E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovica do të ketë një nënkryetar turk

Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka marrë vendim që për nënkryetar të komuniteteve të propozojë një nga anëtarët e komunitetit turk, që është i angazhuar në jetën politike në këtë qytet.

Kastrati ka zhvilluar të enjten një takim me drejtuesit e komunitetit turk në Mitrovicë, me të cilët ka biseduar për këtë vendim, përderisa për detajet do të diskutohet më vonë.

Kastrati nuk ka emëruar ende drejtoret e drejtorive, mirëpo ka premtuar se për këtë do të merret vendim së shpejti, në mënyrë që sa më parë të funksionalizohet qeveria komunale.

Në statutin e komunës së Mitrovicës, parashihet një nënkryetar nga komunitetet, i cili do të emërohet për mandat të njëjtë si kryetari i komunës.

Gjithashtu, specifikohet se emërimi dhe shkarkimi i nënkryetarit për komunitete, propozohet nga kryetari i komunës dhe duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës, si dhe nga shumica e anëtarëve të KK-së që janë të pranishëm dhe votojnë, të cilët i përkasin komuniteteve jo shumicë.

Në statut thuhet se nënkryetari i komunës për komunitete, do t’i ndihmojë kryetarit duke i ofruar këshilla dhe udhëzime në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë të komunës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›