E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, Komiteti i Sigurisë: Situata e brishtë dhe e tensionuar

PRISHTINË- Situata në komunën e Mitrovicës, ndonëse ka tendencë stabilizimi, vazhdon të jetë ende e brishtë dhe e tensionuar, vlerësoi sot Komiteti Lokal për Siguri Publike, në takimin ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e strukturave të sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se "zgjedhjet e organizuara nga OSBE-ja për balotazh për kryetar të Serbisë, që janë mbajtur në veri të komunës dhe të vendit, kanë kaluar pa probleme dhe incidente". 

"Në veri të qytetit gjatë natës së kaluar ka pas të shtëna të shumta nga armë zjarri, që supozohet të jenë bërë për shkak të fitores së Nikoliçit për kryetar të Serbisë, të cilat i kanë shqetësuar tej mase qytetarët që jetojnë atje", u shpreh Kastrati.

Kryetari i komunës kërkoi nga të gjithë që të jenë kujdesshëm dhe që situatën në veri ta përcjellin me vëmendje, pasi koha ka treguar se ajo mund të ndryshojë në çdo çast. Sidoqoftë, ai ka thënë se policia e EULEX-it, ajo e Kosovës dhe KFOR-i, duhet të angazhohen maksimalisht për të identifikuar ata që qëlluan me armë zjarri, për t’i konfiskuar armët dhe për të ndërprerë këtë praktikë që vazhdimisht po i shqetëson qytetarët.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›