E Diel, 1 Nëntor 2026

Njeriu i Berishës në zgjedhjeNga Kristi Pinderi, Revista “Mapo”Wolfgang Grossruck, një politikan konservator austriak, është caktuar së fundi në krye të misionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE në zgjedhjet e 28 qershorit. Një njeri që vazhdon të b

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Njeriu i Berishës në zgjedhjeNga Kristi Pinderi, Revista “Mapo”

Wolfgang Grossruck, një politikan konservator austriak, është caktuar së fundi në krye të misionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE në zgjedhjet e 28 qershorit. Një njeri që vazhdon të besojë se më 26 maj 1996 u zhvilluan zgjedhje të ndershme, do të “markojë” ambasadoren Glover gjatë nxjerrjes së konkluzioneve të 28 qershorit. Lëvizja e qeverisë për të neutralizuar britaniken që tashmë konsiderohet “non grata” për Berishën

Erëra të ftohta po fryjnë këto ditë mbi zgjedhjet e 28 qershorit. Me dalje të shpeshta publike, opozita po tërheq vëmendjen se, më pak se një muaj para votës infrastruktura zgjedhore është ende larg së qenit korrekte dhe brenda standardit. Problemi i kartave të identitetit mbetet i hapur, kurse aciditeti i luftës elektorale po vjen në rritje. Politikanë të irrituar shfaqen në ekranet televizive dhe tribunat zgjedhore, duke e sjellë në “shtratin” e saj klasik fushatën zgjedhore aktuale.

Në këtë atmosferë shqiptarët i drejtojnë thuajse instinktivisht sytë nga ndërkombëtarët. Kanë qenë dhe janë ata e vetmja pikë reference, i vetmi arbitër, të cilin e dëgjojnë (jo gjithmonë) të gjitha palët dhe të cilit i takon e drejta dhe detyra që të thotë, nëse e kemi kaluar apo jo testin e zgjedhjeve.

Këto votime kanë ardhur disi të pazakonta edhe për vëzhguesit e huaj. Ende pa vënë këmbën në Shqipëri, shefja e misionit vëzhgues të ODIHR, Audrey Glover, është kontestuar publikisht nga qeveria. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, dhe pas tij edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, kanë shprehur me shkrim përkatësisht kërkesën për mosardhjen e zonjës Glover dhe heqjen dorë prej saj të detyrës së sapomarrë nga zyra që merret me vëzhgimin e zgjedhjeve me qendër në Vjenë. Reagimi i fortë ndërkombëtar, ku u përfshinë OSBE, Bashkimi Evropian dhe SHBA, bënë që qeveria të tërhiqet, por, me sa duket, vetëm pjesërisht, sepse lajmet e orëve të fundit tregojnë se në Shqipëri do të zbresë, me firmën e presidencës së radhës së OSBE, ministres së Jashtme greke, Bakoyannis, një mision vëzhgues i Asamblesë Parlamentare të OSBE, kryesuar hiç më pak se nga aleati i vjetër i zotit Berisha, Wolfgang Grossruck.

I njohur në vendin tonë sidomos për deklaratat e tij të habitshme pas votimeve të trukuara të 26 majit 1996, Grossruck është një njeri që i ka të qarta idetë e tij sa i takon klasës sonë politike. Ish-kryetar bashkie i Grieskirchen, një qytet i vogël në Austri, dhe mik personal i Berishës, ai ka folur shpesh publikisht në përkrahje të PD, duke përdorur një fjalor therës ndaj “ish-komunistëve”, siç i quan ai socialistët shqiptarë.

“Më duhet të them se zgjedhjet (e 26 majit, shën. ynë) ishin cilësore dhe korrekte”, - deklaronte Grossruck në konferencën e tij të shtypit menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1996, i cituar nga agjencia britanike, Reuters. “Jam i kënaqur që nuk vura re incidente në zonat që vizitova. Nuk vërej asgjë që të më shtyjë të besoj se zgjedhjet ishin jo-korrekte”, - tha ai pak ditë më vonë, pas kthimit në Vjenë. Ai shtoi gjithashtu se për të ka qenë e qartë, shumë para mbylljes së qendrave të votimit, se opozita do t’i braktiste zgjedhjet.

Sipas Grossruck, gjithnjë i cituar nga Reuters, këto zgjedhje shënuan “fitoren e demokracisë dhe të reformave të tregut të lirë”. Lajmi flet vetë, komentet janë të tepërta. Paralelisht me këto deklarata, SHBA, Parlamenti Evropian, OSBE dhe organizma të tjera ndërkombëtare bëheshin gati, ashtu siç ndodhi, që t’i quanin zyrtarisht të pavlefshme zgjedhjet e 26 majit 1996.

“Dora e ngrohtë”

Burime diplomatike në Tiranë thanë për “Mapo”-n se zakonisht dy ekipet, pra ai i ODIHR dhe ai i Asamblesë Parlamentare të OSBE, dalin me një qëndrim të përbashkët për zgjedhjet ose më saktë pas qëndrimit formal të ODIHR, delegacioni i Asamblesë Parlamentare ndërhyn në mbështetje të tij.

Kjo është procedura standarde. Megjithatë, kujtojnë të njëjtat burime, precedenti i vitit 1996, pikërisht me zotin Grossruck, mund të bëjë që kësaj radhe pozicioni i dy krahëve të vëzhgimit të OSBE të mos përkojë. Kjo është një hipotezë që gjithsesi duhet mbajtur parasysh, nëse shihet mënyra se si Glover dhe Grossruck janë caktuar në krye të ekipeve të tyre dhe nëse merren parasysh raportet që ata kanë me palët në lojë me ose pa dëshirën e tyre personale.

Vëzhgimi ndërkombëtar është kthyer kështu në një skemë të madhe pokeri, e cila na shfaqet simetrike në dualizmin e krerëve të misionit të OSBE. Nga njëra anë gjejmë ambasadoren Glover, një person që ishte në krye të ODIHR, kur zgjedhjet e vitit 1996 u konsideruan nul, nga ana tjetër, në rolin e “markuesit” shfaqet një politikan austriak, i cili ishte ndër të vetmit që edhe klimën represive elektorale të asaj kohe mundi ta shohë si “normale dhe të ndershme”.

Berisha ka bërë kështu një lojë jo fort të pazgjuar me dy porta. Ka kontestuar hapur znj. Glover, e ka ftuar atë të mos vijë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet, duke përfshirë në këtë incident diplomatik edhe kreun e KQZ, kurse nga ana tjetër ka lobuar fort në favor të Grossruck, i cili do të jetë praktikisht kundër-firma e raportit ndërkombëtar për zgjedhjet e 28 qershorit.

Një “dorë e ngrohtë” në momentin e duhur. Në krahun tjetër të barrikadës zgjedhore, opozita nuk e ka konsideruar të arsyeshëm një reagim ndaj emërimit të Wolfgang Grossruck në krye të delegacionit të parlamentarëve të OSBE, me gjithë të shkuarën e tij problematike në raport me të majtën shqiptare.

Pozicionimi i tërhequr i Ramës ka hyrë kështu edhe në këtë aspekt të “rafinuar” të fushatës, por jo të parëndësishëm për atë që do të jetë qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit, sidomos kur në horizont duken retë e zeza të një përplasjeje që mund të sjellë largimin ose kontestimin eventual të procesit nga opozita. E majta vërtet është sjellë shumë korrekt me ekipin vëzhgues, duke qëndruar larg procesit të caktimit të kreut të misionit ndërkombëtar, por ajo ka qëndruar e heshtur gjithashtu kur Glover i është shtuar në krah një figure, e cila ka rekorde mjaft të lexueshme politizimi dhe preferencash, kur vjen fjala për klasën tonë politike. Ky qëndrim i PS është paksa i pakuptueshëm, kur dihet publikisht se Grossruck vjen të vëzhgojë zgjedhjet me një mendim të pjekur tashmë (sipas tij), se cilët janë “të mirët” dhe cilët “të këqijtë”.

“Sa e bukur fitorja juaj e 1996”

Wolfgang Grossruck ishte i ftuari preferencial i zotit Berisha në kongresin elektoral që PD organizoi në pranverën e vitit 2005, në prag të zgjedhjeve të 2 korrikut. Nuk është e vështirë të gjesh një ekstrakt të fjalës së tij me atë rast. Aq më pak e vështirë është të kuptosh se cilat janë pikëpamjet e këtij deputeti austriak për zhvillimet në Shqipëri dhe me çfarë syzesh i sheh ai ato që të tjerë evropianë si ai, i kanë konsideruar krejt ndryshe. Ja një përmbledhje e përshëndetjes së Grossruck:

“I dashur mik, zoti Berisha, do të doja gjithashtu të thosha, të dashur miq nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur që jam këtu për të marrë pjesë në kongresin tuaj dhe siç e dini kam ardhur disa herë në Shqipëri. Për herë të parë erdha para 10 vjetësh dhe pashë me sytë e mi rrugën e suksesshme të Partisë Demokratike, zgjedhjet e vitit 1996. Më ka bërë shumë përshtypje fitorja juaj. Po siç e dini ngjarjen, ish-komunistët erdhën përsëri në pushtet, por pas një dimri të gjatë do të vijë përsëri fitorja. Jam i bindur dhe shpresoj që zgjedhjet në qershor apo në korrik do të sjellin përsëri pranverën në fushën politike të Shqipërisë. Në zgjedhjet e kaluara të vitit 1996 ju patët parullën “Me ne fitojnë të gjithë” dhe tani ju keni parullën “Erdhi koha për ndryshim”. Jemi të bindur se është tamam koha për të bërë ndryshimin”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›