Mitrovicë, eksploziv shtëpisë së shqiptarit, vdes 38-vjeçari

Shtëpia ku u vu eksplozivi në Mitrovicë
Sulmi, nuk përjashtohen motivet etnike, nëna e 4 fëmijët rëndë në spital.
Një mjet shpërthyes është vendosur në shtëpinë e një shqiptari në Mitrovicë, ku si pasojë 38-vjeçari Selver Haradinaj humbi jetën dhe katër fëmijët dhe bashkëshortja e tij janë plagosur. Sipas Policisë së Kosovës ngjarja ka ndodhur orën 01:00 të mëngjesit të së dielës, në zonën e Tre rrokaqiejve. Mjeti shpërthyer besohet të ketë qenë një sasi eksplozivi plastik, i vendosur dhe aktivizuar në parmakun e dritares së banesës në katin përdhes të familjes Haradinaj. Anëtarët e tjerë të familjes janë shtruar në spitalin e Mitrovicës. Nuk është raportuar ende për persona të arrestuar apo të dyshuar për këtë akt, ndërsa Sektori i Hetimeve të Krimeve të Rënda në Mitrovicë vazhdon hetimet. Autoritetet në Kosovë e kanë dënuar aktin si terrorist dhe cenim për paqen në zonën më të brishtë të Kosovës. Zyra e Presidentes Atifete Jahjga e dënoi sulmin si të papranueshëm. Sulme të tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendit dhe pengojnë përpjekjet e vazhdueshme për vendosjen e rendit dhe të qetësisë, thuhet në njoftim. Qeveria e dënoi aktin si terrorist. Ky akt i drejtuar ndaj jetës, lirisë dhe pronës së qytetarëve, është një akt kriminal dhe terrorist, ndaj të cilit qeveria e Kosovës shpreh indinjatë dhe angazhohet që ndriçimi i tij, kapja e autorëve dhe dënimi i tyre të bëhet sa më shpejt, njofton Kryeministria e Kosovës. Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Kosovës dhe nga organet e ndjekjes, që të bëjnë çmos që autorët të kapen e të dënohen. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, paralajmëroi se ky sulm mund ta tensionojë gjendjen në Veri të Mitrovicës. Ministri Rexhepi tha se edhe pse nuk ka raport zyrtar për ngjarjen, nuk anashkalohen që motivet etnike të jenë qellim i sulmit. Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, reagoi mbi aktin duke e dënuar atë si të papranueshëm. Në emër të Kuvendit të Republikës se Kosovës dhe në emrin tim, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes Haradinaj, thuhet në fund të deklaratës së zotit Krasniqi.
Reagimet e opozitës
Lëvizja Vetëvendosje, e tronditur nga sulmi, e ka cilësuar atë si një sulm të menduar terrorist dhe me një veprimtari të organizuar të strukturave kriminale të Beogradit kundër shqiptarëve në Veri. Ata bënë përgjegjëse edhe qeverinë e Kosovës që nuk ndërpret bisedimet me Serbinë, por toleron ngjarje të tilla. Ndrysa LDK theksoi se kriminelët duhet të nxirren para organeve të drejtësisë. AAK ftoi institucionet kompetente që ti përdorin të gjithë mekanizmat për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, për identifikimin dhe kapjen sa më të shpejtë të kryesve të këtij akti barbar, thuhet në njoftimin e tyre.
Daçiç: Jo Kosoven per Europen
Lideri Partisë Socialiste të Serbisë, kandidat për President, aktualisht ministër i Brendshëm, Ivica Daçiç, tha se nëse do të bëhet President i Serbisë nuk do të lejojë që të tjerët të sakrifikojnë Kosovën dhe Republika Srpska për BE-në. Sipas agjencisë B92, Daçiç, tha se do të burgosë edhe më tutje të gjithë ata që rrezikojnë rregullin kushtetues të Serbisë. Kështu mbrohet Serbia, dhe jo me lëshime të vazhdueshme dhe përulje në gjunjë, tha Daçiç.
