E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misri pa kokrra i opozitës

Genc Pollo 

Do të do doja të flisja për një shqetësim të madh, atë të misrit pa kokrra të opozitës, jo për problemin në vetvete, pasi ai tashmë është i sqaruar dhe zhvillimet e fundit do të paraqiten nga ministri Gjana. Më shqetësuese se problemi i fermerëve që tashti është në rrugën e zgjidhjes, më duket se është niveli i opozitës, i dokumentuar nga reagimi i saj ndaj kësaj ndodhie. Le të përqendrohemi te faktet: një kompani e tregtimit të farave në Shqipëri, një ndër disa 20 a 30 të licencuarat, importoi farë misri që për fermerët e 2 qarqeve rezultoi të jetë difektoz e të prodhojë kallinj të pafrytshëm, të cilët disa kolegë të opozitës e gjetën të udhës t’i mblidhnin t’i sillnin në këtë sallë.    
Ministria  e Bujqësisë bëri ekzaminimet përkatëse, kontaktoi kompaninë shqiptare vendase, e cila bëri verifikimet me firmën grosiste franceze për farën e misrit që rezultoi me defekt gjenetik dhe më pas uli në tryezë palët kontraktuale, pra fermerët dhe kompaninë. Kompania pranoi përgjegjësitë për dëmin e shkaktuar fermerëve dhe të 2 palët ranë dakord për masën e zhdëmtimit. Këtë na e thonë edhe raportet zyrtare, por edhe emisionet e gati të gjitha televizioneve.
Nëse kjo nuk do të kishte ndodhur, ministria mund të kishte ndërhyrë dhe më tej fjalën e fundit si kudo në një shtet ligjor për çështje të kontratave mes privatëve fjalën e fundit do ta kishte gjykata. Megjithatë, fatmirësisht nuk ishte nevoja për këtë ndërhyrje, marrëveshja është arritur dhe fermerët janë të kënaqur.
Shqetësimi im ka të bëjë me propozimin e kryetarit socialist z. Edi Rama, i cili me gojën plot jo vetëm fajësoi si zakonisht qeverinë për defektin e farës së misrit, por kërkoi që qeveria të zhdëmtojë fermerët kalli për kalli, lek më lek; madje nuk u mjaftua me deklarate, por inicioi përmes 2 deputetëve juniore të grupit socialist një projektligj që kërkonte që nga fondet e buxhetit të shtetit, pra nga të hollat e taksapaguesve, t’u jepeshin fshatarëve të dëmtuar ato fonde të cilat tani po paguhen nga kompania private përgjegjëse. 
Janë lëshuar kritika të ndërsjella, akuza e kundërakuza dhe jo shpesh kemi hasur raste të papërgjegjshmërisë, të papjekurisë e mungesës së sensit të shtetit, të cilat kanë mbetur në stadin e deklaratave polemizuese. Por jo gjithmonë fjalët e gojës janë kthyer në projektligje të mbështetura fuqimisht, siç është rasti në fjalë i partisë nr.1 të opozitës, e cila po e çon marrëzinë deri në fund.
E quaj papjekuri dhe papërgjegjshmëri, sepse me propozime të tilla Edi Rama e kthen PS-në te politika që ndoqi me Suden e kompani në vitin 1996, kur personat dorëzuan lekët e tyre në një sportel privat dhe u nxitën t’i kërkojnë në sportelin e qeverisë.
E quaj papjekuri dhe papërgjegjshmëri, sepse me propozime të tilla Edi Rama po luan një rol keqedukues, pasi të gjithë biem dakord se shoqëria jonë ka shumë nevojë të kultivojë sensin e përgjegjësisë individuale për veprimet individuale dhe jo të mësohet të kërkojë përgjegjësinë e dështimit vend e pa vend tek palët e treta, qoftë kjo pale edhe shteti. Nuk shkon që për faj të veprimeve të gabuara, gjë që ndodh në jetë, t’i mësojmë njerëzit që menjëherë t’i varen shtetit në qafë.
E quaj papjekuri dhe papërgjegjshmëri, sepse me propozime të tilla Edi Rama do të jepte shenjën që kompanitë shitëse e fermerët klientë vitet e ardhshme të përmbyteshin me farë të keqe pa e vrarë shumë mendjen, sepse qartë e sigurt koston do e hiqte shteti, ndryshe tatimpaguesi.
E quaj papjekuri dhe papërgjegjshmëri, sepse me propozime të tilla Edi Rama do ta çojë Shqipërinë një hap më larg Evropës, një vit më larg statusit të kandidatit që synojmë, pasi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit në asnjë mënyrë nuk lejon që ndihma shtetërore të përdoret për favorizime në treg.
E quaj papjekuri dhe papërgjegjshmëri, sepse me propozime të tilla Edi Rama largon nga buxheti fonde të destinuara për rrugë, shkolla, ujësjellës, paga, pensione, për t’i çuar diku tjetër pa qenë nevoja, sepse këtë po e bën kompania përgjegjëse.
Ky propozim e bën qesharake forcën politike që e bart dhe unë i kuptoj fare mirë kolegët socialistë që kanë qenë në detyra qeveritare, të cilët nuk kanë dalë në përkrahje të kësaj nisme dhe kanë refuzuar të firmosin këtë projektligj të rumpallës politike. Ky populizëm ekstrem nuk e ka vendin në një parlament serioz; unë do të ftoja z.Rama ta tërheqin urgjentisht këtë projektligj, përndryshe ata do ta kenë të shkruar në ballë se janë krejt të paaftë për qeverisje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›