E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers: “Kriza të zgjidhet në Parlament”

Autori i Lajmit: Redaksia

Ambasadori i ShBA, Xhon Uidhers, ka bërë një deklaratë për situatën politike në Shqipëri, para nisjes së seancës së Kuvendit. Diplomati amerikan deklaron se ka ndjekur me vëmendje diskutimet e bëra në Parlamentin shqiptar, por shpreh keqardhjen që këto diskutime nuk kanë mundur ta zgjidhin krizën. Duke u bërë thirrje palëve politike të vazhdojnë diskutimet në Parlament, Uidhers thekson se kriza zgjidhet me kompromis mes palëve. “Kemi ndjekur me kujdes diskutimet në Parlament mbi situatën politike shqiptare. Shprehim keqardhjen që deri më sot nuk është arritur asnjë zgjidhje për krizën e tanishme. Nxisim të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë brenda Parlamentit për të zgjidhur dallimet që kanë me anë të dialogut dhe kompromisit. Toni i diskutimeve duhet të përqendrohet mbi gjetjen e pikave të përbashkëta dhe jo mbi arritjet partiake”, – deklaron ambasadori i SHBA. Po ashtu, ambasadori Uidhers ka theksuar se sesioni i gjatë parlamentar i 18-19 marsit ishte i padobishëm, pasi nuk u arrit marrëveshja mes palëve. Sipas tij, këto nuk janë vetëm shqetësimet e tij, por edhe të gjithë ambasadorëve të tjerë të huaj në Shqipëri. “Ndajmë shqetësimet e kolegëve tanë të OSBE-së dhe BE-së që sesioni plenar i 18-19 marsit ishte i padobishëm. Veprimet e njëanshme, nga cilado palë, nuk mund as të zgjidhin ngërçin aktual dhe as të çojnë përpara axhendën euroatlantike të vendit”, – përfundon Uidhers.

Ky lajm është publikuar: 26/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›