Gjirokastër, kapen me 200 rrënjë hashash, arrestohet çifti i të moshuarve
200 rrënjë bimë narkotike të llojit hashash janë sekuestruar nga polica e Gjirokastrës, ndërkohë që është bërë arrestimi në flagrancë i një çifti të moshuarish që e kishin kultivuar atë. Aksioni i policisë është zhvilluar rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, në lagjen Bregu i Spillosnë Lazarat dhe ka vënë në pranga Zenel Bashën 54 vjeç dhe bashkëshorten e tij, Merita Basha.
Forca të Policisë së Gjirokastrës, Ndërhyrjes së Shpejt dhe antidrogës, pasi kanë shembur murin rrethues më një mjet të blinduar, me qëllim hyrjen në territorin e banesës, kanë gjetur 118 bimë kanabis sativa, të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 2 metra të larta, si dhe rreth 82 bimë të cilat varionin nga 70 deri në 90 centimetra të larta, sqaron policia e Gjirokastrës.
Një pjesë e bimëve narkotike janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër është prishur pas këqyrjes nga grupi hetimor. Në momentin e kontrollit nga ana e policisë në banesë janë gjetur shtetasit Zenel Basha si dhe bashkëshortja e tij Merita Basha.
Merita Basha ishte e shpallur në kërkim nga policia, pasi është e dënuar me vendim të formës së prerë nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër me 3 vite burg për kultivim kanabis sativa vite më parë.
14 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
Gjirokastër, kapen me 200 rrënjë hashash, arrestohet çifti i të moshuarve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip