E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çudia e Berishës, kundërshton veten në mbledhjen e qeverisë

• Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur dje se qeveria do të zvogëlojë në maksimum procedurat burokratike për dhënien e licencave dhe lejeve duke krijuar “one stop shop”, e njëjta procedurë me regjistrimin e bizneseve. Duke folur në mbledhjen e radhës së qeverisë, Kryeministri Berisha vuri në dukje se kjo praktikë është provuar në disa vende, si një sukses i madh në shërbim të biznesit. Ajo ka reduktuar kohën e marrjes së një licence nga 90 ditë mesatarisht, në 10 ditë. Kjo praktikë ka ulur me 30-40 herë korrupsionin në fushën e licencave. “Shqipëria duhet ta instalojë dhe do ta instalojë me shpejtësi këtë praktikë, cilado që të jetë kostoja dhe çmimi i saj, sepse është praktika më moderne e lëshimit të tyre”, tha Kryeministri. Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Punëve Publike dhe të gjitha ministrive që të shqyrtojnë ligjet me të cilat do të instalohet ky sistem, duke nënvizuar se kryesisht bëhet fjalë për lejet e ndërtimit dhe ndonjë leje tjetër e rëndësishme. Por ndërkohë që ka artikuluar këtë ide në mbledhjen e qeverisë, si për ironi ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango ka paraqitur projektvendimin për procedurat dhe kriteret e licencimit për ushtrimin e veprimtarisë botuese. Në pikën 1 të këtij projektvendimi thuhet se “çdo subjekt, person fizik/juridik, vendas a i huaj, që kërkon të licencohet për ushtrimin e veprimtarisë botuese, duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”. Sipas vendimit i gjithë procesi i licencimit kalon nga ministri Pango. a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›