E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitchell rikthehet në Lindjen e Mesme

I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell, filloi një mision të ri për nxitjen e bisedimeve jo të drejtpërdrejta mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Zëdhënësi i ambasadës së SHBA-së në Tel-Aviv njoftoi se "Mitchell ka zbarkuar të hënën në mbrëmje në Izrael dhe pritet të takohet me ekipin e tij, përpara fillimit të bisedimeve me drejtuesit izraelitë".

Njoftohet se Mitchell do të takohet të nesër me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun, si dhe me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, me të cilin do të takohet në Ramallah.

Presidenti amerikan Barack Obama zhvilloi një bisedë telefonike 20-minutëshe me Netanyahun, në përpjekje për të nxitur procesin paqësor në Lindjen e Mesme, i cili është bllokuar që prej fundit të vitit 2008.

Në ndërkohë është njoftuar se tetë tanke izraelitë dhe një buldozer, të mbështetur nga të paktën një helikopter, kanë hyrë sot në Rripin e Gazës.

Lajmi u bë i ditur nga disa dëshmitarë palestinezë dhe zyrtarë të shërbimeve të sigurisë të Hamasit.

“Buldozeri pastroi rrënojat e një xhamie të shkatërruar gjatë operacionit "Plumbi i Ashpër" i ndërmarrë nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës, në fund të vitit 2008 dhe në fillim të vitit 2009 kundër Rripit të Gazës”, njoftuan të njëjtat burime, të cilat theksuan se nuk ka njoftime për përleshje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›