E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat, ndërkombëtarët luajtën rol deciziv në parandalimin e përshkallëzimit të dhunës

Ambasadori Withers dhe shumë diplomatë të huaj, të pranishëm në vendngjarje. Ambasadorët negociuan me palët për të normalizuar situatën

Shaban Sulçe

Faktori ndërkombëtar ka luajtur një rol përcaktues dhe deciziv për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës dhe uljen e tensioneve midis dy kampeve në konfliktin më të rëndë të ndodhur gjatë kësaj fushate elektorale. Pikërisht kur përpara selisë së Kryeministrisë situata u tensionua dhe forcat e policisë u përplasën me zyrtarët dhe aktivistët e Partisë Socialiste, përfaqësuesit ndërkombëtarë jo vetëm që kanë qenë të pranishëm dhe janë njohur në terren me situatën, por kanë zhvilluar takime dhe negociata si me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ashtu dhe me përfaqësuesit e qeverisë dhe me kryeministrin Sali Berisha. Më aktivi në këtë drejtim ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John W. Withers, roli i të cilit ka ndikuar në mënyrë të padiskutueshme që situata të ç’tensionohej dhe dhuna të mos përshkallëzohej.

Withers
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John W. Withers, ka qenë i pranishëm në vendngjarje gjatë incidenteve të djeshme. Fillimisht ambasadori amerikan ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit dhe zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste, ku është njohur me pretendimet e tyre. Pas këtij takimi ambasadori është pyetur nga përfaqësuesit e medias për të komentuar situatën, por ai nuk ka dhënë asnjë koment të tepërt: “Kam ardhur vetëm të shoh situatën”, - ka thënë kreu i Ambasadës Amerikane, i cili i ka kushtuar më shumë rëndësi veprimit, sesa komenteve. Pas disa momentesh ambasadori amerikan ka ecur në këmbë drejt selisë së Kryeministrisë, ku duket se ka negociuar me palën tjetër, në mënyrë që situata të ç’tensionohej dhe t’i kthehej normalitetit.

Bosh
Gjatë incidenteve të djeshme të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara selisë së Kryeministrisë kanë qenë të pranishëm mjaft ambasadorë, vëzhgues dhe përfaqësues të trupit diplomatik, të cilët kanë ndjekur nga afër situatën. Ndërkaq, ambasadori i përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, ka ndjekur nga afër situatën jo vetëm gjatë paradites së djeshme, por edhe në mbrëmjen e dy netëve më parë, kur nisën edhe përplasjet e para midis policisë dhe Partisë Socialiste. Edhe gjatë paradites së djeshme, Bosh është takuar me deputetët socialistë, Fatmir Xhafaj dhe Kastriot Islami, si dhe me kryetarin e Partisë G99, Erion Veliaj. Më pas ai është angazhuar për të negociuar edhe me qeverinë, ku ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të situatës. Faktori ndërkombëtar në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë apel klasës politike shqiptare që të kontribuojë dhe të angazhohet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke filluar nga ambasadori amerikan John W. Withers si dhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, kanë deklaruar se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e 28 qershorit të zhvillohen sipas standardeve dhe se në rast se zgjedhjet do të cenohen, nuk do të pranohen justifikimet nga klasa politike.

Papandreu për konfliktin e djeshëm: “Praktika të tilla janë të papranueshme”

Presidenti i Internacionales Socialiste dhe njëkohësisht kryetari i PASOK-ut në Greqi, Jorgos Papandreu, e ka cilësuar të papranueshëm konfliktin e ndodhur gjatë ditës së djeshme për përgatitjet e takimit përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Socialiste. Pas takimit që ka pasur me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, Papandreu theksoi se praktika të tilla të kujtojnë kohët autoritare, ndërkohë që ai vuri theksin në rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. “Do të donim të shihnim që këto zgjedhje të ishin të lira dhe të drejta dhe sigurisht me elementet që kemi parë kohët e fundit në TV, dje edhe sot. Kjo nuk është një shenjë e mirë, nuk është një sinjal i mirë që po i jepet botës, Europës. Këto janë praktika që na kujtojnë kohët e vjetra, kohët autoritare, dhe janë praktika të cilat mendoj që nuk kanë miratimin e popullit shqiptar, që dëshiron të shohë një Shqipëri europiane, me perspektivë për integrimin në BE, për të qenë pjesë e familjes sonë të gjerë demokratike”, - tha Papandreu. Kreu i Internacionales Socialiste ka premtuar se në rast se do të zgjidhet kryeministër i Greqisë, do të angazhohet për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Europian. “Unë personalisht kam punuar me Edi Ramën për hartimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Në takimin tonë në Selanik, kur unë isha ministër i Jashtëm, kërkova që të merrej një vendim nga BE-ja për ta përfshirë të gjithë Ballkanin Perëndimor në BE dhe nesër nëse grekët vendosin, që unë të jem Kryeministër, unë do të jem kampion i perspektivës së përfshirjes së Ballkanit dhe Shqipërisë në BE dhe shpresoj që të kem mundësinë të bashkëpunoj me drejtuesin e ri të Shqipërisë, Edi Rama”, - tha Papandreu, i cili i uroi fitoren Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit.

Berisha: “Incidenti ishte provokacion i ulët i Ramës”

Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar incidentin e djeshëm si një provokim të ulët të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas Berishës, e gjithë kjo insinuatë ka ndodhur pasi rivali i tij Edi Rama ka frikë nga mospjesëmarrja në mitingun elektoral të Partisë Socialiste. “Edi Rama organizoi një provokacion ordiner. E bëri këtë edhe për faktin se sheshet nuk i mbush dot. Meqenëse nuk i mbush sheshet, i lamë këtë rrugën këtu, le ta bëjë aty mitingun. Por sheshet janë për festat e mëdha. Nuk e bën dot, le ta mbajë. Leqë më thanë edhe tjetrën, se po bëhej gati të shpallte bojkotin. Lëre, thashë, hiqja pretekstin. Kishim një projekt ne, e ndryshuam. Nuk prish fare punë, ishte një projekt fare i thjeshtë. Le ta bëjë. E rëndësishme është që ai zgjedh vend të ngushtë dhe jo hapësira. Se çfarë do t’i sjellë ajo?! Unë nuk kisha ndonjë gjë tjetër, pasi ju e dini, që kur ka ardhur ai për të protestuar unë kam dalë dhe e kam përshëndetur. Këtu ka protestuar me qindra herë, ka ardhur edhe vetë ai në krye të protestës dhe kam dalë dhe e kam salutuar”, - tha kryeministri Berisha.

Rama: “Ngjarja përbën një turp të madh për Berishën”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka fajësuar kryeministrin Berisha për incidentin e ndodhur dje për përgatitjet e mitingut përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Socialiste.
“Njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara, por kjo lloj shprehjeje primitive e dëshpërimit dy ditë përpara zgjedhjeve nga ana e njeriut që qeveris Shqipërinë e sapo anëtarësuar në NATO, tregon dhe njëherë se sa i padenjë është Sali Berisha për të drejtuar këtë vend. Çdokujt në vendin e tij të çonte nëpër mend këtë që kryeministri në ikje bëri sot, duke shqetësuar qytetarët e këtij vendi dhe duke e vënë në pozitë të vështirë Shqipërinë përpara syve të të gjithë botës, që na ndjek me vëmendje në çdo hap drejt provimit të madh të 28 qershorit. Dhe ky turp është një arsye më shumë që të gjithë të votojnë më 28 qershor për ta mbyllur kapitullin e politikës së vjetër që rron duke nxitur dasi e sherre dhe për të hapur një kapitull të ri, ku politika të mos na japë arsye vetëm për t’u ndarë në pikëpamje, por edhe motive për t’u bashkuar kur duhet si shqiptarë e për t’u mirëkuptuar gjithnjë si qytetarë”, - u shpreh Rama.

Presidenti i PPE-së: “Do të mbështesim Berishën për liberalizimin e vizave”

Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim Presidentin e Partive Popullore Europiane, Wilfried Martens, i cili erdhi në Shqipëri për të mbështetur Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Presidenti Martens shprehu kënaqësinë e tij për ndryshimet rrënjësore që ka pësuar Shqipëria gjatë qeverisjes aktuale. Duke shprehur mbështetjen e plotë për kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike, Martens theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit. Ai deklaroi se PPE do të angazhohej për të mbështetur kryeministrin Berisha për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian. “Kam ardhur këtu për ta mbështetur zotin Berisha në këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të të gjithë rajonit, për të pasur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen europiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin. Edhe njëherë unë jam i bindur se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së. Ne do ta mbështesim kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për të realizuar liberalizimin e vizave në BE”, - tha Martens.

27 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›