Minatorët, të pasigurt për nisjen e punës nëntokë
Kërkohet një inspektim i dytë për të parë nëse kushtet janë të përshtatshme për të nisur punën
TIRANË Për të vendosur nëse miniera e Bulqizës është e sigurt nevojitet kryerja e një tjetër inspektimi, gjë e cila do të sjellë sërish bllokimin e punës në këtë minierë.
Burime zyrtare nga Reparti i Inspektim-Shpëtim Minierave thanë se “grupi i dërguar nga Tirana nuk ka mundur dot të realizojë një kontroll të detajuar të zonës ku ndodhi shpërthimi, si dhe pjesëve të tjera të minierës, si rezultati i sasisë së gazit që ndodhet aty".
Ndërkohë, përfaqësia e minatorëve vijon të mos pranojnë fillimin e punës, pasi konsiderohet e rrezikshme për jetën. Luan Nika, kreu i përfaqësisë së minatorëve, tha se "do rifillojmë punën kur të na garantohet nga specialistët se janë kontrolluar të gjitha frontet e punës dhe të na konfirmohet gjendja e mirë e minierës". Minatorët kanë frikë të punojnë, derisa të kontrollohen tërësisht të gjitha frontet e minierës nga specialistët. Ndërkohë, prokuroria vijon hetimet e saj për ta zbardhur tërësisht shkaqet e shpërthimit ndodhur ditë më parë në pusin 2, në nivelin e 16-të të minierës së Bulqizës gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9, ku një minator humbi jetën, ndërkohë që 8 të tjerë u plagosën. Pas aksidentit tragjik kompania austriake ACR konfirmoi se, për sa i përket rrethanave të shpërthimit, kompania tha se ka vepruar brenda të gjitha urdhëresave të ministrisë dhe RISHM-it. “ACR sqaron se ka përmbushur të gjitha urdhëresat e dhëna nga METE dhe i është përmbajtur akt-inspektimeve të RISHM-it në veprimtarinë e saj për kthimin e minierës në kushte pune”. Kompania ACR thekson se është në pritje të raportit përfundimtar të RISHM-it për rrethanat që shkaktuan aksidentin tragjik. Pak ditë më parë sindikalistët vendosën të ngrinin një padi kundër përfaqësuesve të ACR-së. Sipas tyre, këshilli sindikal në mbledhjen e fundit të tij ka vendosur që të ngrejë një padi ndaj firmës ACR, pasi urdhri i dhënë nga Ministria e Ekonomisë nuk lejonte fillimin e punës në galeri. Ndërkohë, administrata e minierës ka urdhëruar minatorët të hyjnë në frontet e punës, paçka se ato kishin përqindje të lartë gazi.