E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Forca e zakonit” dhe “Antigona...” mbyllin sezonin



P. GROSI
Dy janë premierat që do të mbyllin sezonin për Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe që pritet t’i shohim në skenë brenda këtij muaji; komedia austriake “Forca e zakonit” dhe drama shqiptare “Antigona kërkon të atin”. Siç pohojnë burimet tona nga Teatri Kombëtar, këto pjesë që ngjiten brenda muajit qershor në skenën e TK-së, do të jenë dy premierat që mbyllin gjysmën e parë të sezonit artistik të këtij viti për këtë institucion. Sa u takon pemierave, shfaqja e titulluar “Forca e zakonit” e autorit Thomas Bernhard, do të vihet në skenë më 20 qershor, me regji të artistit austriak Chris Papke, përkthim në shqip nga Jonila Godole dhe interpretim të aktorëve të zgjedhur shqiptarë e austriakë. Disa nga aktorët që do të luajnë në rolet përkatëse janë Vasjan Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Sueda Hoxha dhe Elton Çefa. Shfaqja nuk do të jetë vetëm aktrim i mirëfilltë, por vjen e shoqëruar edhe me pjesë koreografike që do të interpretohen nga dy balerinë. “Fuqia e zakonit” është një
metaforë për eksperiencën njerëzore, për trullosjen e mendjes nga mërzia dhe nga rutina e së përditshmes. Subjekti është në fakt, historia e një drejtuesi cirku dhe përpjekja e tij për të ngritur një orkestër... Ndërkaq, premiera tjetër që do të shfaqet në fund të qershorit është një dramë shqiptare, e cila mban firmën e regjisorit të njohur Mihallaq Luarasi. “Antigona kërkon të atin” titullohet drama më e re që i propozohet publikut shqiptar nga Teatri Kombëtar në Tiranë dhe që mbyll pjesën e parë të sezonit artistik të TK-së për vitin 2009. Aktorët e zgjedhur për këtë premierë janë profesionistë me përvojë si Edi Luarasi, Fatos Sela e Ahmet Pasha, sikundër edhe më të rinj; Ina Gjonçi, Gjergji Mena etj. Subjekti trajton dramën sociale të një vajze, e cila vendos të fillojë kërkimet për të gjetur eshtrat e të atit, të pushkatuar gjatë komunizmit. Ndihma e vetme për vajzën është një nga ushtarët që ka qenë pjesë e skuadronit të pushkatimit. Konflikti arrin majat kur ky ushtar i pafajshëm është i vetmi që e ndien fajin për ekzekutimit të babait të vajzës, ndërkohë që për këtë gjë duhet të përgjigjen moralisht dhe ligjërisht eprorët e tij, të cilët urdhëruan pushkatimin e një të pafajshmi. Është një histori tek e cila mund ta gjejnë veten pse jo, mijëra shqiptarë që janë ndarë barbarisht nga të dashurit e tyre në kohën e regjimit komunist dhe që ende nuk e dijnë se ku prehen eshtrat e baballarëve, nënave, djemve e vajzave, bijve e bijave të tyre, të pushkatuar pa gjyq dhe të varrosur pa asnjë nderim në varre anonime masive.

Triptiku i Puçinit në Akademinë e Arteve

Triptiku i Puçinit është ngjitur këto ditë në skenën e Akademisë së Arteve në kryeqytet, ndërkohë që sot do të jetë shfaqja e fundit e kësaj pjese. Protagonistë janë studentët e Arteve, të cilët realizojnë një nga tri aktet e operas siç është “Suor Anxhelika”. Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e Dritan Lumshit, studentët e viteve të treta dhe të katërta e kanë risjellë këtë vepër sërish në skenën shqiptare. E interpretuar nga studentet e arteve, “Suor Anxhelika” ngjitet në skenën shqiptare për të dytën herë këtë vit pas shfaqjes së parë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit nga interpretues profesionistë. Veçantia e kësaj rivënieje qëndron në përfaqësimin e të gjitha personazheve vetëm nga zërat femërorë. Studentet që interpretojnë në role janë Klodiana Laze, Alikejda Qirko, Ardita Meni dhe Lira Milla.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›