Policia i pushoi hetimet e rrëmbimit, që solli vrasjen
Maj 2012
Familja: Vajzën na e ka rrëmbyer miku
Në fund të muajit maj të këtij viti, Beqir Visha kallëzoi penalisht në polici rrëmbimin e vajzës 18-vjeçare për prostitucion nga Fiqiri Muça, i cili njihej si person me borxhe në banka dhe në fajde, pasi sipas tyre, do ta trafikonte në Kosovë
Qershor 2012
Policia: Vajza u largua me dëshirën e saj
Në fillim të muajit qershor të këtij viti, Policia e Burrelit deklaroi se Nazime Visha ishte gjetur dhe në deklaratën e saj është shprehur se është larguar me dëshirën e saj. Kaq mjaftoi për ta që çështjen për denoncimin nga babai i saj ta pushonin.
Vajza dha deklaratë të rreme, pasi ishte nën kërcënim
Nëse çështja e rrëmbimit të Nazime Vishës nga Fiqiri Muça do të ishte hetuar sado pak nga strukturat e policisë, ose ajo do të ishte pyetur me psikolog, ndoshta sot ajo nuk do të cilësohej vrasëse dhe 45-vjeçari nuk do të ishte viktimë. Për specialistët e policisë, ngjarja e djeshme ishte një vrasje e paralajmëruar, por askush nuk kishte bërë ndonjë veprim për ta parandaluar. Por, më i rëndë mbetet fakti i deklaratës së lëshuar zyrtarisht nga Policia e Tiranës se viktima është ish-bashkëjetuesi i adoleshentes dhe se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.
Analiza e fakteve vjen e bazuar në denoncimet e bëra nga babai i Nazimes, Beqir Visha, i cili në kohën e rrëmbimit deklaroi se kishte denoncuar në Komisariatin e Burrelit dhe në Komisariatin nr. 4 në Tiranë. Gjatë një apeli që bënte në media, Beqir Visha deklaroi në fund të muajit maj se ka denoncuar zhdukjen e vajzës në dy komisariatet përkatëse dhe dyshonte se atë e kishte rrëmbyer Fiqiri Muça. Madje, ai shpjegoi në atë kohë se Fiqiriu ishte babai i pesë fëmijëve dhe se kishte shumë borxhe, kështu që vajzën mund ta trafikonte në Kosovë. Menjëherë, policia nisi kërkimet, por nuk mundi të gjejë vajzën e rrëmbyer, derisa ajo u kthye vetë. Ajo ishte mbajtur për 11 ditë në pyll, por që policia nuk arriti ta zbërthejë dhe ajo të tregonte të vërtetën. Sipas të dhënave, ashtu siç vajza ka deklaruar pas arrestimit në polici, ai e kishte kërcënuar se do ti vriste vëllezërit, nëse nuk deklaronte në polici se kishte ikur me dëshirën e saj. E pikërisht në Komisariatin e Burrelit, në atë kohë, ajo bëri pikërisht atë deklaratë e më pas, u kthye në banesë. Prindërit u habitën, ndërkohë që komisariatet përkatëse deleguan dokumentet te njëri-tjetri dhe u mjaftuan me këtë dëshmi, duke e mbyllur çështjen.
Por, edhe pas mbylljes së këtij hetimi, kërcënimet vazhdonin. Madje, ato nuk ishin vetëm ndaj 18-vjeçares, por edhe babait të saj. Ai ka treguar pas arrestimit të vajzës se familja Muça e ka kërcënuar me mesazhe. Ai tregon se i ka të ruajtura mesazhet dhe që vajza e tij ka pasur të drejtë. Sipas tij, ajo nuk ka dashur të shkojë me Fiqiri Muçën, por e ndjerë e kërcënuar dhe e pambrojtur, ka vendosur të heshtë, duke u hapur vetëm me nusen e xhaxhait të saj. Madje, Beqir Visha ka vijuar më tej, duke deklaruar që nuk do tia falë kurrë këtë familjes Muça, e duke kërcënuar se nuk do të ndahen me kaq. Ndërsa vetë vajza ka treguar në polici gjithë makthin e përjetuar që nga momenti i parë i njohjes me Fiqiri Muçën e deri te problemet që ai i kishte sjellë me të fejuarin. Madje, ajo ka treguar se i fejuari e kishte falur pas rrëmbimit, por Fiqiri Muça kërkonte ta trafikonte në Kosovë, mendim të cilin ia kishte shprehur më parë, me qëllim që të shlyente borxhet e shumta që kishte, e më pas i kishte thënë se do ta merrte për nuse. Por, policia e kryeqytetit, motivet e këtij krimi duket se i ka parë ndryshe. Në deklaratën për shtyp, Policia e Tiranës u shpreh që grupi hetimor, pas verifikimeve të kryera, doli në konkluzionin se autorja e dyshuar e këtij krimi është 18-vjeçarja Nazime Visha, e cila pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri automatike 45-vjeçarin Fiqiri Muça, ish-bashkëjetuesin e saj, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ble. Gi.
Absurditeti
Policia tha se, pas verifikimeve të kryera rezulton se 18-vjeçarja Nazime Visha, pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri ish-bashkëjetuesin e saj
E arrestuara
Dëshmia - Nazime Visha ka treguar në polici të gjithë makthin e përjetuar që prej katër vitesh nga vëllai i burrit të motrës, Fiqiri Muça
Përdhunimi - Sipas 18-vjeçares së arrestuar, në momentin e rrëmbimit, ajo është përdhunuar dhe kërcënuar për 11 ditë që të mos tregojë asgjë
Automatiku - Për vrasjen e Muçës, vajza ka pranuar se e kishte kryer vetë, ndërkohë që nuk ka treguar se ku e kishte gjetur armën e krimit
Policia i pushoi hetimet e rrëmbimit, që solli vrasjen burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip