E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton:SHBA mbështet Kosovën

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka konfirmuar se SHBA-ja do të qëndrojnë gjithmonë në krah Kosovës dhe do të vazhdojnë të punojnë me shtetin e pavarur të Kosovës. Klinton e bëri këtë deklaratë gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Uashington me presidentin kosovar Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, të cilët ndodhen në SHBA për një vizitë zyrtare. "Ne jemi shumë të kënaqur që 55 shtete e kanë njohur Kosovën dhe ne inkurajojmë edhe të tjera shtete që ta bëjnë një gjë të tillë. Ne mendojmë se është në interesin e shumë shteteve në krejt botën që ta njohin këtë demokraci të re dhe ta mbështesin atë", ka thënë Klinton.Nga ana e tyre, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kanë falënderuar Klintonin për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve për Kosovën.Presidenti Sejdiu deklaroi se "Roli i SHBA për Kosovën, është thelbësor".Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehu mirënjohje për SHBA-në dhe veçanërisht për presidentin Barack Obama dhe Sekretaren e Shtetit Clinton në ndihmën dhe mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës. "Marrëdhëniet Kosovë-SHBA do jenë gjithmonë të shkëlqyera", theksoi Thaçi.Ndërkaq, Klinton ka shprehur admirimin e saj se si lidershipi kosovar ka punuar me sfidat me të cilat është përballur Kosova. Ajo ka vlerësuar se dhjetë vjetët e fundit kanë qenë të mrekullueshme për Kosovën dhe se viti i fundit, ai i pavarësisë është meritë e lidershipit dhe popullit të Kosovës, pasi po bëhet një demokraci shumetnike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›