E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miti i themeluesit

metNga Met Dervishi

Dorëheqja e z. Berisha në kushte normale dhe të kishte qenë reale do të krijonte kushtet për një katharsis në Pd. Përkundër kësaj, dhe zëra kritikë brenda Pd-së të krijojnë përshtypjen sikur i luten udhëheqësit të tyre të djeshëm, që të bëhet mënjanë dhe ta lerë Pd-në në fatin e vet. Këta, në një mënyrë ose tjetër, i kujtojnë z. Berisha se gjatë këtyre njëzet vjetëve ai ia ka ngritur monumentin vetes, na ka futur në Këshillin e Europës, në NATO, etj., ka bërë dhe ndonjë gabim, (zgjedhjet e 96-tës për ta nuk ekzistojnë, as 97-ta për ta nuk ekziston, as Gërdeci, as 21 Janari),  dhe duket sikur i kujtojnë që ai është monument në zemrën e tyre dhe tani që sështë më në krye të partisë.

Këtu, te monumenti, përveç vizave, NATO-s etj., etj., i rikthehen me pasion dhe mitit të themeluesit të Pd-së nga z. Berisha. Një mit ky që, megjithëse gjatë këtyre njëzet vjetëve janë dhënë plot dëshmi për të kundërtën, vazhdon të përsëritet paturpësisht, edhe pse z. Berisha është cituar drejtpërdrejtë tu thotë studentëve Unë e kam partinë time, ju e gëzofshi tuajën!.

Rikthimi i refrenit të themeluesit, përveçse me Pd-në, ka të bëjë me mendësinë postkomuniste të shoqërisë sonë. Sepse miti i themeluesit  e ka burimin te Enver Hoxha dhe te monumentin që i ngriti këtij propaganda komuniste. Gjatë këtyre njëzet vjetëve duket sikur kemi bërë mjaft për ta çmontuar mitin e Enver Hoxhës, shpesh dhe pa objektivitet, ndërkaq, mekanizmi i ngritjes së miteve të rinj funksionon, madje paturpësisht, megjithëse miti për themeluesin nuk ka themel.

Sa për z. Berisha dhe Enver Hoxhën, ka dhe një pikëtakim interesant që i bashkon të dy: miti i themeluesit për ta ka një tipar të përbashkët, se, përveç të tjerave është rrenë. Për njërin kjo rrenë u bë e vërtetë duke u përsëritur vazhdimisht për rreth tridhjetë vjet. Për tjetrin, njëzet. Në fakt, si njëri, si tjetri, në raport me partitë respektive që i nënshtruan kanë qenë të dy furacakë, dm.th. zogj që kanë ngrohur vezën e të tjerëve duke hyrë vjedhurazi në foletë e tyre. Dhe zogj të tillë ka plot në historinë tonë.

Këta të dy kanë dhe një gjë tjetër të përbashkët. Nëse Enver Hoxha e ngriti mitin e themeluesit, pasi u bëri gjëmën të gjithë themeluesve dhe u mbylli gojën, edhe z. Berisha, në rrethana të tjera,  ka bërë të njëjtën gjë me themeluesit e partisë së vet: ose u ka mbyllur gojën, ose i ka mbytur me propogandë të vërtetat e tyre. Këtu kemi një ngushëllim: versioni i Enver Hoxhës, që u bë zyrtar në kohën e tij, tashmë është bërë fërtele. Çka premton që të njëjtin fat do të ketë dhe versioni i siamezit të tij, z. Berisha.

Megjithatë, fakti që ende Pd-ja insiston në versionin e themeluesit të vet, është shqetësues. Jo se ka ndonjë rrezik që ky version të bëhet dominant, por se sa më tepër këmbëngulet për të, aq më problematik do të jetë për shoqërinë shqiptare ndarja me postkomunizmin. Një milionë vota ishin të mjaftueshme për tu ndarë me z. Berisha, por nuk janë ende të mjaftueshme të ndahemi me praktikat postkomuniste të lidershipit shqiptar.

Mbijetesa politike e z. Berisha, me gjithë katrahurat e tij, ska të bëjë as me Ramiz Alinë, as me komplotet e Katovicës, as me lobingjet pro e antishqiptare. Ajo ka të bëjë me faktin e thjeshtë që jemi ende një shoqëri postkomuniste e për më tepër rurale, që përtyp mite, edhe kur ka të bëjë me rrena sade.

Partia demokratike u formua si një aspiratë europiane. Sështë shqetësues fakti që ajo u drejtua nga një ish- komunist, se kemi qenë vendi i vetëm stalinist në Europë. Por është shqetësues fakti që ai mbijetoi në krye të asaj partie për njëzet e dy vjet. Dhe ende qëndron i kapur me mish e me thonj pas saj. Aq sa të krijohet përshtypja që do ta marrë me vete.

Deliret e z. Berisha kanë të bëjnë sa me faktin që ai është një lider tipik postkomunist, dhe sa me faktin që që ai është një lider tipik rural. Pjesa më e madhe e lidërëve tonë tradicionalë kanë qenë me patllake dhe cuba, kurse ky, patllake ska po ka antiplumb, ka dhe bodygardë, që kanë zënë vendin e cubave.

Shkurt, tek kjo mbijetesë e tij, duken hapur dy difektet  e mëdha të shoqërisë sonë, postkomunizmi i tejzgjatur dhe ruraliteti. Në fund të fundit,na  duhet të pranojmë që ende jemi një shoqëri e cila ende nuk e kupton historinë si proces, por si punë individësh. Një shoqëri që i thotë Astrit Patozit se ke dashur të bëhesh kryetar, prandaj fole.  ose se ke dashur të jesh ministër a po ku di se çfarë. Apo që i thotë Sokol Olldashit së bashku me liderin e vet rural ta bëmë tetë me dy. Një shoqëri që i vesh liderëve kalimtarë epitetin e frikshëm historik, pra një shoqëri që e kupton aktualitetin si historik, siç e kuptonin atë komunistët.

I kemi rrëzuar vërtet ata? Monumenti që duan të ngrenë edhe me mitin e themeluesit për z. Berisha tregon që ende kemi punë për të bërë. Në fakt, skemi punë me deliret e postkomunistit Berisha, që, me sa duket do të zgjasin shumë, madje dhe do të përkeqësohen, por me veten. Mbijetesa e delireve të tij është njëkohësisht dhe indeksi i problemeve që kemi si shoqëri.

Shkurt, kemi dhe një mit tjetër për të rrëzuar jo për të qenë sa më pranë Europës, por për të qenë Europë. Kështu do ti kthehemi, më në fund, aspiratës së themeluesve të vërtetë të Pd-së, nga e cila kemi devijuar jo vetëm për shkak të z. Berisha, por për shkak të vetes.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›