E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi Fushata po mbyllet pa debat protagonizmi i tifozeve i tepruar

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot në Presidencë një grup të rinjsh, drejtues dhe përfaqësues të Parlamentit Rinor shqiptar.

Presidenti foli me të rinjtë mbi zgjedhjet e 8 Majit, duke i cilësuar mjaft të rëndësishme, sepse sipas tij, ato janë zgjedhje, të cilat rinovojnë institucionet e kryetarëve të bashkive e komunave dhe rinovojnë parlamentet lokale.

“Padyshim që ne kemi pritur që zgjedhjet e datës 8 maj të jenë zgjedhje sipas të gjitha standardeve.

Çdo qytetar në Shqipëri, çdo institucion ka kontributin e vet, por në radhë të parë, kontributi për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme është tek partitë.

Performanca e partive, e kandidatëve të tyre do të bëjnë të mundur që ne të marrim notë pozitive, që kur të hartohet Raporti i Komisionit Evropian të kemi një vlerësim pozitiv dhe jo vlerësime, të cilat janë të një natyre shumë relative.

Përmenden momente pozitive, por jepen edhe mjaft momente, të cilat nevojiten që të përmirësohen”, tha Topi.

Duke shtuar se ne kemi parë dhe vazhdojmë të shohim një përballje të ashpër, ndoshta jo dhe aq shumë të kandidatëve midis tyre, por të stafeve, por kjo është një veçori e këtyre zgjedhjeve, por edhe të përfaqësuesve të medias. Media është një instrument i jashtëzakonshëm i demokracisë.

“Unë kam konstatuar personalisht, dhe padyshim që vjen në sens kritik : ashpërsi në komunikim, retorikë të ashpër, e cila transmetohet tek ambienti publik në mënyrë të tillë që vjen e përkthehet edhe në momente dhune.

Pra ajo që është e papranueshme në realitetin tonë është përdorimi i dhunës, pavarësisht nga votimi, por ajo që është shumë e rëndësishme dhe dëshiroj ta ndaj me ju sot dhe ta përcjell tek politikanët, tek ata që angazhohen drejtpërdrejt me stafet e kandidatëve, tek vetë kandidatët, pavarësisht se konkurojnë për bashki apo komuna, që të injektojnë një klimë të qetë në përmbyllje të fushatës”, tha Topi.

Duke përfunduar se do të dëshironte që në këto zgjedhje të mos kishim një përballje tifozësh.

“Sepse shohim që ka më shumë protagonizëm të tifozëve, ka më shumë protagonizëm të analistëve të medias, se sa të kandidatëve drejtpërdrejt.

Kjo është një eksperiencë botërore, ky është një model perëndimor që kandidatët në përgjithësi shpalosin vizionin e tyre, idetë e tyre.
”Duhet të ketë përplasje të vizioneve, përballje të vizioneve.

Në rast se ne mendojmë që i mbyllim këto me një debat, edhe atëherë themi që kemi pamjaftueshmëri.

Duhet të ketë disa debate.

Fatkeqësisht, kjo periudhë e fushatës elektorale iku pa debat.

Njerëzit e kanë këtë mundësi.

Pra, roli i jashtëzakonshëm i medias të jep mundësinë që nëpërmjet ekraneve televizive të kesh mundësi që duke u përballur disa herë kandidatët midis tyre, të japin vizionet specifike për qytetin.

Pra, një qytet është shumë dimensional.

Nuk mund të diskutosh thjesht për infrastrukturë. Njerëzit nuk kanë nevojë vetëm për rrugë, që gjithsesi janë shumë të rëndësishme. Njerëzit kanë nevojë për shërbime, pra mund të diskutosh për politikat e shërbimeve.

Mund të diskutohej për infrastrukturë rrugore, mund të diskutohej për artin, kulturën, që është një dimension i jashtëzakonshëm shpirtëror i qytetit, mund të diskutohej për sportin”, përfundoi fjalën e tij kreu i shtetit para të rinjve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›