E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi Evropian, por jo vetëm!

• Adriana CiviciNjë ekonomi e integruar, një jetë sociale e integruar, një buxhet i integruar, një reformë e integruar, një lëvizje politike e integruar, një strategji e integruar, një qytet i integruar, një bujqësi e integruar etj., etj., janë fraza që kanë hyrë tashmë në fjalorin e moderuar të politikanëve, qeverisë, ekzekutivit, politikëbërësve, parlamentarëve, e pse jo dhe të qytetarëve shqiptarë.Përkundrejt çdo nisme apo zhvillimi të ri përballemi me axhendën e hapave të Stabilizim-Asociimit në Bashkimin Evropian, shpesh të artikuluar me shumë inflacion, duke  mënjanuar faktin që në radhë të parë dimensionet e çfarëdo lloj progresi kanë të bëjnë me zhvillimin tonë të brendshëm, me nevojat jetike dhe imperative për të arritur një stad të lartë mirëqenie ekonomike e sociale. Po t’i kishim ndenjur fanatikë realë kësaj ideje në vite, historia e integrimit në Bashkimin Evropian sot do të ishte më e lehtë. Gjë që vetë ne shqiptarëve do të na kishte shndërruar nga nxënës në partnerë të vërtetë, duke na zhvilluar shqisën e absorbimit të politikave evropiane në funksion të zhvillimit tonë, pasi do të zotëronim një stad të konsoliduar institucional, ligjor, ekonomik, financiar, parlamentar e politik të gatshëm për të zbatuar direktivat apo praktikat evropiane.  Ndërkohë që ky proces ka dhe anën tjetër të medaljes, faktin që  ka plot raste kur nismat apo reformat janë në kundra linjë dhe me vetë axhendën e integrimit, ndonëse propagandohet e kundërta. Kështu, kaluam në Kuvend buxhetin e vitit 2008, ku edhe pse u pretendua që përfaqësonte një paketë financiare dhe ekonomike sipas standardeve të BE-së, po t’i referohemi progres-raportit më të fundit për Shqipërinë, situata e trashëguar mbi të cilën do të mbështetej ky buxhet, përmban një sërë treguesish dhe indikatorë të nivelit të mirëqenies, të nivelit të menaxhimit të financave publike, të politikave sociale, të uljes së varfërisë, e mbi të gjitha të precizimit të prioriteteve kombëtare, me kontestime të konsiderueshme dhe të përsëritura në vite nga ana e BE-së; Sa i takon situatës makroekonomike deficiti tregtar nga 23% e GDP-së në 2006, është rritur në 24% gjatë gjashtëmujorit të parë dhe akoma më i përkeqësuar deri në fund të vitit 2007, megjithë tendencën e ritmeve të rritjes së eksporteve; financimi i tij vazhdon të jetë i kondicionuar dhe varur tërësisht nga remitancat dhe transfertat nga jashtë (55% e deficitit tregtar); Investimet e huaja direkte janë rritur me 16% krahasuar me 2005, dhe përbëjnë vetëm 4% të GDP-së; iniciativa “Shqipëria 1 Euro”, që u lançua me objektivin e fluksit të madh që do sillte në këto investime, nuk po ka asnjë rezultat;Deformimet në sistemin gjyqësor, vështirësitë sa i takon çështjeve të pronësisë, niveli i lartë i korrupsionit, infrastruktura e pamjaftueshme dhe kriza energjisë, do të vazhdojnë të godasin zhvillimet ekonomike dhe thithjen e investimeve;Deficitet e jashtme janë rritur ndjeshëm si pasojë e krizës energjetike;  Situata financiare e tillë që brenda 1 viti dyfishon dhe deficitin buxhetor dhe gjithashtu trefishon peshën e borxhit si përqindje të PBB-së;Përpjekjet e qeverisë për përmirësim të menaxhimit të borxhit publik, komprometohen nga risku i lartë si pasojë e kapaciteteve të limituara administrative;Megjithë strategjinë e financave publike 2007-2013, ka një sërë reformash sa i takon sigurimit të qëndrueshmërisë së financave publike, me qëllim rritjen e eficiencës së tyre, që mbeten të diskutueshme, meqë përmbajnë riskun fiskal; ndërkohë që ka mjaft probleme në aspektin strukturor.Politikat e privatizimitVonesat sinjifikative të privatizimit të “Albtelekom”-it dhe INSIG, niveli i lartë i pronësisë shtetërore në KESH, “Albetrol” dhe “Servcom”, konsiderohen objektiva të paarritura në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit;Politikat e biznesitVazhdon që kostoja e hapjes dhe mbylljes së një biznesi të jetë e lartë, për pasojë të ineficencave të mëdha administrative për të menaxhuar operimin në treg të bizneseve ekzistuese;Kapacitetet operacionale për të luftuar krimin ekonomik janë shumë të dobëta. Sistemi gjyqësor vuan nga procedurat gjyqësore ineficente dhe jo transparente, ku janë prezent ndërhyrjet politike. Zbatimi i ligjit në veçanti në fushën ekonomike, shumë i dobët.S’ka strategji për të lehtësuar klimën e biznesit dhe fuqizimin e ekonomisë formale. Bizneset informale janë shtrirë gjerësisht, duke dëmtuar konkurrencën, arbitrazhet dhe lehtësitë e apelimit në ndihmë të bizneseve janë inefektive dhe të hapura për korrupsion. Politikat e punësimitTregu i punës vazhdon të përballet me sfida, si papunësia në terma afatgjata, ngadalësi të theksuara në krijimin e vendeve të reja të punës. Eficenca e hartimit dhe programimit të politikave të tregut të punës është e kufizuar, sa kohë që kapacitetet statistikore për identifikimin e treguesve të tregut të punës janë shumë të limituar;Në legjislacionin e punës, ka shumë probleme sa i takon themelimit të kuadrit modern dhe të përafruar me praktikat evropiane, në mënyrë të veçantë sa i takon shëndetit dhe sigurisë në punë; AdministrataEkziston një nivel i ulët i kapaciteteve të ministrive të linjës për të zbatuar sjelljen në një linjë me direktivat e BE-së të akteve nënligjore;TatimetNë fushën e tatimeve, s’ka progres në përafrimin e legjislacionit me BE-në, sidomos disa amendime të ligjit të Akcizave që janë tejet larg me sistemin dhe praktikat evropiane dhe larg standardeve të BE-së; Mungon strategjia për kontrollin dhe vjeljen e të ardhurave, dhe shkalla e lartë e përjashtimeve nga puna përbën shqetësim dhe risk për kapacitetet administrative;EnergjiaShqipëria s’ka qenë në gjendje të sigurojë siguri në gjenerimin e energjisë; Performanca e KESH-it, dëmtimet e paligjshme të rrjetit, sasia e madhe e importuar etj., bëjnë që ky sektor të jetë në gjendje shumë kritike dhe me efekte në zhvillimin ekonomik e social.Të gjithë këto ekstrakte të nxjerra nga raporti i BE-së për Shqipërinë nuk janë thjesht dhe vetëm detyrime në kuadër të axhendës evropiane, por mbi të gjitha kërkesa për zhvillim. Keqmenaxhimi i krizave të çmimeve, energjisë apo paaftësia për të qenë të gatshëm ndaj presioneve të krizave ndërkombëtare si ajo e naftës, shtrenjtimit të çmimit të drithërave, inflacioni i importuar, kriza botërore energjetike dhe për pasojë të thatësirës na bëjnë që në vite të rezultojmë me duart lart dhe plotësisht të papërgatitur duke na e vonuar njëkohësisht dhe axhendën e Stabilizim-Asociimit. Për më tepër që përballë një situate të tillë ndërkombëtare gjenden dhe vendet e tjera, por që ekonomitë e tyre nuk po i vuajnë kaq rëndë pasojat si ne. Performanca e keqe tregtare dhe mungesa e politikave të brendshme zhvilluese dhe të nxitjes së prodhimit vendas, deri më sot na ka bërë që bashkë me hapjen tregtare dhe ekonomike dhe kënaqësinë e momentit për importet që na e plotësojnë kërkesën e brendshme të konsumatorit, të jemi të papërgatitur kundrejt efekteve negative që sjell ky import, siç është inflacioni i importuar i çmimeve, që i bashkëngjitet problemeve të tjera të brendshme. Po të kujdeseshim në mënyrë të vazhdueshme për zhvillimet e vogla që do të sillnin atë zhvillim që të gjithë kërkojmë, sot pas dy vjetësh rresht të fenomenit të grumbullimit të investimeve në fund të vitit, pas dy vjetësh rresht të llogarisë fiskale që mbart shifrën më pak se 50% të investimeve të realizuara, nuk do të luanim me objektivat e fiksuara në fillim të vitit, dhe nuk do të trukonim pozicionet financiare. Më konkretisht, për shkak të këtij mosrealizimi, ndërkohë që gjatë 2007 rezultuam me suficit, pozicion ky që na vinte ndesh me objektivin e vënë për një deficit buxhetor në një nivel të caktuar ndaj PBB-së, bëjmë një lëvizje akrobatike dhe investimet e parealizuara i kalojmë për rrugën Durrës-Kukës, për të cilën kemi shkaktuar një borxh të ardhshëm të konsiderueshëm. Të gjithë e duam ndërtimin e kësaj rruge, por nëse do të ishim pak më të kujdesshëm do të kishim bërë investime prej kohësh që do të kishin sjellë zhvillim dhe do të kishin shmangur borxhet dhe pozicionin e vështirë fiskal të vendit, përballë të cilit qëndron e palëvizur aspirata e të gjithë shqiptarëve për integrim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›