Mitrovicë: Serbët do të votojnë në zgjedhjet lokale
Serbët e veriut të Mitrovicës do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale e parlamentare të Serbisë, përderisa ka nga ata që ende synojnë që përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, të mundësojnë kthimin e Kosovës nën sovranitetin serb.
Shumë nga banorët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës kanë vendosur tashmë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale serbe, që pritet të mbahen këtë të dielë edhe në Kosovë.
Zgjedhjet lokale serbe në Kosovën e pavarur konsiderohen të paligjshme nga UNMIK-u, i cili mban një qëndrim neutral rreth zgjedhjeve nacionale.
Por, serbët në Mitrovicë, pavarësisht këtij qëndrimi të UNMIK-ut, mendojnë se administrata e OKB-së duhet të respektojë vullnetin e serbëve të Kosovës.
Vojkan Dimiç është njëri nga ata që mendon se edhe në Kosovën e pavarur, serbët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Serbisë.
Për më tepër ai pret përmirësim të kushteve të jetës pas këtyre zgjedhjeve.
"Si të gjithë të tjerët, dua që të na përmirësohen kushtet, do të dëshiroja që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, do të doja që fëmijët tanë të kenë jetë më të mirë".
"Ndërkaq, sa i përket qëndrimit të UNMIK-ut se nuk do të pranojë zgjedhjet, duhet kujtuar se ata janë këtu për shkak të popullit dhe ata duhet të respektojnë vullnetin e popullit, e jo populli të respektojë vullnetin e tyre", thotë Dimiç.
Zgjedhjet lokale dhe parlamentare, përmes një deklarate i ka kundërshtuar edhe Kuvendi i Kosovës.
Por Qeveria dhe Presidenca, për shkak të respektimit të parimit të dyshtetësisë, vazhdojnë të mbajnë një qëndrim neutral rreth zgjedhjeve nacionale, por i kundërshtojnë ato lokale.
Pothuajse të gjitha subjektet politike në Beograd, rikthimin e sovranitetit mbi Kosovën e kanë vënë në fokus të fushatës elektorale.
Ndërkohë, vetë rënia e qeverisë ka qenë rezultat i kundërthënieve për Kosovën i partnerëve qeverisës.
Sidoqoftë, analistët kosovarë vlerësojnë se në rast se Serbia nuk heq dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, në aspektin praktik në mjediset serbe do të krijohet një konfuzion rreth administrimit të pushtetit lokal, ndërkaq nga pikëpamja politike, do të jetë ndërhyrja e parë e një shteti tjetër në punët e brendshme të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së saj.