Mitingu “Një komb, një qëndrim” 10 vjet më pas
Dhjetë vjet më parë, më 6 mars 1998, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u mbajt mitingu me temë: “Një komb, një qëndrim!” Mitingu ishte nismë nga PD dhe u mbështet nga të gjitha forcat politike.
Takimit, të cilit iu përgjigjën mijëra qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, ishte në përkrahje të vëllezërve kosovarë, të cilët ishin nën terrorin e paparë të agresionit serb.
Si kryetar i Këshillit Bashkiak, të gjithë forcat politike kishin rënë dakord që unë të isha moderator i takimit.
Në fillim u mbajt një minutë heshtje për të rënët e Kombit. Pastaj, sipas një protokolli të parapërgatitur, ia dhashë fjalën presidentit, Rexhep Meidani, kryetarit të Partisë Balli Kombëtar, Hysen Selfo, në emër të koalicionit qeveritar, Pandeli Majko, Sekretar i Përgjithshëm i PS, në emër të grupimit politik e D.B.SH, Maksim Begeja, që ishte edhe nënkryetar i PRSH, në emër të shoqatës patriotike “Kosova” kryetarit, Murat Gjonbalaj. Në fund, nëpërmjet entuziazmit të pafund, përshëndeti kryetari i PD, Sali Berisha.
Në mungesë të fjalës së oratorëve që folën në miting, unë po shkruaj se çfarë thashë në fjalën e hapjes:
Vëllezër dhe motra!
Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë!
Jemi mbledhur në këtë miting madhështor dhe kombëtar për të shprehur përkrahjen tonë për popullin e Kosovës që sot lëngon nën terrorin e paparë të agresionit serb.
Sot, të gjithë ata që i thonë vetes shqiptarë, thërrasin njëzëri: “Një komb, një qëndrim!”
Qëndrimi ynë është: Ndal agresionit! Liri popullit shqiptar në Kosovë! Jemi të gjithë bashkë, pa dallime partiake, por të bashkuar rreth flamurit tonë kombëtar si një trup i vetëm për të ndalur dorën gjakatare të agresorëve mbi Drenicën dhe mbi mbarë Kosovën. Drenica e pamposhtur si asnjëherë, vendi i Azemit dhe Shote Galicës, është sot, si dhe herët e tjera në ballë të luftës. Prej vitesh janë munduar ta nënshtrojnë Kosovën, djepin e shqiptarizmit, por asnjëherë pushtuesit serbë nuk ia arritën qëllimit. Ashtu si nuk ia kanë arritur më parë, nuk do të arrijnë as sot, as kurrë, sepse shqiptarët në raste të tilla do t’i thonë ndal agresionit gjakatar serb, do t’i thonë ndal kasapit të shqiptarëve, kriminelit Millosheviç, të cilët po marrin jetë të pafajshme të një populli të paarmatosur që e ka të shenjtë lirinë dhe flamurin.
Sot, me agresionin e tij, Beogradi kërkon të realizojë ëndrrën e kahershme të spastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre. Shqiptarët me mençuri, me trimëri dhe me përkrahjen e Amerikës dhe mbarë botës demokratike do të dinë t’i japin përgjigjen e merituar barbarizmës së re në këtë fundshekulli.
Shqiptarët e Kosovës janë të vendosur të mbrojnë çdo pëllëmbë të tokës së tyre të shenjtë, sepse ajo është larë me gjakun e dëshmorëve të kombit. Me Kosovën është çdo njeri që i thotë vetes shqiptar dhe që e ka të shenjtë flamurin kombëtar.
Shqipëria është një trung me katër degë: Kosovë, Gegëri, Toskëri e Çamëri. Kush prek një degë, ka prekur trungun. E trungu i përgjigjet i gjithi i bashkuar, i madh dhe i vogël. Kështu do të jenë të bashkuar të gjithë shqiptarët në të gjithë botën, kur preken interesat e tyre madhore. Ne shqiptarët, kudo që jemi në tokën mëmë, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e diasporë, me vendosmëri e gjakftohtësi jemi të gatshëm për të reaguar ndaj agresionit serb për të mbrojtur të drejtat tona, fëmijët tanë.
Sot më shumë se kurrë malet e Sharrit, të Korabit, Dajtit, Tomorit e Çajupit janë pranë njëri-tjetrit. Ata kanë parë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë që kanë jetuar e luftuar në trojet e tyre me besë, krenari, ndershmëri e trimëri, pa i rënë në qafë askujt. Të tillë do të mbetemi edhe ne.
Rroftë Kosova e lirë!
Dhjetë vjet pas atij takimi madhështor, Kosova e ka arritur lirinë. Mitingu i madh dhe të gjitha përpjekjet e mëvonshme ia arritën qëllimit. Zotësia e shqiptarëve është se, kur ishte fjala për Kosovën, të gjithë ishin së bashku me një fjalë. Ishte amaneti i shumë brezave që ëndërruan dhe luftuan për Kosovën.
Po të shikoni me kujdes fotografinë (shiko foton lart), në radhë të parë duket një njeri me kapele. Ai është Osman Kazazi ose lalë Osmani, siç e thërrisnim ne. Nuk kishte si mungonte ai në këtë takim. Nuk kishte si mos ishte në radhë të parë. Ai bëri afro 40 vjet burg për Shqipërinë dhe për Kosovën. Kur mbaroi takimi, më tha: “Nuk di a do të arrij ta shoh Kosovën të lirë.”
Ai nuk arriti. Vdiq një vit më vonë. Unë dhe të gjithë ne i themi sot atij: Lalë Osmani, Kosova u kry!