E Diel, 1 Nëntor 2026

Miti i “Përtej së majtës dhe së djathtës” Nga Endrit Yzeiraj*Në tregun mediatik e politik shqiptar ka disa kohë që flitet e diskutohet për sloganin e ri të Partisë Socialiste, dhe mbi të gjitha të kryetarit Edi Rama, “Përtej së majtës e së djathtës”.

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Miti i “Përtej së majtës dhe së djathtës” Nga Endrit Yzeiraj*

Në tregun mediatik e politik shqiptar ka disa kohë që flitet e diskutohet për sloganin e ri të Partisë Socialiste, dhe mbi të gjitha të kryetarit Edi Rama, “Përtej së majtës e së djathtës”. I frymëzuar nga libri i Anthony Giddens, “The Third Way” (Rruga e tretë), slogani përdoret për të treguar reformimin e Partisë Socialiste dhe të majtës në periudhën post-Nano. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe nuk u dha asnjëherë ndonjë shpjegim i qartë se ç’do të transformonte konkretisht ky slogan në politikat e Partisë Socialiste. Me gjithë interesin e medies, edhe tani që fushata ka filluar dhe programet janë bërë disi publike, Partia Socialiste dhe aleatët akoma nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim se ç’do të thotë konkretisht slogani. Ai thjesht paraqitet si instrumenti i ndryshimit, si çelësi i zgjidhjes së problemeve të Shqipërisë. Më tej, askush nuk di të thotë detaje. Po atëherë, a është me të vërtetë ky slogan zgjidhja, për të cilët shqiptarët kanë vite që presin?

Obama

Një nga rrugët e pakta që është përdorur për të justifikuar këtë slogan është ideja se edhe presidenti i ri i SHBA, Barack Obama, ka ndjekur një strategji të ngjashme në fushatë, se edhe ai është “përtej së majtës e së djathtës”. Po a është i vërtetë një pretendim i tillë? Absolutisht jo!

E para, Barack Obama nuk është ideologjikisht “përtej së majtës e së djathtës”. Ai është thellësisht i majtë, e këtu nuk ka asgjë të keqe. Si senator i shtetit të Illinoisit në Kongres, Barack Obama në karrierën e shkurtër dyvjeçare kishte një rekord votimesh pro të majta. Nga studimet e bëra mbi mënyrën e votimit, ai konsideroj si kandidati më liberal (në politikën e SHBA është thuajse një sinonim për të majtët) në Kongres. Gjatë fushatës presidenciale Obama premtoi një rritje të madhe të shpenzimeve buxhetore, dhe një fryrje të administratës federale të ngjashme me atë të presidentit Lyndon Johnson në vitet ‘60. Premtimet, si dhe politikat e tij ishin shumë larg “përtej së majtës e së djathtës”. Ato ishin politika thellësisht të majta, që kishte kohë që nuk dëgjoheshin në arenën politike amerikane.

E dyta, Barack Obama nuk fitoi, se ishte “përtej së majtës e së djathtës”. Si çdo kandidat demokrat, ai ishte thellësisht i padëshiruar nga shtresat tipike republikane; evangjelistët e krishterë, bizneset e mëdha, dhe libertarianët (të djathtët klasikë, që kërkojnë një ndikim minimal të shtetit). Shtetet e jugut dhe të zonave malore e fushore të Perëndimit votuan si zakonisht kandidatin republikan, John McCain. Obama nuk fitoi as sepse ishte shumë më i pëlqyer te të rinjtë. Ata tradicionalisht votojnë në masë kandidatët demokratë, siç bënë edhe në 2004 me John Kerry-n. Në qoftë se Obama përdori një fenomen demografik për të fituar, ishte me grupet latine dhe afro-amerikane. Të parët janë grupi me rritjen më të madhe në popullsinë e SHBA, të dytët tradicionalisht votonin të paktë në numër. Të dyja këto grupe tradicionalisht të margjinalizuara në SHBA votuan masivisht Obamën. E megjithatë, të dyja janë grupe që janë bazë natyrale e së majtës, e jo “përtej së majtës e së djathtës”. Obama përfitoi gjithashtu në mënyrë të ndjeshme nga kriza financiare. Deri para falimentimit të “Lehman Brothers” sondazhet nxirrnin kandidatët në baraspeshë. Kriza financiare e ndryshoi këtë ekuilibër, ku, ashtu siç pritej, votuesit dënuan partinë në pushtet, siç ndodh rëndom në çfarëdolloj raste krizash (në Britani, Gordon Brown, një i majtë, do pësojë një fat të tillë përsëri, sepse pati fatin e keq të ishte në pushtet gjatë krizës). Pra, si fitoi Obama? Fitoi siç fitojnë zakonisht të majtët në SHBA, duke fituar shtetet e lëkundura e duke përfituar nga një krizë ekonomike. Për të parë një hartë elektorale vërtet përtej së majtës e së djathtës duhet të kthehemi në vitin 1996, kur Bill Clinton fitonte në qytetet e mëdha, në zonat e jugut, dhe në shtetet e vetmuara perëndimore, siç janë North e South Dakota. Pra, Obama as nuk është “përtej së majtës e së djathtës”, e as nuk përfitoi nga ndonjë strategji e tillë për të fituar. Nuk duhet përdorur më ai si justifikim për sloganin më të ri të politikës shqiptare.

Shqipëria

Pasi kemi ezauruar justifikim e pasaktë për një strategji të ngjashme me Obamën, ia vlen të shohim nëse ky slogan ka me të vërtetë një aplikim në Shqipëri. A është Shqipëria një vend për rrugën e tretë të Giddens? Edhe njëherë, fatkeqësisht, duhet të themi absolutisht jo.

Shqipëria nuk ka vuajtur ndonjëherë gjatë këtyre viteve nga diferenca të thella ideologjike. Të shohim pak fushatën e Partisë Demokratike. Së pari, ajo është totalisht e bazuar mbi punët publike. Janë jo të pakta rastet kur kandidatët e PD nëpër debate televizive harxhojnë minuta të tëra për të lexuar të gjitha shpenzimet buxhetore e punët publike që ka kryer qeveria gjatë këtyre viteve. Përtej një debati, nëse këto shpenzime janë vërtet aq të suksesshme sa pretendojnë demokratët, duhet të pranojmë që kjo vetëm një fushatë e djathtë nuk është! Përkundrazi, është në kufijtë e një fushate komuniste, që lavdëron “shtetin e gjithëpushtetshëm”. Thuajse asnjëherë qeveritarët nuk kanë folur për raste të iniciativave të suksesshme private, të rritjes së kapaciteteve teknologjike të bizneseve shqiptare apo për konkurrueshmërinë e tyre në rajon. Berisha e të tijtë mjaftohen duke përmendur faktin që kanë ulur taksat. Po ndërkohë një qeveri e djathtë duhet të shpenzojë minutazhin duke shpjeguar se si ky fakt e ka ndihmuar iniciativën private në vend. Në fakt ndodh e kundërta. Bizneset shqiptare vazhdojnë ta kenë të vështirë të konkurrojnë me rivalët e tyre rajonalë, por qeveria mjaftohet me përmendjen e punëve të shumta publike që ka kryer. Quajeni të suksesshme, quajeni të nevojshme, po vetëm të djathtë mos e quani.

Së dyti, janë jo të pakta rastet kur demokratët kanë akuzuar socialistët nëpër debate për krijim pasurie dhe për kontrolle biznesesh. Megjithëse këto raste, nëse janë krijuar për shkak të përdorimit të pushtetit, duhen denoncuar në prokurori, është e qartë që nuk është ai qëllimi i demokratëve. Ata duan t’i godasin politikisht rivalët e tyre si njerëz të kamur e për rrjedhojë pa asnjë lidhje me qytetarët e thjeshtë shqiptarë. Thënë shkurt, është një luftë klasash e ditëve të sotme. Është fatkeqësi që 20 vjet pas vendosjes së sistemit kapitalist në Shqipëri shihet akoma si disavantazh publik e politik krijimi i pasurisë, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta. Kur këtë e përdor politikisht partia që duhet të jetë e djathtë, e kupton qartë se vetëm me koherencë ideologjike nuk kemi të bëjmë. Në fakt, është Partia Socialiste ajo që gjatë këtyre viteve ka qenë më e hapur ndaj biznesit, madje duke bashkëpunuar edhe në nivel politik me biznesmenë të shumtë. Mund të shkojmë akoma më tej. Partia Demokratike ka humbur mbështetjen e shtresave tipike të djathta, si ish-pronarët e ish-të përndjekurit, e megjithatë nëpër disa sondazhe është në avantazh dhe votohet masivisht nga disa shtresa mjaft të varfra. Quajeni si strategji të zgjuar, quajeni si strategji të nevojshme, po vetëm të djathtë mos e quani. E pra, në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me ndarje të thella ideologjike, as të elektoratit, as ndërmjet partive. Shqipëria ka shumë probleme, por ndarjet ideologjike nuk janë një nga ato. Natyrshëm lind pyetja: ǒkërkon të zgjidhë një slogan që as nuk është kopjuar drejt e as nuk gjen ndonjë lloj aplikimi konkret në terrenin politik shqiptar? Pak ose aspak është përgjigjja më e duhur. Si përfundim mund të themi që klasa politike shqiptare është modernizuar jo pak këtë dekadë. Qëndrimet janë më të moderuara, fushatat gjithmonë e më perëndimore, por vetëm kaq. Mungojnë akoma lidhjet e qarta politike - botë akademike që duhet t’i furnizonin partitë me ide konkrete për të përdorur gjatë qeverisjes në zgjidhjen e problemeve. Partitë shqiptare kanë mësuar mirë se ç’duhet të bëjnë për të ardhur në pushtet, po akoma dinë shumë pak se ç’duhet të bëjnë ditën që vijnë në pushtet. Slogani “Përtej së majtës e së djathtës” është rasti më i fundit i kësaj situate.

* MSC Economics, University of Warwick, UK

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›