Miti i kthimit të trurit
Kulti i rinisë është i vjetër. Në emër të të rinjve janë konsumuar revolucione, janë projektuar vizione shoqërore, janë mbjellë shpresa mes fatkeqësish e vuajtjesh. Diktatura të të gjitha llojeve janë përpjekur t’i joshin të rinjtë e t’i organizojnë në shoqëri e hierarki me stema e me stimuj. Të rinjtë, me pak fjalë, janë vendosur historikisht në një pozicion kontradiktor: burim shprese por dhe kërcënim në të njëjtën kohë.
Edhe në Shqipëri ky kult ka pasur një histori shpresash, disfatash, dhe kontradiktash. Pas-komunizmi shqiptar, që filloi hezitueshëm nëpër dhomat e lagështa e të errëta të Qytetit Studenti, është shoqëruar vazhdimisht me predikime në emër të të rinjve, qoftë në kuptimin e moshës, qoftë në kuptimin më të gjerë të ndryshimit. Sa më të vjetra dukeshin të rejat e “tranzicionit”, që në fakt ishte një ripozicionim masiv shoqëror, aq më shumë fryhej një shpresë abstrakte dhe nervoze për “të rinj” në politikëbërje.
E lidhur, por jo e njëjtë, me këtë shpresë të madhe është jehona në dukje unanime për kthimin e të rinjve që kanë studiuar jashtë vendit. Ndoshta këto thirrje mbeten abstrakte e ngatërrohen me njëra tjetrën sepse vullneti është minimal dhe premisat të pakta. Ndoshta sepse vetë ata që i bëjnë nuk u besojnë fjalëve që thonë. Ndoshta sepse një shpresë e pafikur jashtë bën më të durueshëm ngatërresën dhe ngatërrestarët brenda.
Ka mundësi që shumë të besojnë me të vërtetë se një injektim rinor nga jashtë do ndryshonte gjithçka, ose të paktën shumëçka, që shkon keq. Nga ana tjetër, në një vend ku sakrifica prindërore për fëmijët është ende mënyrë jetese, thirrjet në emër të rinisë kanë peshë emocionale. Pak rëndësi ka se të rinjtë e politikës shqiptare vjetërsohen tmerrësisht shpejt. Pak rëndësi ka se lëvizjet aktiviste rinore kanë kombinuar mjeshtërisht teknika mediatike të reja me praktika të vjetra vendëse, si mungesa e transparencës dhe armiqësia e theksuar ndaj mendimit ndryshe. Pak rëndësi ka se nuk dihet çfarë vlerë ka prodhuar reklamimi i të rinjve, përveç trampolimit marramendës në politikë të figurave ambicioze.
Por optimizmi i respektueshëm, pesha emocionale, dhe hartimet e zellshme nuk tjetërsojnë dot sfidat konkrete. Ja një shembull. Një arsyetim për kthimin e të rinjve nga jashtë, i përçuar në media pak kohë më parë, vijonte kështu: është më mirë të jesh i pari në fshat (nënkuptohej Shqipëria) sesa i fundit në qytet (domethënë në Perëndim). Një arsyetim i tillë është i gabuar në të paktën tre pika. Së pari, ai vazhdon në linjën e vjetër të të ndarit të botës në “këtu/Shqipëri” dhe “atje/qytetërim,” ndërkohë që shumë të rinj sot nuk duan të jetojnë më me një ndarje të tillë. (Duhet thënë se kjo ndarje ka qenë një nga trashëgimitë më kokëforta të izolimit të pashoq komunist.) Shqiptarët jashtë vendit, sidomos të rinjtë, nuk janë më një masë e njëtrajtshme dhe anonime. Janë forcë ekonomike dhe intelektuale. Së dyti, pohimi aludon gabimisht se thjesht kombësia apo vështirësitë e integrimit në Evropën Perëndimore i lënë shqiptarët detyrimisht të “fundit” në vendet ku studiojnë apo punojnë. Së treti, dhe më e rëndësishmja, aludon gabimisht se kthimi i studentëve do t’i bëjë ata “të parët e vendit.” Mbase një pakicë, Mbase përkohësisht.
Të jemi të qartë: studentët shqiptarë që shkollohen jashtë janë potencial real. Se çfarë potenciali janë saktësisht nuk e dimë, sepse në 18 vjet askush nuk e ka marrë mundimin t’i numërojë, e jo më t’i pyesë çfarë bëjnë e çfarë duan të bëjnë. Kthimi i trurit duhet të trajtohet përfundimisht si një problem teknik, larg frymës së zbrazur patriotike e kultit të rinisë e të artikujve të importit.
Nuk do të jetë e lehtë. Historikisht, elitat shqiptare i kanë parë të diplomuarit jashtë vendit me dyshim, që në vitet e pasluftës, kur të rinjtë shqiptarë dërgoheshin me bursa në demokracitë popullore e survejoheshin për “qëndrimin e tyre moralo-politik.” Thirrjet që të rinjtë jashtë vendit të dalin vullnetarë për të dhënë kontribut në një vend/treg të egër e të pakontrolluar nuk thonë asgjë konkrete se si do të ndryshojnë praktikat përjashtuese institucionale e shoqërore të rrënjosura prej dekadash. Është e vërtetë se Kenedi, që po merr gjithmonë e më shumë përmasa shqetësuese propagandistike në Shqipëri, thoshte: “Mos pyet çfarë bën atdheu për ty, por ti për të.” Por Kenedi jetonte në Amerikë, jo në Shqipëri.
Nëse politikanë e aktivistë do të kishin ndër mend të bënin diçka, do linin konferencat e shtypit dhe pozat televizive për t’i kthyer sytë jo më larg se Polonia, ku largimi masiv drejt Britanisë e Irlandës është luftuar me rroga të majme. Por ndoshta duhet të jemi më pak ambiciozë. Një studim i vitit 2006 i Universitetit të Sussex-it në Britani doli në përfundimin se shumica e kushteve që kërkon një pjesë e mirë e “trurit të ikur” shqiptar janë të paplotësueshme në planin afatshkurtër dhe të mesëm. Studimi i rekomandonte qeverisë thjesht një “motivim material me paga konkurruese të personave me master dhe veçanërisht me doktoraturë që kthehen në institucione akademike.” Kaq. Më tej se kaq, futemi në sferën e retorikës dhe jo të vullnetit dhe mundësive reale.
Si çdo gjë tjetër, kthimi i studentëve shqiptarë është një zgjedhje personale që sipas kontekstit mund të jetë e mençur ose jo. Veshja e kësaj zgjedhjeje me nota historike apo kombëtare është thjesht, siç thonë anglo-amerikanët, good old politics.
*Departamenti i Historisë, Princeton University, SHBA