E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, ndihma me ushqime për banorët pas barrikadave

PRISHTINË- Pas bllokadave të vendosura nga strukturat paralele serbe në vendet kyçe të qytetit të Mitrovicës,të cilat kanë krijuar probleme të mëdha për qarkullimin e banorëve që jetojnë në lagjet e veriut, sidomos për qytetarët shqiptarë, Komuna e Mitrovicës, ka siguruar një kontingjent ushqimesh për ta. Artikuj të ndryshëm ushqimorë janë ndarë për banorët e Kodrës së Minatorëve, por edhe për ata të Lagjes së Boshnjakëve.
Zyrtarët komunalë thonë se aktualisht problemet më të theksuara për lëvizje, i kanë banorët e Kodrës së Minatorëve, pasi autobusi me të cilin kanë qarkulluar për në jug prej 16 shtatorit nuk ka mundur të dal në këtë lagje.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, thotë se ka pasur kërkesa prej banorëve të atjeshëm për artikuj ushqimorë.
Ai tregon se nga drejtoria e tij për këta banorë janë siguruar rreth 60 pako ushqimore. "Në një pako ushqimore për familjet që jetojnë në Kodrën e Minatorëve ka pasur miell, vaj, sheqer, krip etj",sqaron ai.

Sipas zyrës së shtypit të komunës së Mitrovicës, përveç banorëve të kësaj lagjeje janë ndihmuar edhe banorët e Lagjes së Boshnjakëve. Drejtori i Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, thotë se nga drejtoria e tij janë siguruar rreth 200 pako ushqimore për familjet që jetojnë në atë pjesë të qytetit."Kemi kërkuar një listë nga përfaqësuesit e lagjes dhe më pastaj kryefamiljarët kanë mundur të marrin ushqimet", thotë ai.
Jashari thekson se në kontingjentet e ndihmave që ka siguruar komuna për qytetarët e veriut, të cilët kanë probleme me furnizim për shkak të bllokadave të vendosura në rrugë nga grupet ekstremiste serbe, janë ndihmuar qytetarët pa dallim të përkatësisë etnike. "Pako ushqimore përveç shqiptarëve, kanë marrë edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak dhe serbë, që jetojnë në Lagjen e Boshnjakëve dhe zonave përreth", thotë ai.

Në anën tjetër, Florent Azemi, përfaqësues i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve, thotë se banorët shqiptarë në këtë lagje në përgjithësi jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike dhe këto ndihma janë të mirëseardhura për ta.
Ai thekson se gjatë këtyre ditëve kur serbët kanë bllokuar rrugët, situata në këtë zonë me popullatë të përzier është shumë e tensionuar. Potencon se nuk ka pasur incidente, mirëpo shqetësimi i banorëve është i madh për shkak të pranisë së madhe të grupeve ekstremiste serbe që lëvizin në veri dhe nëpër lagje.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›