E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në “gjurmë” të arkeologjisë së humbur

29/06/2009  Mungesa e objekteve me vlera arkeologjike dhe kulturore dhe “humbja” e tyre e menjëhershme duket se nuk përbën diçka të re për vendin tonë, nëse fokusohemi pas viteve ‘90-të. Janë me mijëra këto objekte të deklaruara të humbura, shumica prej të cilave ka marrë udhët e botës. Pjesa dërrmuese e tyre nuk janë kthyer. Vetëm sipas katalogut të humbjeve në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore në Tiranë këto objekte të deklaruara të humbura kapin shifrën 2030. Por ndërkohë numri i tyre është pa frikë disa herë më i madh, vetëm se këto humbje (apo vjedhje) nuk janë deklaruar. Sipas shefit të sektorit të katalogimit në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Dervish Zaimi, katalogu i humbjeve që përfshin gjithë objektet e deklaruar si të humbur nga institucionet, muzetë, galeritë e artit, etj., numëron deklarime nga 24 institucione. “Këto humbje i përkasin më së shumti periudhës së viteve ‘91 dhe ‘97. Pjesa dërrmuese e objekteve kanë humbur para 2000-it dhe janë 1875 objekte të tilla. Ndërsa pas 2000-it kanë humbur 155 objekte”, nënvizon Zaimi. Siç vërehet dhe nga të dhënat, pjesa dërrmuese e objekteve të humbur i përkasin Muzeut Historik të Matit. Ky është një muze i shkatërruar me objekte tërësisht të humbur që kapin numrin 513. Por edhe muzetë të tjerë, si ai i Gjirokastrës apo i Tepelenës e kështu me radhë nuk janë në gjendje të mirë.

Humbjet pas 2000-it

Pas vitit 2000 vërehet një numër më i vogël i objekteve të humbur. Çuditërisht një nga institucionet ku kanë “humbur” më shumë objekte me vlera është Instituti i Kulturës Popullore. Janë plot 129 objekte të fondit të IKP-së, të dalë nga inventari në vitin 2006 e që kapin një vlerë qesharake monetare, rreth 109 mijë lekë. Pikërisht këtu duhet parë edhe një pikë kyçe për zgjidhjen e problemit: te rivlerësimi i këtyre objekteve të trashëgimisë, që vazhdojnë ende të kenë të njëjtin çmim si në periudhën e komunizmit. Rrjedhimisht kjo sjell edhe një mungesë përgjegjshmërie te punonjësit që kanë në varësi objektet. “Mosvlerësimi monetar i objekteve muzeale bën që punonjësit të mos tregojnë interes. Po ashtu pak interes tregojnë edhe organet e pushtetit vendor. Në disa vende ka edhe mungesë dokumentacioni. Abuzohet në inventar dhe nuk ruhen regjistrat themeltarë të objekteve”, vijëzon specialisti i QKIPK-së, Zaimi, i cili megjithatë nuk ngurron të sjellë dhe kundërshembuj për të treguar se kur ka përgjegjshmëri dhe dëshirë të mirë, objektet nuk humbasin dhe ruhen më së miri. Model në këtë drejtim, sipas tij, janë Kolonja, Lezha, Tepelena, Vlora, Lushnja. Por problemi ashtu si mund të kuptohet afërmendsh nuk shtrihet vetëm në muzeume, por edhe në galeri arti. Kështu edhe pse ka galeri që i kanë ruajtur mirë këto objekte, si ajo e Korçës, ka galeri që janë vjedhur komplet, si galeria e artit në Berat, apo në Pogradec. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Pallatet e Kulturës dhe kostumet që ata dispononin. Sot, pallati i Kulturës në Burrel nuk ka asnjë kostum popullor.

Ambientet e munguara

“Ngërç” tjetër është se në disa raste edhe pse shumë objekte, nuk ka vend ku ato të ruhen dhe nuk ekzistojnë muzetë përkatëse. Me këtë problem haset Lezha (pa muze), apo Shkodra, e cila i ruan objektet në fond dhe nuk i ekspozon për mungesë të hapësirës. Elbasani gjithashtu nuk ka fare muze. Ai u prish në kohën e trazirave të ‘97-s. Ndërsa në Sarandë vetëm tani ka filluar ringritja e muzeut me rikonstruksionin e godinës dhe objektet e mbledhura rishtas arrijnë në 200. Krejt i shkatërruar është edhe muzeu i Bajram Currit. Përballë këtyre humbjeve, pyetja që shtrohet është nëse do të mundet ndonjëherë që këto objekte të kthehen?! (duke menduar se do të ketë më tepër përgjegjësi për ruajtjen e pjesës së monumenteve brenda institucioneve apo muzeve). “Kemi bërë shkresë për objektet e humbura në të gjithë rrethet, por ka shumë vështirësi në gjetjen e tyre, pasi ka mungesë fotosh”, shpjegon Zaimi. Një “dritë jeshile” lidhet me kthimin e disa objekteve të humbura nga Instituti i Kulturës Popullore, për shkak se janë sjellë disa foto prej tyre.

Lista e objekteve të humbura (vjedhura) arkeologjike dhe etnografike të institucioneve në vartësi të Qendrës së Studimeve Albanologjike

Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Artit (ish Instituti I Kulturës Popullore) - 248 objekte

Muzeu Arkeologjik Tiranë- 85 objekte

Muzeu Arkeologjik Durrës- 57 objekte

Muzeu Arkeologjik i Apolonisë- 29 objekte

Muzeu Arkeologjik i Butrintit- 2 objekte

Gjithsej- 421 objekte (arkeologji dhe etnografi)

Deri para vitit 2003 kanë qenë 10 objekte. Janë kthyer 7 objekte dhe së fundi dhe koka e Zeusit, Ascleptus.

Lista e objekteve të humbura

Dega e Monumenteve të Kulturës, Berat - 11 objekte

Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë - 2 objekte

Muzeu Historik, Kolonjë- 34 objekte

Muzeu Historik, Fier- 1 objekt

Muzeu Historik, Gramsh- 21 objekte

Muzeu Historik, Lushnjë- 4 objekte

Muzeu Historik, Shkodër- 30 objekte

Muzeu Historik, Tepelenë- 147 objekte

Muzeu Etnografik, Vlorë- 8 objekte

Muzeu Arkeologjik, Durrës- 57 objekte

Muzeu I Armëve, Gjirokastër- 163 objekte

Muzeu Etnografik, Gjirokastër- 373 objekte

Muzeu Historik, Librazhd- 42 objekte

Muzeu Historik, Mat- 513 objekte

Muzeu Historik, Peshkopi- 11 objekte

Muzeu Historik, Pogradec- 87 objekte

Muzeu Arkeologjik, Tiranë- 85 objekte

Instituti I Kulturës Popullore, Tiranë- 248 objekte

Muzeu Historik, Vlorë- 10 objekte

Muzeu Arkeologjik, Apoloni- 29 objekte

Muzeu Etnografik, Elbasan- 35 objekte

Dega e Monumenteve Gjirokastër- 18 objekte

Galeria e Arteve, Berat- 7 objekte

Muzeu Etnografik, Vlorë- 8 objekte

Objekte të kthyera

(Arkeologji, skulptura. Të gjitha në posedimin e Muzeut Arkeologjik të Butrintit)

Portreti i Herkulianës

Portret vajze

Portreti i Agripës (Germanikut)

Shtat Artemisi

Shtat djali (Apoloni)

Statujë vajze

Pa kokë (Afërdita?)

Koka e Zeusit të Ascleptus

Portreti i Livias

Është në proces, edhe pse ende nuk është gjetur një statujë vajze e zbuluar në Finiq, vjedhur më 2002-in. Nga shtypi grek ka të dhëna se është ekspozuar në Janinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›