E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vila superluksoze e qeverisë në dietë

Gazeta Shqip

Top Channel zbulon pamjet e rezidencës qeveritare nr.1 në Vlorë. Mobilim 500 milionë lekë

Top Channel ka siguruar pamjet ekskluzive të së ashtuquajturës Vila 1 në Vlorë, rezidencë qeveritare e rikonstruktuar së fundmi nga qeveria në një shifër të përafërt me gjysmë miliardi lekë.

Kjo rezidencë, që ndodhet pak pasi kalohet tuneli i Vlorës, ka qenë në qendër të debateve të shumta si pasojë e vlerës së mobilimit të saj, aq më tepër në kushtet e krizës ekonomike që ka detyruar qeverinë të bëjë jo pak herë edhe shkurtime të investimeve të parashikuara në disa sektorë prioritarë për vendin.

Kolltukët e rinj janë ende në qese, ashtu siç është llambadari që dallohet në krye të dhomës. Edhe në dhomat e tjera mund të dallohen mobiliet ende të papërdorura. Poltrona në qese, tavolina të reja dhe mobilie të tjera luksoze.

Më tej një sallë mbledhjesh me një tryezë të gjatë dhe karrige lëkure, edhe këto të reja. Gjatë korridoreve mund të shihen pasqyra të mëdha të punuara.

Diku dallohet bari, kuzhina e madhe edhe këtu me pajisje të gjitha në qese, por edhe pishina buzë detit. Një mobilim i parashikuar për një objekt të nivelit të lartë elitar në rrymën neoklasike-moderne, që do të përdoret nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha.

Sipas preventivit, për shembull kati përdhes, duhet të ketë kolltukë dhe poltrona me skelet konstruktiv, material drusor, apo metalik dhe veshja e jashtme tapiceri kadife, veluto 100%, Viscosa tessuto alcantara origjinale, teknologji unike dhe pa tentativa imitacioni.

Kolltukët e tipit Cester me të njëjtin material si më sipër. Karriget të tipave të ndryshëm, të veshura me lëkurë 100-për qind, apo lëkurë ekologjike. Tavolinat qendrore të katër tipave të ndryshëm. Në ambientin e ngrënies së parë, tavolina me material drusor e me linja egzagonale.

Pasqyrat dekorative jo të thjeshta, por fluide me filtër, me korniza neoklasike të dekoruara druri, me lyerje argentato, me lëkurë Croko, apo material Alcantara.

Perdet dhe kornizat mantovane, televizorët flat screen të një niveli shumë cilësor, telefonat të një niveli profesional me disa linja. Vila, sipas preventivit, duhet të ketë edhe apartamentet elitare si dhe apartamentin suitë.

Krevatet të punuara me material të kombinuar druri masiv, me ndërhyrje tamburato grexo, të veshur me tapiceri Alcantara, kadife origjinale, një model specifik në dhomën e parë martesore në apartamentin kryesor.

Dyshekët cilësi tepër e lartë, me spesor minimalisht 22 cm deri në 18 cm. Përbërja me fibra analergjike dhe rregullues temperature. Veshja e jashtme me fibra izoluese. Dyshekët duhet të jenë anatomikë dhe anti-dekubitues.

Gjithashtu, ka dalje në tarracë, kati nëntokë, pishinë dimërore me bar të hapur. Godinë shërbimi me 7 apartamente personeli. Në preventiv parashikoheshin edhe se dyshekët dopio në ambientet e katit të parë do të jenë në dimensionet king size.

Setet e çarçafëve materiale të veçanta, si dhe tapetet prodhim afgan dhe iranian, të punuara në materiale mëndafshi dhe leshi 100 për qind, tapete me punime dore të natyrës klasike.

E gjithë kjo, sipas preventivit, duhet të ketë kapur shifrën e gjysmë miliard lekëve, duke i dhënë pamjen e një godine të fjalës së fundit të luksit.

Vila superluksoze e qeverisë në dietë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›