Si do të "pastrohet" politika nga njerëzit e diktaturës

“Nëse dëshmia është kosto politike dhe dekomunistizimi prek ndokënd, atëherë Zoti qoftë me ta”. Kjo është deklarata e fundit e Agron Tufës
Nëse masakra e 26 shkurtit 1951 që kujtohet sot nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, do të shërbejë për hapjen e një etapë të re për zbardhjen e krimeve komuniste në Shqipëri, pa dyshim kjo histori unike e pushkatimit të 22 intelektualëve do të jetë ngjarje edhe e këtyre 20 vjetëve. Për herë të parë do të mund të flitet për të vërteta, që vetëm sa janë belbëzuar, edhe pse dëshmi e shumë materiale arkivore nga diktatura janë bërë të njohura prej mediave. Por çfarë ka munguar në gjithë këto vite, është prania e një institucioni ligjor, që të marrë përsipër autoritetin zyrtar, shtetëror për mbledhjen e dëshmive dhe njohjen e tyre dhe këto të mos u nënshtrohen as interesave politike, dhe as interesave të individëve të implikuar me diktaturën.
Evokohet sot masakra që bëri diktatura komuniste me 22 intelektualët e ’51-shit, që njihet si historia e bombës në Ambasadën Sovjetike, prej së cilës njihen këto fakte: emrat e skenarit dhe vendimit për pushkatimin e tyre, emra realë dhe personazhe të patrazuara në jetën e tyre edhe pas rënies së komunizmit; në ‘94 është gjetur varri masiv, ku është identifikuar vetëm një viktimë, ndërsa ekziston një libër 300-faqësh i Uran Butkës, vetëm për këtë ngjarje; gjithçka në këtë masakër u hartua sipas listave të zeza të Byrosë Politike të KQ të udhëhequr nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.
“Ajo është nata e “Shën Bartolomeut” komunist, për të cilën nuk është folur ndonjëherë me sistematikën dhe dinjitetin që meriton të kujtohet”, - thotë shkrimtari Agron Tufa, i zgjedhur prej korrikut të kaluar, me miratim nga Parlamenti, kryetar i Institutit të Studimeve për Krimet Komuniste. Është veprimtaria e parë e institutit dhe për Tufën kjo shënon një nga momentet më domethënëse, për shkak se sjell një ndër përvojat më naziste të gjenocidit mbi intelektualët, mbi bindjet dhe mendimin e lirë, duke i pushkatuar ata pa gjyq e pa varr.
Në intervistën ekskluzive për “Standard”, Tufa na shpjegon për herë të parë se cili do të jetë misioni i institutit, raporti i tij me arkivat sekrete, dosjet dhe dëshmitë që do të mblidhen për njerëz që kanë edhe poste administrative, të implikuar me diktaturën.
Vendosja e një shkrimtari në krye të një institucioni të tillë, kur përvojat nga ish-vendet komuniste nuk mungojnë, edhe pse përjashtohet disidenca, për Tufën është e mjaftueshme ndërgjegjja dhe ndjeshmëria intelektuale për t’i shkuar të vërtetës mbi krimet e diktaturës. Nëse për arkivat deri tani ekziston skepticizmi i fshehjes së informacionit dhe teoritë e zhdukjes së dosjeve, Tufa siguron se instituti do ta kryejë misionin e tij “me ekspertizë të lartë e të pazhdukshme”, ku gjithashtu, me mbledhjen e dëshmive faktike, të ndikojë në domosdoshmërinë e “zhbllokimit të ligjit mbi dosjet ose Iustracionin”.
Nëse këto dëshmi do të kenë kosto politike dhe dekomunistizmi prek ndokënd, “atëherëë Zoti qoftë me ta”, - është deklarata e fundit që lëshon Tufa për një nga proceset më të vështira shqiptare, të panisura ende që do të mund të cilësohej si “a”-ja e demokracisë sonë.
Historia e masakrës së 26 shkurtit 1951 është tashmë e njohur, por familjarët nuk dinë varret ku u groposën masivisht 22 intelektualët e pushkatuar dhe ekzekutuesit kanë vetëm emrat, asgjë më tepër. Është fjala për dënimin e krimit përtej tregimit të historisë. Sot përkujtohet kjo ngjarje, pse instituti që ju drejtoni, e sjell në vëmendje?
Historia e masakrës së 26 shkurtit 1951 ishte projektuar si shkas për spastrimin e intelektualëve më të shquar properëndimorë, me bindje antikomuniste. Ata u pushkatuan pa gjyq, pa fakte, pa dëshmitarë, me një procedurë të reduktuar 5-ditore, thjesht për t'i treguar Stalinit zellin dhe besnikërinë e ndjekjes së kursit dhe parimeve të tij. Të gjithë u pushkatuan jo larg Tiranës, në një vend buzë lumit Erzen. Në vitin 1994 u gjet varri, por me përjashtim të të vetmes grua të pushkatuar (shkencëtarja Sabiha Kasimati), të tjerët nuk ishte e mundur të identifikoheshin. Kështu, familjarët ranë në ujdi "të mos i ndanin", sepse "kishin kaluar një jetë të tërë bashkë". Varrin e tyre të përbashkët e shpërngulën në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku për çdo vit, trashëgimtarët e tyre, bijtë, nipërit e mbesat i përkujtojnë me kurora lulesh.
Nga ana tjetër janë të ditur dhe të konfirmuar sipas dokumenteve të gjithë ata që morën pjesë në skenarin e vendimit për pushkatimin e tyre. Emrat janë realë dhe personazhe të patrazuara në jetën e tyre të qetë e idilike pas rënies së komunizmit. Gjithçka në këtë masakër u hartua sipas listave të zeza të Byrosë Politike të KQ të udhëhequr nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, që drejtoj unë, e ka nisur aktivitetin e tij shkencor e përkujtimor, pikërisht me këtë masakër terroriste, e cila për nga përmasat e saj është e pashoqe në praktikën e dhunës komuniste në krejt Lindjen. Ajo është nata e “Shën Bartolomeut” komunist, për të cilën nuk është folur ndonjëherë me sistematikën dhe dinjitetin që meriton të kujtohet. Megjithatë, ekziston një monografi dokumentare 300-faqëshe e historianit Uran Butka, unikale në llojin e vet, me titullin "Një bombë në ambasadën sovjetike". Instituti ynë e nis punën e tij me këtë aktivitet përkujtimor dhe akademik, për të sjellë një ndër përvojat më naziste të gjenocidit mbi intelektualët, mbi bindjet dhe mendimin e lirë, duke i pushkatuar ata pa gjyq e pa varr.
Instituti i Studimit të Krimeve Komuniste është krijuar vjet, me miratim nga Parlamenti. Asnjëherë nuk keni treguar në media çfarë do të ketë në fokus jeta e tij?
Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri është krijuar në analogji me rrjetin e instituteve homologe në gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, me një statut dhe ligj të hartuar nga organizmat e BE. Shqipëria është e fundit që e krijoi. Jemi ende në "ekzil", pasi këto ditë po shqyrtohen me vullnet të mirë zgjidhjet përfundimtare të buxhetit, zyrave dhe strukturës, ndonëse nga zgjedhja e bordit në Parlament ka kaluar pothuajse një vit. Veprimtaria shkencore, studimore e përkujtimore e institutit është e parashikuar në statut. Ajo është një veprimtari e pavarur, por hyn në kategorinë e instituteve shtetërore me varësi nga Parlamenti.
Puna jonë qendrore janë studimet e kualifikuara me ekspertizë të lartë dokumentare e monografike mbi veprimtarinë e jashtëligjshme terroriste të ushtruar mbi qytetarin shqiptar në kohën e diktaturës komuniste, mbi pasojat që kanë lënë tek qytetarët shqiptarë shkeljet e lirive dhe të drejtave të tyre, mbi cenimin e interesit kombëtar dhe krijimin e një psikoze terrori. Përveç studimeve mbi segmente të caktuara të ushtrimit të pushtetit komunist në periudha të ndryshme, do të shqyrtohen, zbulohen dhe evidentohen ngjarje të panjohura deri më tash, duke iu referuar të gjitha arkivave të mundshme qendrore e lokale, të cilat kanë qenë sekrete e të hermetizuara. Natyra e studimeve dhe dëshmive ka karakter historik, njohës e edukativ. Do të zbardhen mistere të natyrës historike, letrare e shkencore. Ndërkohë, do të sistemohen e përpunohen dëshmitë, objektet, instrumente të kujtesës individuale e kolektive si ditarët, epistolarët, memuaristika - një zhanër ky mjaft i përhapur, por mjerisht i papërfillur, i keqbotuar, që nuk ka krijuar deri më sot tërësi e rezonancë. Ndër të tjera, projektet tona përfshijnë edhe një fushë të ndjeshme të muzealizimit të objekteve, kërkimit e grumbullimit të dëshmive, simboleve përkujtimore nëpër burgje, kamp-burgje e vende të tmerrshme internimi. E gjithë kjo veprimtari kalon nëpër disa nivele dhe plane të bashkërenduara që përbën edhe filozofinë e qasjes sonë ndaj instrumenteve të kujtesës së viktimave në diktaturë. Instituti do të ketë lidhje e bashkëpunime ndërinstitucionale: ai do të këqyrë e do të propozojë edhe manipulimin e teksteve shkollore e universitare mbi fakte të njëanshme apo mashtrime, sikundërse do të propozojë të përfshihen në edukimin e brezave rrëfime të zgjedhura nga memuaristika e intelektualëve e shkrimtarëve që kaluan përvojën e burgjeve komuniste.
Debati më i madh i bërë është midis njohjes së krimeve, dënimit të tij dhe i konsideruar si më i rrezikshmi në kushtet shqiptare “Ndëshkimi”. Realisht, çfarë do ta çojë për vijë ndarjen e hesapit me diktaturën?
Instituti ynë do të ndihmojë fort në grumbullimin dhe evidentimin e përmasave të terrorit e shtypjes së lirive, aspekte të gjenocidit politik të diktaturës, praktika e masa represive ndaj njerëzve të pafajshëm. Kjo është e rëndësishme, sepse krijon një bazë të dhënash me ekspertizë dokumentare, mbi të cilën mund dhe duhet të krijohet një panoramë sadopak objektive mbi krimin. Ne jemi Institut Studimesh dhe grumbullimesh të dëshmisë. Arkivi ynë do të jetë i hapur për studime publike. Ndëshkimi është një aspekt juridiko-ligjor që e vendosin palët politike në Parlament. Nëse puna jonë arrin të dëshmojë, e aq më tepër të bëhet premisë sensibilizuese për t'u ndëshkuar krimi, ky do të ishte realizimi i misionit tonë. Krimet duhet të dënohen, pa hyrë në shumëllojshmërinë e mënyrave të dënimit apo distancimit.
Është një raport i diskutueshëm për hapjen e dosjeve kur ligji në dispozicion të procesit mungon. A do të ketë fuqi vepruese ose ligjore instituti përballë kësaj situate?
Mendoj se në masën e ndeshjes së krimeve flagrante, ka të drejtë të ngrejë akuzë në nivel kombëtar e ndërkombëtar pranë instancave të drejtësisë. Instituti gjithsesi nuk është gjykatë apo tribunal, pasi detyra e tij është të ndikojë nëpërmjet studimeve dhe dëshmive.
Shpresojmë se puna jonë të ngjitet deri në atë pikë të grumbullimit të dëshmive faktike, që të ndikojë në domosdoshmërinë e zhbllokimit të ligjit mbi dosjet, ose Iustracionin.
Si është marrëdhënia e institutit me institucionet që mbajnë në arkiva dosjet dhe historinë e diktaturës, a do të ketë fuqi (ligjore) bashkëpunuese mes jush, kur deri tani rezultojnë dështime për zbardhjen e krimeve? E në rastet e pakta janë individë që ia dalin të gërmojnë personalisht.
Të gjitha arkivat sekrete janë të detyruara, siç thuhet në ligjin që rregullon veprimtarinë e institutit, "të bashkëpunojnë me ne, duke ndihmuar pa hezitim në ofrimin e dokumenteve pa vonesë dhe pa pagesë". Kjo është në natyrën e Instituteve homologe që veprojnë në të gjitha vendet ish-komuniste. Nëse nuk do të pranojnë të bashkëpunojnë, të refuzojnë depërtimin në arkiva, atëherë kemi të drejtë t'i paditim ndërkombëtarisht dhe merren gjykatat ndërkombëtare me këto refuzime. Thjesht, nuk ka shans, pavarësisht vullnetit hipotetik të përgjegjësve të këtyre arkivave.
Mund të jemi skeptikë pse ju, shkrimtar, intelektual, me angazhime letrare, jashtë politikës, jeni në krye të këtij instituti, ndonëse kemi rastin e njohur të poetit rumun Mirçea Dinesku, ndonëse ai ishte një aktivist politik, i burgosur nga Çaushesku, dhe pati sukses në krye të një institucioni të ngjashëm?
Përkundër! Mendoj se më i interesuar se një shkrimtar për të ditur se çfarë ka ndodhur me popullin e tij, zor se mund të gjesh tjetër. Përveç fakteve dokumentare, historike, personalisht më intereson edhe vështrimi antropologjik, njerëzor, pasi gjithë dhuna projektohet mbi horizontin e fateve individuale e kolektive. Mua më intereson se çfarë u bë me njeriun, qëkurse erdhën dhe e morën në mes të punës, në familje, mes shokësh, i vunë hekurat dhe e pushkatuan, e burgosën apo e internuan. Ky është fati i dhimbshëm i popullit tonë, i cili nuk duhet të mbetet i errët. Sot një shumicë e madhe të pushkatuarish nuk dihet ku i kanë varret. Përveç Mirçea Dineskut, një poet e disident, një institut të tillë e ka drejtuar edhe poetja e njohur Ana Blandiana. Po kështu, në Rusi, që në vitin 1989, për së pari, institutin homolog e ka drejtuar shkencëtari i njohur, shpikës i bombës bërthamore dhe disidenti i madh Andrei Saharov. Pak rëndësi ka për mua si shkrimtar. Tek e fundit nuk ka lidhje me letërsinë, por me angazhimin qytetar dhe dëshirën për të kontribuar sadopak në zbardhjen, qoftë të një segmenti të së vërtetës, nëpërmjet dokumenteve e dëshmive. Jam tip që nuk kam njohur dështime dhe e kam pasur këtë ndjeshmëri shumë më parë se të krijohej ky institut. Jam përpjekur ta bëj këtë detyrë në masën e shqetësimit tim, si njeri, si qytetar. Shpresoj shumë në një mundësi të tillë, që na e jep të organizuar e në punë kolektive Instituti.
Për pasojë të pyetjes së mësipërme, që ishte krejtësisht personale, ose shkurt për pasjen e guximit të duhur intelektual në këtë betejë, që akoma përballet me mentalitetin e fortë komunist, ju keni menduar si do të ecë instituti në drejtimin tuaj?
Violeta, ka aq shumë gjëra për të bërë, aq shumë projekte, aq shumë sfera të paprekura, sa nuk di nga t'ia fillosh më parë. Jam i lumtur për një gjë: gjithë brenga e këtyre viteve për mosveprimin në zbardhjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit tash e ka një shans, një mundësi, një mbështetje. Jam i sigurt për një punë të ndërgjegjshme, për një mision, të cilin do të mundohem ta kryejë me ekspertizë të lartë e të pazhdukshme.
Dhe pyetja e fundit, ka të bëjë me finalen, ligjin dhe për rrjedhojë nevojën e dekomunistizimit të institucioneve publike. Ka prej jush ndonjë nismë konkrete për këtë qëndrim me kosto politike?
Koston politike le ta marrin ata që kanë kryer krimet. Ne thjesht do dëshmojmë e studiojmë. Nëse dëshmia është kosto politike dhe dekomunistizimi prek ndokënd, atëherë Zoti qoftë me ta! Projektet janë të shumta: mezi presim të fillojmë. Është ndoshta gjëja më me kuptim, që kam dashur e dëshiroj të bëj. Thjesht na duhet e vërteta, për t'u çliruar, sepse e vërteta çliron, sa individin, aq edhe bashkësinë.
Sot në muze, masakra e 26 shkurtit ‘51
Historia e bombës në Ambasadën Sovjetike është: hidhet një bombë dhe thyhen dy-tre xhama; pushkatohen 22 intelektualë. Kjo është masakra e njohur e 26 shkurtit 1951, mbi intelektualët dhe qytetarët e pafajshëm të pushkatuar nga regjimi komunist. Në rastin e 60-vjetorit të kthimit në sensibilitet dhe memorie publike për krimet komuniste Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri dhe Instituti i Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë organizojnë konferencë shkencore-përkujtimore, ditën e shtunë në sallën e Muzeut Historik. Programi i konferencës është: Referon Uran Butka me “Masakra me pretekstin e bombës në Ambasadën Sovjetike, krim tipik i sistemit komunist”, Agron Tufa me kumtesën “Importimi i modelit të terrorit sovjetik mbi intelektualët shqiptarë”, Kolec Topalli “Vrasja e intelektualëve, synimi kryesor i masakrës së 26 shkurtit 1951”, Amik Kasoruho “Filozofia dhe praktika kriminale në regjimet totalitare”, Gëzim Peshkëpia “Persekutimi i familjeve” (Kujtime) dhe përshëndesin Simon Miraka, Gjosho Vasia dhe Hysen Shehu.