E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengu i 28 tetorit

Skënder Minxhozi 

Në mëngjesin e 28 tetorit të vitit 1940, ambasadori italian në Athinë i dorëzoi qeverisë së Metaksait ...kërkesën ultimative të Musolinit për kalimin e trupave italiane në territorin grek. Ky akt, i cili u pasua nga ajo që njihet gjerësisht si “Jo”-ja greke, shënoi fillimin e luftës italo-greke. Për pasojë data e mësipërme ka hyrë në historinë moderne të Greqisë si një moment historik i celebrimit të shpirtit të paepur grek, përballë një fuqie të madhe të kohës si Italia.
Por kjo datë ka sjellë, bashkë me shumë e shumë zhvillime të tjera në teatrin e luftës në Ballkan, edhe përfshirjen pasive të Shqipërisë në një konflikt të armatosur, i cili u zhvillua në një pjesë të madhe në territorin e saj. Lufta italo-greke nuk modeloi vetëm marrëdhëniet mes Romës dhe Athinës në atë kohë, por kushtëzoi në mënyrë të sforcuar e të pakuptimtë edhe pozicionin grek në vitet që pasuan, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një ligj lufte vazhdon të mbahet në këmbë mes Greqisë dhe Shqipërisë edhe në ditët tona, kur dy vendet kanë nënshkruar traktate miqësie dhe kanë vendosur lidhje, të cilat e përjashtojnë kryekëput mundësinë dhe vizionin e një lufte të mundshme mes palëve.
Gjithsesi, afrimi i datës 28 tetor sjell indirekt edhe një problem diplomatik që vijon të zvarritet mes dy kryeqyteteve, e që ka të bëjë me projektin e marrëveshjes së propozuar prej shumë muajsh nga pala greke, për hapjen e katër varrezave memoriale greke në jug të vendit tonë. Asnjë njoftim publik nuk figuron deri tani nga autoritetet tona zyrtare, lidhur me këtë negociatë, asnjë element nuk filtron nga zyrat e shtetit shqiptar për këtë projekt të mbarsur me simbolizëm dhe me diçka më tepër sesa vetë simbolizmi.
Shumëkush kujton sesi tre vjet më parë, në Kosinë të Përmetit për pak u shkaktua një incident i rëndë mes dy vendeve, kur në përpjekje për të gjetur eshtrat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke pranë Këlcyrës, u hapën dhe u dëmtuan varre të civilëve shqiptarë, burra, gra e fëmijë, të cilët s’kishin asnjë lidhje me konfliktin në fjalë. Në atë vend sot ngrihet një memorial grek i Luftës së Dytë Botërore, ndërsa incidenti vetë u arshivua si një “gabim teknik”.
Por puna nuk është kaq e thjeshtë. Oreksi i autoriteteve greke ka ardhur në rritje. Nëse i hedh një sy projektit që ata propozojnë tani, nuk do të jenë më një e dy, por plot katër memorialë ushtarësh që parashikohet të ngrihen nga zonat e minoritetit në Jug, e deri në Korçë. Nuk janë të rrallë ata që shohin pas kësaj iniciative, një tendencë të fshehur të palës greke, për të transmetuar idenë se në këtë hapësirë, që virtualisht i korrespondon hartës së atij që në fjalorin nacionalist grek njihet si “Vorio Epir”, grekët kanë luftuar dhe kanë derdhur gjak. Simbolika është e qartë. Aq e qartë saqë tani qeveria shqiptare, e ndodhur përballë një propozimi të tillë, e ka të vështirë ta pranojë atë dhe po mundohet ta shtyjë sa të mundet finalizimin e një marrëveshjeje të tillë.
Por sërish gjithçka do të kishte qenë më e lehtë dhe e thjeshtë, nëse haraçin e kësaj afere nuk do të rrezikonte ta paguante procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Duket absurde dhe pa lidhje, por është vërtetë kështu. Sepse pala greke e ka bërë tashmë të qartë, gjatë një vizite të para do muajve në Tiranë, të zv.ministrit të Jashtëm, Kasimis, se nuk do ta kalojë për ratifikim në Parlament Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që Shqipëria ka nënshkruar me Brukselin. Duke e motivuar këtë gjest me praninë në Parlament të disa partive që e kanë shumë për zemër projektin e varrezave greke në jug të Shqipërisë, Athina zyrtare ka vënë kështu një veto të padukshme mbi MSA-në tonë. Diçka e ngjashme, në rrethana dhe në një kontekst tjetër, me bllokimin që ajo i bën hyrjes së Maqedonisë në NATO për shkak të problemit të emrit të saj.
Një impas i tillë reflekton jo vetëm një qëndrim të dhunshëm grek ndaj Shqipërisë, por edhe një politikë totalisht kapitulluese dhe të nënshtruar të Tiranës zyrtare ndaj palës greke. Se çfarë lidhjeje mund të ketë një marrëveshje standard, të cilën e kanë ratifikuar deri tani edhe parlamentet e vendeve Balltike, me disa varreza ushtarësh të Luftës së Dytë Botërore, këtë mund ta shpjegojë vetëm qeveria greke. Por nga ana tjetër, duket i pakuptimtë dhe i pangjyrë, pozicioni inferior që ka diplomacia jonë ndaj kësaj çështjeje, ku e shkuara ka marrë peng të ardhmen. Dhe ku luhet diçka më shumë sesa ajo që duket mbi sipërfaqen rozë të marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›