Gërdec, si u vodhën milionatNga Lorenc Vangjeli, Revista “Mapo”Dyshime serioze për korrupsion pas tragjedisë së Gërdecit. Gëzim Gjoni, një i mbijetuar i shpërthimit dhe kryetar i shoqatës së viktimave, tregon shembuj ngjethës. “Janë paguar sipas përk
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gërdec, si u vodhën milionatNga Lorenc Vangjeli, Revista “Mapo”Dyshime serioze për korrupsion pas tragjedisë së Gërdecit. Gëzim Gjoni, një i mbijetuar i shpërthimit dhe kryetar i shoqatës së viktimave, tregon shembuj ngjethës. “Janë paguar sipas përkatësisë partiake apo dhe sipas miqësisë. Janë zhdukur miliona”, - thotë ai për “Mapo”-n. Një udhëtim në Gërdec para fushatës elektorale, republikanët e Mediut, posterat më të mëdhenj në zonë
“Kanë ardhur të gjitha partitë, të gjitha kanë hapur zyrat e tyre elektorale në Vorë, por më shumë flamuj, më shumë postera dhe më të mëdhenj se të gjithë të tjerët janë në zyrën e Partisë Republikane të Fatmir Mediut”. Gëzim Gjoni, kryetar i shoqatës së viktimave të Gërdecit, nuk ka zemëratë. Madje, fsheh mirë edhe protestën e tij. Në të kundërt, në mënyrë të pabesueshme, thotë se ka punuar shumë që të fashitë zemëratën e banorëve të Gërdecit, të cilët te Mediu shohin një nga shkaktarët e tragjedisë së tyre të një viti më parë. Njëlloj si Prokuroria e Përgjithshme që e konsideron atë si shpërdorues të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shpërthimin në Gërdec. “Kishte nga ta që erdhën dhe biseduan me mua dhe me të tjerë për të thyer xhamat e zyrës së tij dhe për të larguar posterat e Partisë Republikane. I kam ndalur me vështirësi dhe besoj se i binda, kështu do të bëj dhe nesër”, - thotë ai. Por ky është vetëm një detaj nga shumë të tillët që Gjoni e tre të mbijetuar të tjerë nga tragjedia, rreshtojnë në një bashkëbisedim të gjatë me “Mapo”-n.
Tragjedia e dytë pa flakë
“E kam thënë ku kam mundur. Ia kam thënë gazetarëve të huaj, e kam thënë dhe në emisionet televizive ku më kanë ftuar: Në Gërdec ka pasur dy tragjedi. E para ajo që e panë të gjithë, që ndodhi më 15 mars 2008 dhe e dyta që nisi që mbas asaj date, me përpjekjet e qeverisë gjoja për të na dëmshpërblyer”, - thotë Gjoni. Ai ka një dosje të madhe me dokumente, që sipas tij vërtetojnë hipokrizinë qeveritare dhe mbi të gjitha, trajtimin e diferencuar që iu është bërë viktimave të tragjedisë. Qoftë me anë të korrupsionit, qoftë për shkak të përkatësisë së tyre politike.
“Sherif Ismaili nga Gërdeci besohet se është i majtë. Vëllezërit e tij janë me Partinë Demokratike. I kanë shtëpitë në të njëjtin vend, janë dëmtuar njëlloj nga shpërthimi, por Sherifi është paguar shumë herë më pak se vëllezërit e tij”. Tre banorët e tjerë nga Gërdeci, që e shoqërojnë, pohojnë të njëjtën gjë. Ismaili i është dërguar me letra të gjitha adresave që ka menduar se mund ta ndihmojnë; që nga Këshilli i Ministrave e deri tek Enti i Banesave. “Do të shqyrtojmë ankesën tuaj”, - ka qenë rreshti i vetëm i përgjigjes që ka marrë në përgjigjen e vetme që i është kthyer zyrtarisht. Por deri më tani, asgjë. Ismali paguan për bindjet e tij politike.
Dhe pasojnë njëri pas tjetrit shembuj të pafundmë. Njëri më i trishtuar se tjetri. Të gjithë vërtetojnë shqetësimin e tyre: me ne, mbasi na vranë, po tallen ditën me diell.
Të katërt janë plagosur në ditën e shpërthimit. Vetë Gjoni ka marrë plagë në kokë dhe gjymtyrë, kurse tre të tjerët e kanë pasur punën edhe më pisk. Kanë qenë punëtorë në fabrikën e vdekjes deri në ditën që ajo u hodh në erë. “Pasi pamë vdekjen me sy, pasi na u vranë të afërm, shokë e miq, qar e kemi çfarë jetojmë tani”, - thonë ata.
Të plagosurit e harruar
“Janë të paktën pesë vetë, që sipas vendimit të qeverisë duhet të trajtoheshin financiarisht, sepse u plagosën rëndë. Ata janë Bexhet dhe Zeqine Fejzolli, Tritan Memoçi, Denis Gërdeci e Xhafer Brati. Nuk kanë marrë asnjë qindarkë dëmshpërblim. Por të paktën dy të tjerë, Brunilda Breti dhe Adriatik Koci, të njohur të kryetarit të Bashkisë Vorë apo punonjës aty, janë paguar, edhe pse nuk janë plagosur fare në ditën e shpërthimit. Një tjetër banor, Sh. Sula, ka pasur aksident me motor diku nga shkurti i vjetshëm dhe ka dëmtuar këmbët. E futën në listën e dëmshpërblimeve dhe ka marrë nga shteti 1 milion lekë”, - thonë ata.
Lista vazhdon gjatë dhe të katërt janë të revoltuar. “Kemi kërkuar që listës së të plagosurve t´i bashkëngjitet epikriza e gjithsecilit. Nuk e kanë bërë deri më tani, sepse e dinë që kështu iu del në shesh mashtrimi”, - thotë Gjoni.
Paratë e zhdukura
Halli të bën të dyshosh për gjithkënd dhe për gjithçka. Banorët e Gërdecit përmendin të paktën dy raste me zemëratë. Dy donacione të ardhura për banorët e Gërdecit, por që nuk kanë gjurmë se ku kanë përfunduar. Afrojnë një listë me gjithë emrat e donatorëve, në të cilën mungojnë të paktën dy emra: Ethem Ramadani, biznesmeni kosovar që dhuroi 100 mijë euro dhe “Alb Sig” që dha 30 mijë euro. “Nuk dimë ku kanë përfunduar këto pará. Nuk akuzojmë kënd, por mungon totalisht transparenca. Për shembull, erdhi dhe Ilir Meta dhe dhuroi 5 mijë euro për një nga familjet më të dëmtuara në vend, por për to e dimë që kanë vajtur tek ata. Për të tjerat nuk e vëmë dot dorën në zjarr. Këtu mund të ndodhë çdo gjë”, - thotë Gjoni.
Shpërblimet e jashtëzakonshme
Të katër gërdecarët ndërpresin njëri-tjetrin duke përplasur shembujt me njëri-tjetrin, shembuj të cilët vërtetojnë atë çfarë u dhemb gjithashtu shumë. Vjedhjen masive që është bërë pas tragjedisë. Përmendin dhe emra. Shembuj të habitshëm që të bëjnë t´u japësh të drejtë. “Për mendimin tonë, janë disa sekserë që kanë luajtur me çmimet e dëmshpërblimit, që kanë bërë pagesa selektive sipas përkatësisë partiake apo sipas tarafit të tyre. Ata janë Sherif Hajdari, kryeplak në Marqinet, Isa Picari, Tefik dhe Mustafa Gërdeci dhe Jakup Duka”. Demonstrojnë faqet e shtypit të kohës që verifikojnë pagesat e kryera. “Latif Gërdecit i është dëmtuar lokali i tij. Në fillim ia vlerësuan dëmin 1.3 milionë lekë. Pastaj, kur u bë rivlerësimi, shuma vajti 10 994 940 lekë të reja. Gati nëntë herë më shumë. Mendoni, në një lokal fshati me dy tavolina e tetë karrige, orenditë e dëmtuara mendohet se kanë kushtuar 3.9 milionë lekë”.
Arben Picari është shembulli tjetër. Në fillim lokalin ia vlerësuan se kishte pësuar dëme për 6 milionë lekë, me rivlerësim dëmi i vajti 13 923 778 lekë”, - tregojnë ata duke shënjuar faqet e gazetave ku janë botuar shifrat zyrtare të akorduara nga qeveria. Në rrugëtimin e gjatë nëpër zonën e Gërdecit, asnjë nga këta banorë, të akuzuar nga bashkëbanorët e tyre, nuk ishte i disponueshëm.
Ka dhe më keq
“Kanë dhënë me grushte diku ku kanë dashur. Kërkojnë të marrin qindarkat dhe të kthehen mbrapsht dëmshpërblimet aty ku duan”, - thotë Gjoni. Ai tregon faksimile të një procesi të iniciuar nga Bashkia, Vorë që i kërkon Drita Bratit të kthejë shumën prej 80 mijë lekësh, sepse pretendohet se është përfituar pa të drejtë. “Nipi i saj, Xhafer Brati, që nga shpërthimi ka humbur vështrimin, as nuk rezulton në listën e të plagosurve. Drejtësi është kjo?” - shpërthejnë të katër banorët e Gërdecit. Si Drita janë dhe 44 banorë të tjerë të Gërdecit. Është e vështirë të gjendet se ku fillon dhe ku mbaron e vërteta.
Ngjan se janë shumë të zemëruar me kryetarin e tyre të bashkisë. “Thonë se tani po bën dhe master dhe se do të bëhet dhe Doktor Shkencash. Deri para viteve ‘90, kishte mbaruar vetëm shkollën e mesme natën, profili elektrik dhe ka punuar si elektricist në fabrikën e vjetër të tullave në Vorë. Tani bën ligjin këtu”, - thonë ata. Por në bashki duket se kanë dhe burimet e tyre. Menjëherë sapo citojnë raportin e Kontrollit të Shtetit për vitin 2008, që vlerëson se gabimet e Bashkisë Vorë kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 23 milionë lekësh, ofrojnë dhe faksimilen e një dokumenti për shpenzime të tjera të dyshimta të bashkisë, të “freskët” fare, të datës 25 maj 2009: riparim mjetesh dhe blerje gomash. Me vlera që ngjajnë me njëra-tjetrën, nga katër milionë lekë të vjetra. “Thonë se do të paguajnë 4 milionë lekë për riparimin e një fadrome. Por këtu duhet hyrë me buldozer për të zbuluar se si shpërdorohen paratë e shtetit”, - thonë ata.
Zgjedhjet, procesi penal
Në Gërdec, në shtëpinë e tyre, shoqërohen hap hapi nga kandidati i Partisë Socialiste, Auron Tare. Tare ka me vete një ekip specialistësh amerikanë, të cilët bashkëbisedojnë me ta. Kandidati socialist bën edhe përkthyesin, edhe njeriun që tenton t´u japë shpresë atyre njerëzve. “Ne jemi të gjithë nga Gërdeci, - thotë ai, - sepse në Gërdec nuk u vranë, plagosën dhe u hodhën në erë vetëm ata që ndodheshin këtu ditën e shpërthimit. Në Gërdec jemi vrarë të gjithë, të gjithë ne shqiptarët nga një politikë e çmendur që bëri gjithçka për të fituar pará të zeza me gjakun e këtyre njerëzve të mirë”. Tare premton se Partia e tij do të bëjë më të mirën e mundshme për ta, për të tejkaluar dhembjen, për normalizimin e jetës së tyre. “Kemi qenë me ju që ditën e parë të tragjedisë. Do të jemi ditë pas dite me ju në mandatin tonë të ri qeverisës”, - premton Tare.
Kandidatë të tjerë, kryesisht ata të shumicës së sotme në pushtet, nuk para janë shfaqur në Gërdec e rrethina në këto ditë të nxehta. “Për ta është njëlloj si të kthehen në vendin e krimit”. Tare iu jep zemër, kërkon t´i bindë se drejtësia një ditë do të vihet në jetë dhe se procesi penal do të gjejë fajtorët e tragjedisë. Por Gjoni është skeptik. “Nuk bëhet fjalë vetëm për të dënuar fajtorët. Ashtu do të na lehtësohet pak dhembja, por atë që na morën barbarisht më 15 mars, jetën tonë dhe të të vdekurve tanë, nuk na e kthen më pas askush”, - thotë ai.
Misteri 130 mijë euro
Janë të paktën 130 mijë euro, të cilat nuk figurojnë në shifrat zyrtare të donacioneve për Gërdecin. 100 mijë të dhëna nga Ethem Ramadani, biznesmeni filantrop nga Kosova dhe 30 mijë euro të tjera nga “Alb Sig”. Ato nuk janë shënuar në listën modeste të lëshuar nga Bashkia e Vorës, firmosur nga specialistja e sektorit të financës, Mirela Domi, dhe përgjegjësi i këtij sektori, Selami Bocerri. Në këtë listë ndodhet emri i boksierit Kreshnik Qato, biznesmenit Ylli Ndroqi apo këngëtarëve shqiptarë nga Maqedonia, Elita 5, por jo dy shumat e përmendura. Banorët dyshojnë se ato janë “zhdukur”. Nuk e vënë gishtin diku, por kërkojnë transparencë. “I mbani mend kronikat televizive të shpërndarjes së parave të dëmshpërblimit? Miliona lekë në thasë plastikë që qëndronin në tavolinën e kryetarit të bashkisë. Vetëm pak kohë më parë, Këshilli i Ministrave kishte nxjerrë urdhër për pagesat në cash. Po kush pyet për të. Na i dhanë në dorë dhe ikëm dhe ne me lekë në torbë”, - thonë banorët e Gërdecit