Plazhi i Currilave nuk duhet frekuentuar, niveli i ndotjes shumë i lartë
Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës ka përjashtuar cdo mundësi për frekuentimin nga pushues të plazhit në Currila. Drejtoresha Lida Boshku vetëm disa ditë më parë i ka dërguar prefekturës së Durrësit një shkresë të detajuar lidhur me gjendjen higjieno-sanitare të plazheve përgjatë bregdetit të gjirit të Durrësit dhe plazhet e tjera nën juridiksionin e kësaj prefekture. Shkresa e autoriteteve të shëndetësisë vjen në një kohë kur vet prefektura me shkresë të datës 4.4.2009 dhe 4.5.2009 kërkon informacion të detajuar për situatën në bregdet lidhur me anën pastërtisë së ujit e të rërës.
Inspektorati sanitar, sipas Boshkut, ka përshkuar të gjitha plazhet e prefekturës në gjatësinë 61.8 km dhe është përqendruar në analizat e ujit të detit, rërës dhe ujit të pijshëm kryesisht në atë vijë bregdetare, e cila është tejet e frekuentuar ne sezonin e verës. Drejtoresha e Shëndetit Publik, Lida Boshku, ka theksuar se plazhi i Currilave nuk mund të frekuentohet këtë vit nga pushues. "Nisur nga analizat në laborator lidhur me nivelin e ndotjes së ujit e të rërës ne i kemi bërë të ditur prefekturës së plazhi në Currila është rreptësishtë i ndaluar për larje, pasi ka nivel shumë të lartë ndotjeje",-ka thënë Boshku. Sipas raportit të saj, në këtë pjesë perëndimore të qytetit të Durrësit dhe në rreze të kodrës së qytetit vërehet mungesë e theksuar e infrastrukturës dhe se plazhi i vogël i frekuentuar tradicionalisht nga vendësit nuk plotëson asnjë kusht higjieno-sanitar. "Plazhi në Currila është i kërcënuar pasi tashmë nuk ka më asnjë metër katror rërë dhe në det jo vetëm janë hedhur mbetje inerte, por edhe derdhen ujërat e zeza të jo më pak se 280 banorëve të lagjes së Currilave",-ka vijuar me arsyetimet e saj drejtoresha e Shëndetit Publik Lida Boshku. Sipas Boshkut, ndotja e madhe është pasojë e mungesës së kanalizimeve, dëmtimit të masivit të gjelbër, pushtimit të rërës nga gurët e betoni.Në informacionin dërguar prefekturës së Durrësit, në të cilën theksohet se bashkia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të shmangur infeksionin dhe rrezikun e ndonjë epidemie, relatohet se në këtë zonë ka pellgje të mëdha me ujëra të zeza dhe se ujërat e larta derdhen drejt e në det. Por Boshku ka paralajmëruar me anë të kësaj shkrese edhe pushuesit që kanë vendosur të qëndrojnë në plazhin e madh, në shëtitoren "Taulantia", Porto Romano, sektorin Rinia, në Hamallaj, Rrushkull, tek Gjiri i Lalësit e Gjirin e Rodonit. Sipas doktoreshës Lida Boshku, në pjesën më të madhe të këtyre plazheve të vogla mungon uji i rrjedhshëm, nuk ka sistem të kanalizimeve dhe se në lokalet e shërbimit nuk ka higjienë cilësore. Në fakt ky problem i ndotjes së plazheve është i pranishëm në të gjithë vendin tonë. Kjo gjë ka ardhur si rezultat i moskujdesjes së instancave përgjegjëse për këtë gjë. Ky problem është evidentuar në çdo sezon veror ku normalist plazhet frekuentohen nga pushues të shumë jo vetëm vendas por edhe ato jashtë kufijve. Si shkak i ndotjes mbi normalen i zonave bregdetare shumë nga pushuesit kanë pasur probleme të shumta. Për çdo vit sipas specialistëve infeksionit kanë qenë të shumta rastet kur pushuesit pasi kanë mbaruar plazhin apo edhe gjatë pushimeve kanë marrë infeksione të shumta sidomos infeksionet e lëkurës vetëm për shkak të ndotjes së plazheve mbi normat e lejuara.