E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një ditë makinat zëvendësohen me biçikletat

 

Qytetarët e Tiranës iu bashkuan dje paradite ecjes me biçikleta dhe patina përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Aktiviteti i organizuar nga Komiteti Olimpik Shqiptar, erdhi në kuadër Ditës Ndërkombëtare pa Makina. Protagonistë të këtij aktiviteti që nisi që në mëngjes, nën sloganin “Në qytet pa makinën time’, ishin nxënësit e 20 shkollave të kryeqytetit. Ata apeluan për përdorimin e transportit urban dhe mjeteve të tjera fizike.       Dita Ndërkombëtare pa Makina synon sensibilizimin e opinionit publik, që të zvogëlojnë përdorimin e makinave dhe të nxisin më shumë përdorimin e transportit publik, apo mjeteve të tjera të lëvizjes. Përdorimi i tyre, jo vetëm që është i dobishëm për shëndetin, por ndikon dhe në ruajtjen më të pastër të mjedisit. Kjo ditë është një thirrje, një kujtesë për dëmet e mëdha që sjellin gazrat e çliruara nga lëndët djegëse, në shëndetin e individit dhe ngrohjen globale. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, nga përdorimi i shumtë i automjeteve, në Tiranë shkarkohen në ajër mijëra tonë pluhur me një përqendrim tepër të lartë të grimcave të imta vdekjeprurëse (PM 10), sasia më e madhe e të cilave vjen nga shkarkimet e makinave dhe kryesisht nga automjetet e vjetra me motor diezel.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›