i kryeqytetit. Duke iu referuar raportit të ISHP-së, përmbajtja mesatare e dioksidit të azotit në Tiranë është më e lartë se norma e lejuar në vendet e BE-së. Përveç nivelit të lartë të grimcave të respirueshme, tani në Tiranë po bëhen problem shëndetësor edhe gazet e shkarkuar nga automjetet. Po kështu, në Korçë dhe Vlorë, përmbajtja e dioksidit të azotit, NO2, në qendrën e qyteteve është në nivele më të larta se pak vite më parë, duke qenë fare pranë kufirit të lejuar në vendet e BE-së.

Niveli i benzenit, në rritje

Për herë të parë është monitoruar edhe përmbajtja e benzenit C6H6 në ajrin urban të tre qyteteve të mësipërm. Specialistët e ISHP-së sqaruan se këto matje janë bërë në kuadër të monitorimit me metodën e tubave pasivë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas tyre, “edhe përmbajtja e tij faktike tashmë mund të konsiderohet me tendencë rritjeje, pasi është komponim që shkarkohet kryesisht nga makinat që përdorin benzinë. Në pikëpamje toksikologjike, benzeni futet në grupin e komponimeve me efekte kancerogjene për njerëzit”. Përmbajtja e tij në benzinat që tregtohen në vendet e BE-së duhet të jetë më e vogël se 5 për qind në masë. “Prandaj kjo normë duhet vendosur sa më parë prej organeve përgjegjëse edhe për benzinat që importohen në Shqipëri”, thanë për gazetën specialistët e monitorimit të cilësisë së ajrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›