Misteri, 17-vjeçarja var veten në prag të dasmës
Durrës
Kristina Hashiku ndodhej në banesë me gjyshen, kur ka vendosur të vetëflijohet

Policia ne Durres, foto ilustruese
Në prag të dasmës, një 17-vjeçare gjendet e varur në Sukth, ndërkohë që askush nuk di të shpjegojë arsyet pse ajo ka kryer një veprim të tillë. Burime policore bënë të ditur se ka qenë gjyshja që e ka gjetur të varur në banesën e saj shtetasen Kristina Hashiku, 17 vjeçe, me banim në Sukth të Durrësit. Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor që po kryen veprimet e para, nga të cilat rezulton se është fjala për një vetëvrasje, por ende nuk janë zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivi që e shtyu vajzën drejt këtij akti fatal. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, në kohën kur 17-vjeçarja ka realizuar varjen, prindërit nuk ndodheshin në shtëpi dhe ajo ishte vetëm me gjyshen. Burimet thanë më tej për gazetën se vajza ishte e fejuar dhe pas pak javësh do të martohej, pasi ishte prerë dita e dasmës. Familjarët e saj, por edhe ata të fejuarit janë shokuar nga kjo tragjedi në prag të dasmës, që është dukur e pakuptimtë. Në pyetje për të zbardhur motivin që e shtyu 17-vjeçaren Hashiku drejt këtij akti janë marrë të gjithë familjarët e saj, por ende nuk është gjetur ndonjë shkak që ta ketë tronditur aq fort viktimën sa të kryejë vetëvrasje. Nga dëshmitë e siguruara nuk është mësuar që ajo të ketë pasur ndonjë grindje me të fejuarin apo me të afërm të tjerë, gjë që e bën edhe më të mistershme vdekjen e saj. Ndërkohë, hetimet do të vijojnë për të zbuluar nëse vajza u vetëvar mbase për të mos shkuar drejt një martese, që nuk e dëshironte ose së cilës i druhej, nuk dihet se për çfarë arsye; mbase një zënkë e fortë me të fejuarin, por që nuk e ka ndarë me askënd dhe e ka zhytur në një gjendje të rëndë psikike. Por, këto mbeten në kuadrin e dyshimeve të policisë dhe asnjë prej tyre nuk është vërtetuar ende. Hetimet lidhur me ngjarjen vijojnë, përfshirë dhe shkaktimin e vetëvrasjes, ndërsa familja Hashiku ka çelur dyert e mortit, pa mundur të nxjerrë nuse vajzën në prag martese. Policia tha se pasi ti jepet lamtumira, grupi hetimor do të kontaktojë sërish me familjarët, me qëllim për të pyetur nëse ka lënë ndonjë shënim për aktin e vetëflijimit. V. Qyrfyçi
Misteri, 17-vjeçarja var veten në prag të dasmës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip