Vrasja për varësen
Shoqërohen tre shokë të 20-vjeçarit
Policët, 20 orë në ditë në terren: Shefat na japin urdhër nga zyrat me ajër të kondicionuar
Tre persona të dyshuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e Fatbardha Tafës dhe me njohje me të arrestuarin Aldo Hoxha janë shoqëruar nga policia e kryeqytetit, ndërkohë që sot, 20-vjeçari pritet të dalë para togave të zeza për vlerësimin e masës së sigurisë. Nga ana tjetër, agjentët e policisë ngrenë zërin për orët pa pushim që kanë në punë, ndërkohë që drejtuesit e tyre japin urdhra nga vende me ajër të kondicionuar.
Masa e sigurisë
I dyshuari kryesor në vrasjen e 38-vjeçares Fatbardha Tafa pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë, do të dalë sot përpara trupit gjykues, për tu njohur me masën e sigurisë. Seanca që do të përcaktojë masën për 20-vjeçarin Aldo Hoxha, pritet të zhvillohet në orën 10:00 pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa gjyqtar i kësaj çështjeje është përcaktuar Neritan Cena. Ndërkaq, mësohet se prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 20-vjeçarin Hoxha. Por, do të jetë gjykata që do të vendosë masën për Aldo Hoxhën, për veprën penale vjedhje me pasojë vdekjen.
3 të dyshuarit
Nga ana tjetër, policia ka vijuar me shoqërimet e personave të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë vrasje. Dje, agjentët e policisë kanë shoqëruar tre persona, që kanë lidhje shoqërore me të arrestuarin dhe janë kontingjent. Ata po udhëtonin me një makinë dhe gjatë kontrollit u kanë gjetur dy thika, një shkop bejsbolli dhe një sprajt. Policia tha se ata nuk kanë pranuar të flasin, ndërkohë që dyshohen se mund të kenë kryer një vjedhje tjetër të dhunshme, katër muaj më parë në Tiranë, kur viktima u spërkat me sprajt, që të neutralizohej.
Irritimi i policëve
Por, tashmë është sosur durimi i punonjësve të policisë me masat e marra dhe me kërcënimet e bëra nga drejtuesit e policisë. Drejtori i Përgjithshëm është shprehur se kush nuk përballon Tiranën, do të transferohet. Kush nuk përballon transferimin, do të përjashtohet. Por, as në vitin 1997, nuk kemi bërë shërbim nga njëzet orë në ditë, pa pasur kohë, as të flemë gjumë, mirë se familjen e kemi harruar. Nuk luftohet krimi në këtë mënyrë. Unë marrë 30 mijë lekë rrogë dhe 400 lekë në ditë duhet ti harxhoj vetëm me ujë, duke kërkuar rrugicave të Tiranës, autorë të ndryshëm krimesh, ndërkohë që drejtorët i japin urdhrat nga makinat e tyre me ajër të kondicionuar, apo nga zyrat luksoze. As karburant për makinat nuk kemi, e na duhet që gjithë ditën të ecim në këmbë. Krimi luftohet me strategji dhe jo pa asnjë fond e pa asnjë kusht, shprehen të irrituar punonjësit e policisë së Tiranës, të cilët që prej ditës së vrasjes së 38-vjeçares, e deri dje kanë bërë nga 20 orë shërbim në ditë.
Shefat nuk lëvizin
Nga ana tjetër, policia e Tiranës ka sqaruar se shefat e komisariateve, disa prej të cilëve ishin njoftuar se do të lëviznin nga një detyrë në tjetër, nuk do të lëvizin. Sipas një njoftimi zyrtar, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka deklaruar se aktualisht nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk është kërkuar apo lëshuar urdhër transferimi në detyrë për punonjësit e policisë. Shqip paralajmëroi një ditë më parë se janë propozuar ndryshime dhe rokada për të gjithë shefat e komisariateve të kryeqytetit.
Vrasja për varësen burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip