E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miss-et takojnë jurinë

27/06/2009  Të enjten në mbrëmje, 31 vajzat e përzgjedhura për edicionin e 11-të të “Miss Shqipëria” kanë bërë prezantimin e parë përpara jurisë. Të veshura me fustanet e tyre të mbrëmjes dhe të grimuara lehtë, bukuroshet e mbledhura nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosova e Mali i Zi kanë prezantuar veten, origjinën e tyre, qëllimet që kanë në jetë, por edhe rrugët që presin t’u hapen nga një konkurs i tillë bukurie. Juria pati mundësinë t’u drejtonte pyetje konkurrenteve për kurorën e më të bukurës së trojeve shqiptare në lidhje me shkollimin e tyre dhe dëshirat për të ardhmen. Në këtë pikë bashkëbisedimi ka qenë më i gjatë dhe larmia e përgjigjeve mbresëlënëse. Shumë prej vajzave shprehën dëshirën për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, disa të tjera së ëndërronin të bëheshin pjesë e botës së modës. Dikush tha se kurora e “Miss Shqipërisë” në gjithë këto vite ka sjellë përpara publikut vlerat më të mira të karakterit, virtytit dhe besimit, ndaj vetëm pjesëmarrja në këtë event ishte një eksperiencë e ëndërruar në jetën e tyre. Megjithatë, të 31 bukuroshet kanë dëshmuar se fshehin një dëshirë të përbashkët, një ëndërr të madhe: Kurorën e “Miss Shqipëria 2009”. Kjo, jo vetëm sepse kështu bëhen të famshme, por edhe sepse falë kësaj kurore mund të ndikojnë në sensibilizimin e shoqërisë, të paqes e tërheqjen e vëmendjes ndaj femrave, të cilat dinë të jenë dinjitoze në shoqëri. Sidoqoftë secila prej tyre shprehu besimin në këtë konkurs bukurie dhe disa prej tyre u shprehën se pavarësisht se cilët do të jenë profesionet e tyre të ardhshme, “Miss Shqipëria” ishte dhe do të mbetej një gjë e rrallë në eksperiencën e tyre jetësore. Ka përfunduar kështu ky takim i parë, pas së cilit anëtarët e jurisë nuk i fshehën opinionet e tyre: Misset në këtë mbrëmje ishin më të vërteta se kurrë, krahasuar me distancën që krijohet kur ato ngjiten në skenë. Sidoqoftë fjalën e fundit anëtarët e jurisë, njerëz të njohur nga bota e artit, letrave, medias e biznesit do ta thonë mbrëmjen e 1 korrikut në Durrës, ku “Miss Shqipëria” ndalet për të dytën herë. Në këtë edicion konkurrentet për kurorën e më të bukurës së trojeve shqiptare sivjet i kanë anashkaluar të gjitha etapat e zakonshme për një spektakël të tillë. Kësaj here organizatorët nuk kanë pritur mbarimin e ditëve, përgjatë të cilave realizohen setet fotografikë e as mësimet e para të koreografes Kozeta Bakiu për të ecur bukur në skenë. Producenti Petri Bozo ka menduar një tjetër strategji: Drejt e në protagonizëm. Pas fazës së seleksionimit vajzat e kanë gjetur veten mbi pasarela, qofshin ato edhe të improvizuara në disa nga baret e njohura të kryeqytetit, edhe buzë Adriatikut ku ka qenë stacioni i radhës i “Miss Shqipëria”. Ka nisur kështu ky edicion, që këtë qershor feston ditëlindjen e 11-të. Bozo ka lënë pas Kalanë e Prezës dhe këtë vit është vendosur në Durrës. Një rikthim i tij aty, meqë kjo do të jetë hera e dytë që një bukuroshe merr kurorën e “Miss Shqipërisë” në qytetin bregdetar. Konkursi do të prezantojë këtë vit 31 vajza të ardhura nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosova, Mali i Zi dhe vende të tjera perëndimore ku jetojnë prej vitesh. Siç thotë, Bozo surpriza e këtij spektakli do të jenë vetë konkurrentet. Sepse si kurrë ndonjëherë këtë vit janë prezantuar shumë konkurrente nga Veriu i Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›