E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, serbët ruajnë barrikadat natën

PRISHTINE- Forcat e KFOR.-it në Kosove nuk kanë ndërmarrë mbrëmë asnjë veprim për heqjen e barrikadave në veri të vendit. Pas dështimit të takimit me strukturat paralele serbe, nata e mbrëmshme në këtë pjesë të vendit ka kaluar kryesisht e qetë, ndonëse ka qenë gjatë gjithë kohës nën presionin e ndonjë tensionimi të mundshëm të saj.

Serbët kanë qëndruar gjatë natës pranë barrikadave kryesore në Zupç, Jegenicë dhe Rudare, megjithëse në numër shumë më të vogël sesa netët e kaluara. Takimi i realizuar mbrëmë ndërmjet përfaqësuesve të KFOR-it, EULEX-it dhe strukturave paralele serbe në Mitrovicë përfundoi pa sukses.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s u penguan nga serbët për zhbllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimit kufitar në Jarinjë në veriun e Kosovës, dhe as bisedimet dypaleshe nuk i dhanë zgjidhjen e duhur këtij problemi. Pavarësisht këtij fakti trupat e NATO-s kanë paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për largimin e barrikadave me qëllim vendosjen e lëvizjes së lirë në atë pjesë të Kosovës, por deri tani këto veprime nuk janë ndërmarrë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›