Një post nuk ka vetëm privilegje, por edhe detyrime
Sikur të mos më dënonte ligji, megjithëse jam human, të gjithë ata që prenë dhe ende presin pyjet, do t’i ndëshkoja rëndë dhe fare pa mëshirë. Po të udhetosh që nga Vermoshi i Veriut, deri në Konispol në jug dhe nga Vërniku i Bilishtit në lindje deri në Seman në perëndim vëren një prerje masive të pyjeve. Nga kjo prerje vendi u tjetersua dhe mori një pamje të shëmtuar.
Pjesa më e madhe e atyre që prenë pyjet e bënë nga nevoja e paraqitur. Disa të tjerë e bënë këtë veprim për t’u pasuruar. Që të rritet një pemë qoftë frutore ose e egër duhen mjaft vite dhe dekada. Një person i paformuar e pret pemën për disa minuta.
Thonë se në disa shtete të botës dënohet rëndë po të presë tjetri një pemë. Dikur për një degë të prisnin njërën dorë. Një plep i rritur plotësisht brenda 24 orësh avullon 200 litra ujë. Nga ky avullim krijohen edhe reshjet. Vite më parë sasia e reshjeve ka qenë më e madhe se vitet pasuese. Asnjë vend nuk mbeti pa u prere, por mjafton të përmendim disa prej tyre.
U prenë pyjet më të mëdha të Pukës, pyjet e Librazhdit, të Pogradecit, të Gërmenjit, të Bofnjës së Korçës. Së bashku këto dhe të tjera ishin për vendin tonë mushkëria e oksigjenit, sikundër është Amazona për planetin tonë. Nga shfarosja e pyjeve po humbet jo vetëm flora, por edhe fauna. Mjaft specie nuk po ndihen për të kënduar.
Vini dorë, ju njerëz që keni marrë përsipër qeverisjen e këtij vendi. Posti nuk është vetëm privilegje dhe luks, ka edhe detyrime ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj këtij vendi. Asnjëherë nuk është vonë. Më mirë vonë se kurrë thotë populli.