E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë: Gjendja në veri të qytetit e tensionuar

Mitrovicë - Përfaqësuesit e strukturave të sigurisë dhe ato politike në Mitrovicë vlerësuan sot në takimin e Komitetit për Siguri se gjendja në veri të qytetit është tensionuar pas incidentit që ka ndodhur të mërkurën në Lagjen e Boshnjakëve ku është sulmuar një vajze shqiptare dhe janë dëmtuar disa vetura me regjistrim KS. Kryetari i komunës Bajram Rexhepi tha se ata që i kanë bërë këto incidente duhet sa më parë të nxirren para drejtësisë. Ai tha se këto incidente lidhen me vendosjen e EULEX it dhe shtrirjen e tij në veri. Rexhepi theksoi se struktura të caktuara serbe në veri janë duke bërë incidente si mesazh kundër shtrirjes së EULEX it në veri. "Edhe pse zyrtarisht Qeveria e Serbisë përkrah shtrirjen e EULEX it, në terren grupe të caktuara kundërshtojnë këtë gjë dhe kjo është një politikë e dyfishtë", tha Rexhepi. Ai tha se EULEX i ka bazën legale dhe mandatin për t'u shtrirë në gjithë vendin dhe së bashku me institucionet e Kosovës të vendos rendin dhe ligjin, veçanërisht në veri ku veprojnë strukturat paralele, të cilat duhet të shuhen.

Kryetari i Mitrovicës tha se strukturat e sigurisë si KFOR i dhe policia duhet të mbështesin vendosjen e EULEX it dhe të tregojnë vendosmëri përkundër incidenteve që mund të shkaktohen nga grupe të caktuara serbe. Gjithashtu Rexhepi kërkoi që KFOR i të shtojë praninë në Lagjen e Boshnjakëve dhe në zonën e "Tre rrokaqiejve", të cilat janë pjesët më të ndjeshme sa i përket sigurisë. "KFOR i ka kapacitet dhe do të ishte e udhës që të shtoj praninë në këto zona. Gjithashtu duhet të merret në konsideratë edhe krijimi i patrullave të përbashkëta me policinë gjatë këtyre ditëve", tha Rexhepi dhe apeloi tek qytetarët që të mos bien në provokime dhe të jenë të përgjegjshëm, sepse trazirat nuk janë në të mirë të Kosovës.

Komandanti i stacionit jugor të policisë, kap. Bashkim Spahiu, tha se strukturat e sigurisë kanë reaguar me kohë pas incidentit që ka ndodhur të mërkurën mbrëma në veri. Ai tha se tensionet janë reflektuar edhe në veri, prandaj duhet një gatishmëri e strukturave të sigurisë për të parandaluar incidentet e mundshme. Në anën tjetër, përfaqësuesit e KFOR it që ishin të pranishëm në takim thanë se janë në gjendje gatishmërie për t'u përballur me çfarëdo situate që mund të krijohet ne terren, por thanë se nuk presin probleme të mëdha. QIK

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›