Pensionet, një bombë që pret të shpërthejëNga Balkan InsightMe shumë pak kontribues, me shumë përfitues dhe manipulime të shumta, sistemi është gati për t’u shembur. Por asnjë qeveri nuk duket gati për të marrë përsipër reformat e dhimbshme që kërkoh
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Pensionet, një bombë që pret të shpërthejëNga Balkan InsightMe shumë pak kontribues, me shumë përfitues dhe manipulime të shumta, sistemi është gati për t’u shembur. Por asnjë qeveri nuk duket gati për të marrë përsipër reformat e dhimbshme që kërkohen.
“Kur dola në pension në vitin 1995, mësova se qeveria kishte vendosur që të paguante të njëjtën shumë pensioni për secilin, pavarësisht se si kishin kontribuar njerëzit për skemën”, - kujton Shpresa Daja, një ish-menaxhere për 40 vite në një fabrikë në pronësi të shtetit.
“Kështu që për tetë vite m’u desh që të ngushëllohem me një pension prej 60 eurosh në muaj”, - thotë Daja, duke shtuar se, pavarësisht se kishte kontribuar për sistemin gjatë gjithë jetës së saj, sërish i duhet të mbështetet te djali i saj për të mbuluar shpenzimet bazike.
Sipas Omer Stringës, dekan në Fakultetin Ekonomik të Tiranës, Daja i përket “brezit të pafat”, një eufemizëm që lidhet me personat që dolën në pension në mes të viteve ’90.
Kur i gjithë fondi shtetëror i pensioneve u shemb pas presioneve inflacioniste që erdhën si pasojë e rënies së regjimit komunist, vlera e kursimeve të shumë njerëzve ra me shpejtësi marramendëse në pak a shumë asgjë.
Megjithëse pensionet janë rritur gjatë viteve të fundit me 40 për qind ose dhe janë dyfishuar, ekonomistët paralajmërojnë se sistemi rrezikon kolapsin.
Ndërsa qeveria po përpiqet të kontrollojë punën në të zezë dhe të bindë punonjësit të kontribuojnë më shumë për pensionet, ekspertët paralajmërojnë se këto strategji nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar sistemin.
Problemi themelor është se sistemi i pensioneve në Shqipëri ka 400 mijë kontribues dhe 530 mijë përfitues.
Rreth 40 për qind të shpenzimeve të tij mbulohen nga buxheti i shtetit.
Për më tepër, pas pak vitesh, numri i përfituesve pritet të rritet ndjeshëm.
“Skema jonë e pensioneve mund të funksionojë teorikisht me katër kontribues për një përfitues”, - thotë Stringa.
“Por, nëse kjo skemë zbret në tre kontribues për çdo përfitues, sistemi konsiderohet në rrezik.”
“Nëse ka më pak se dy kontribues për përfitues, sistemi mund të konsiderohet i falimentuar.”
Aktualisht në vend ka 0.8 kontribues për përfitues dhe situata po përkeqësohet shumë shpejt.
Kostoja e kësaj disbalance mes kontribuesve dhe përfituesve po rritet.
Sistemi i pensioneve, përfshirë sistemin e sigurimit shëndetësor, tashmë ka një deficit prej 310 milionë eurosh në vit, pak a shumë 10 për qind të buxhetit të shtetit për këtë vit.
Për më tepër deficiti është trefishuar vit pas viti që nga viti 2001.
Megjithatë, pensionistët janë një grup shumë i rëndësishëm votuesish dhe, në vend që të bëjë kursime, qeveritë vazhdojnë të rrisin pensionet, në mënyrë që të fitojnë vota, sidomos në vite elektoralë.
Si rezultat, përpjekjet e qeverisë për të rritur të ardhurat janë përqendruar më pak në shpëtimin e sistemit të pensioneve nga dështimi dhe më shumë në taksimin - gjithmonë e më të madh - të të njëjtit numër shqiptarësh që kanë një punë.
Në vitin 2007 qeveria paraqiti një sistem shumë të kritikuar të pagave të referencës, që detyron punonjësit të paguajnë më shumë te qeveria, edhe pse ekspertët paralajmëruan se ky sistem mund të rikrijojë problemet themelore që çuan sistemin ekonomik komunist në falimentim.
Sipas sistemit të ri është përcaktuar një rrogë minimale ligjore për çdo profesion në sektorin privat. Taksat dhe sigurimet sociale duhet të paguhen në bazë të pagave të referencës.
“Kur mësova për lajmin, isha i bindur se qeveria e kishte urdhëruar pronarin tim të më rriste rrogën”, - thotë Altini, një kamerier në një kafene të Tiranës. “Por më vonë mësova se pronari im duhet të paguante më shumë për shtetin, por paga ime ishte e njëjtë.”
Kur shqiptarët dalin në pension, pavarësisht shumës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, ata sërish do të marrin një pension pak a shumë të përafërt.
Ata që punojnë në sektorin privat përpiqen në mënyrë të paevitueshme që të fshehin shumën reale të pagës së tyre gjatë viteve të fundit, në mënyrë që të shmangin pagimin e kontributeve të larta shoqërore për sigurimin.
Kur qeveria nisi të përballet me këtë problem në vitin 2006, ata zbuluan se menaxherët e bankave deklaronin të njëjtën pagë si punonjësit e fabrikave.
Skema e re e qeverisë për të rritur kontributet është vënë nën kritikë dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare që monitorojnë ekonominë shqiptare.
“Zgjidhja (e krizës së pensioneve) konsiston në të bindurin e njerëzve se pagimi i kontributeve do të sjellë përfitime për ta”, - thotë një përfaqësues i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Qeveria ka mbrojtur lëvizjet e saj. Megjithatë, në muajt e fundit, zyrtarët kanë nisur të diskutojnë një ligj të ri për të privatizuar pjesërisht skemën e pensioneve dhe për të rritur numrin e kontribuesve.
Megjithatë, shumë ekspertë druhen se qeverisë i mungon vullneti i nevojshëm për ta parë siç duhet këtë problem dhe për të marrë masa të forta.
Një tjetër problem është dhe shkalla e lartë e manipulimeve. “Ka dhjetëra-mijëra kontribues që nuk ekzistojnë në skemën e pensioneve dhe ka gjithashtu shumë përfitues që nuk plotësojë kushtet minimale për të marrë pension”, - i tha një burim brenda sistemit të sigurimeve shoqërore Balkan Insight.
“Ne jemi të ulur në një bombë sociale që mund të shpërthejë në çdo moment dhe qeveria që do të përballet me këtë, do jetë shumë e pafat”, - tha ai.
Abuzimet me sigurimet shoqërorë janë tipike në Shqipëri dhe shpesh lidhen me numrin e madh të ish-ndërmarrjeve shtetërore që kanë përfituar nga sistemi duke falsifikuar të dhënat e numrit të viteve që kanë kontribuar në sistem.
“Qeveria duhet të pranojë për herë të dytë në një gjeneratë se ka dështuar për të garantuar vlerën e depozitave të kontribuesve”, - tha i njëjti burim.
“Duhet të paguajë asistencë sociale për ata që nuk kanë kontribuar për pensionet e tyre për 20 vitet e fundit dhe të ofrojë një vlerë reale për ata që kanë kontribuar. Çdo skemë tjetër vetëm sa do e shtynte zgjidhjen e vërtetë të problemeve”, - përfundon ai.