Mitchell:Turqia,rol kyç në Lindjen e Mesme

I dërguari special i SHBA-së në Lindjen e Mesme Xhorxh Miçëll ka deklaruar se Turqia duhet të luajë një rol kyç në përpjekjet e Presidentit amerikan Barak Obama për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme. Miçëll vizitoi Turqinë, si pjesë e turit në rajon që do ta çojë atë edhe në Izrael dhe në Bregun Perëndimor. Ai tha se lidhjet e ngushta të Ankarasë me Izraelin dhe vendet arabe ishin një pasuri për premtimin e Obamës për arritjen e një paqeje afatgjatë arabo-izraelite. "Si një vend i rëndësishëm demokratik, me lidhje të forta me Izraelin, Turqia ka një rol unik dhe mund të ketë një ndikim domethënës në përpjekjet tona për të promovuar një paqe gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme", është shprehur Miçëll pas takimit me kryeministrin turk Taip Erdogan. Anëtarja e NATO-s Turqia, një vend me shumicë myslimane, por shekullarist, ka luajtur një rol kryesor në ndërmjetësimet e të kaluarës në Lindjen e Mesme, vecanërisht në negociatat indirekte mes Sirisë dhe Izraelit. Miçëll ka përshëndetur gjithashtu edhe planet e Turqisë për të marrë pjesë në konferencën e ardhshme të donatorëve për ndihmat humanitare për popullsinë e Rripit të Gazës, që do të mbahet në Sharm el Sheik të Egjiptit më 2 mars. Ndërkohë që kryeministri turk Erdogan tha se Hamasi nuk duhet përjashtuar nga çdo lloj marrëveshjeje paqeje. Qeveria e Erdoganit ka mbajtur kontakte të rregullta me grupin islamik të Hamasit. Xhorxh Miçëll u emëruar muajin e kaluar si i dërguar i SHBA-së në Lindjen e Mesme, nga Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton, për negociatat Izrael-Palestinë.